Fjalimi i fuqishëm i Çitakut në OKB: Kosova është shtet i të rinjve, i Majlinda Kelmendit e Distria Krasniqit

Aktuale

Fjalimi i fuqishëm i Çitakut në OKB: Kosova është shtet i të rinjve, i Majlinda Kelmendit e Distria Krasniqit

Më: 14 nëntor 2018 Në ora: 17:57
Vlora Çitaku

(E plotësuar) - Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së po diskutohet për raportin tre mujor mbi gjendjen në Kosovë.

Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku foli për luftën në Kosovë si dhe gjenocidin dhe spastrimin etnik të shqiptarëve.

Çitaku përmendi realitetin e luftës, të 20 mijë grave të dhunuara si dhe mijëra të tjerëve të vrarë.

“Pas Luftës së Dytë Botërore, Kosova u bë arenë e luftës. Më shumë se një milionë kosovarë u nxorën jashtë vendit, e gjithë kjo si pjesë e spastrimit etnik që ndodhi. 20 mijë gra u dhënuan e dhjetëra mira u vranë. Këto nuk harrohen lehtë, sidomos kur Serbia refuzon të marr përgjegjësinë për to. Nuk ka pasur përgjegjësi morale në këtë luftë. Ka pasur pushtues dhe të pushtuar. Dhe  të gjithë ishin e dijnë se kush ishte pushtues e të pushtuar”, ka thënë ajo.

Ajo vazhdoi fjalimin e saj duke thënë se Kosova ka ndryshuar.

Sipas saj Kosova është shtet i të rinjëve, Majlinda Kelmendit e Distria Krasniqi.

“Ne nuk jemi viktima të ditës së djeshme, jemi kampionë të ditës së sotme. Si kosovarë nuk do të lejojmë që e kaluara të na definojmë. Jemi shteti i Majlindës i Distrias dhe femrave që e kanë ngritur Kosovën duke u mbështetur vetëm në aftësitë e veta. Jemi Republikë e re e cila është njohur nga shumica e shteteve të botës. Jemi të vendosur për të bërë çdo përpjekje të mundshme, dhe të mos lejojmë fqinjin verior të na i minojë përpjekjet tona”,

Çitaku foli edhe për vizitën e presidentit Thaçi në Ujman, çështje për të cilën parprakisht u ankua ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq.

“Presidenti i Kosovës mund të vizitojë çdo pjesë të Kosovës pa kërkuar leje nga askush. Atë ditë nuk ka ndodhur asnjë incident. Incidenti fatkeqsisht ndodhi ditën tjetër kur pronari i lokalit u sulmua me bombë nga strukturat paralele në veri”.

Ambasadorja e Kosovës në SHBA foli edhe për UNMIK-un, për të cilin tha se është një mission që bazohet në një realitet të kaluar dhe jo në rrethana aktuale.

“UNMIK-u nuk është më mission paqeruajtës dhe administrative. Ilustrim për këtë është vetë Rezoluta 1244, ku i referohet një realiteti alternative një realiteti që nuk ekziston më”, tha ai.

“Kosova është e pavarur dhe do të jetë tash e përgjithmonë. Këto sesione nuk i ndihmojnë paqes dhe dialogut. Kjo tryezë është shndruar në një teatër, është keqpërdorur për të ndikuar në popullatat e vendit tonë”, shtoi  ajo.

Ndërkaq më herët, ministri i Jashtëm serb në fjalimin e tij u ankua për vizitën e presidentit Thaçi në Ujman, vrasjen e Ivanoviqit dhe njohjet.

Për ushtrinë s’ka dialog me Serbinë

Ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku, ka thënë se vendi ynë ka bërë progres të madh që nga shpallja e pavarësisë dhe se tash UNMIK nuk e ka më rolin paqeruajtës, andaj do të ishte më e dobishme që resurset e kësaj organizate të shfrytëzohen për zgjidhjen e krizave tjera nëpër botë.

Ajo gjatë fjalës së saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për Kosovën kërkoi nga vendet anëtare të këtij institucionit t’i referohen vendimit të GJND-së se Kosova nuk ka shkelur asnjë ligj kur ka shpallur pavarësinë dhe se ky realitet është i pakthyeshëm.

“Këto sesione këtu nuk i ndihmojnë paqes dhe dialogut dhe fatkeqësisht ky vend këtu është duke u keqpërdorur dhe është shndërruar në teatër”, u shpreh ai.

Diplomatja kosovare ka folur edhe rreth anëtarësimit të Kosovës në Interpol, duke thënë se nuk mund të pritet nga vendi ynë të luftojë krimet pa qenë pjesë e këtij institucioni të rëndësishëm.

