Haradinaj: Nevojitet planifikim më i mirë për rezervat e ujit

Aktuale

Haradinaj: Nevojitet planifikim më i mirë për rezervat e ujit

Më: 15 nëntor 2018 Në ora: 11:09
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj,

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka udhëhequr takimin e nëntë të Këshillit Ndërministror të Ujërave, në të cilin u shqyrtua nisja për rritjen e kapaciteteve të reja të ujit dhe sigurisë së akumulimeve ekzistuese, si dhe krijimi i grupit punues për vlerësimin e kapaciteteve