“Kosova nuk duhet të jetë një vrimë e zezë mes kontinentit evropian. Kemi dëshirë të ndihmojmë jo vetëm Kosovën, por edhe rajonin dhe Evropën për të qenë më të sigurt. Sa i përket policisë, OKB duhet të mburret se vetë kanë ndihmuar të themelojnë Policinë e Kosovës dhe Kosova ka ndihmuar në parandalimin e komploteve terroriste”, u shpreh ajo.

Sipas saj, për themelimin e ushtrisë nuk do të dialogohet me Serbinë dhe kjo çështje do të përfundojë së shpejti. Ndërsa shtoi se themelimi i ushtrisë nuk paraqet shkelje të Rezolutës 1244 të KS të OKB-së.

Duke folur për dialogun, ambasadorja Çitaku tha se Kosova vazhdon përmbushjen e marrëveshjeve të arritura në Bruksel, por Serbia nga ana e saj ka dështuar në përmbushjen e marrëveshjes së energjisë, e cila i kushton Kosovës me miliona në vit, madje Beogradi zyrtar ka shkelur CEFTA-n, andaj tatimi i vendosur prej 10 për qind ndaj mallrave serbe si i tillë ka qenë i pashmangshëm.

“Dialogu paraqet të vetmin shteg përpara për të dyja vendet, por është e rëndësishme që të pajtohemi se çfarë është ky dialog. Dialogu është për paqe, pajtim dhe njohje reciproke, dhe si i tillë do të ketë kuptim dhe do të prodhojë rezultate vetëm nëse ne vendosim të flasim sinqerisht në lidhje me proceset në Bruksel. Fqinjët tanë duhet të na trajtojnë si qenie të barabarta dhe duke njohur të gjitha të drejtat tona”, tha ambasadorja Çitaku.

Ajo ka përmendur se Fatmir Limaj është liruar dy herë nga Gjykata e Hagës, duke dëshmuar kështu pafajësinë e luftës çlirimtare të Kosovës.

Pas gjashtë muajsh, KS i OKB-së përsëri për Kosovën

Një sesion i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara filloi sot në Nju Jork, ku do të diskutohet raporti i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB António Guterres mbi punën e UNMIK-ut në Kosovë.

Seanca mbi situatën në Kosovë, e para pas gjashtë muajsh, ishte planifikuar me iniciativën e Kinës, e cila mori përsipër Këshillin e Sigurimit më 1 nëntor.

Sesioni i mëparshëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën u mbajt më 18 maj dhe një pauzë gjashtë mujore ishte rezultat i kundërshtimit të SHBA-së, Britanisë dhe Francës për të diskutuar çështjen çdo tre muaj, siç ishte rasti në 19 vitet e fundit.

Në raportin më të fundit për Kosovën, Guterres përshëndeti vendosmërinë e Beogradit dhe Prishtinës për të arritur në normalizimin e marrëdhënieve nëpërmjet një dialogu të ndërmjetësuar nga BE, duke paralajmëruar në të njëjtën kohë se disa incidente që kanë rezultuar nga tensionet ndëretnike janë regjistruar gjatë tre muajve të fundit.

Në një raport, i cili mbulon periudhën prej 16 korrikut deri më 15 tetor, shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin, tha se ishte i shqetësuar për tensionet e rinovuara lidhur me punën ndërtimore në zona të veçanta të mbrojtura dhe paralajmëroi për detyrimet lidhur me mbrojtjen e trashëgimisë fetare.

Në këtë dokument, ai gjithashtu deklaroi se deklaratat e udhëheqësve serbë dhe të Kosovës për korrigjim kufijsh shkaktuan shqetësimin e serbëve të Kosovës, si dhe keqkuptimet midis Beogradit dhe Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë.

“Pa pajtim në mes të komuniteteve, progresi mund të mungojë”, tha Tanin.

Ai theksoi se UNMIK vazhdon bashkëpunimin konstruktiv me Beogradin dhe Prishtinën, me të gjitha komunitetet në Kosovë dhe aktorët rajonalë dhe ndërkombëtarë.

Përveç raportit të Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës Botërore, një raport i Përfaqësuesit të Lartë të BE për Punë të Jashtme dhe Siguri mbi aktivitetet e EULEX-it u botua gjatë periudhës së mbuluar nga raporti i Guterres, i cili thotë se ky mision, duke kaluar nëpër periudhën e rikonfigurimit, do të jetë plotësisht funksionale në mes të dhjetorit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat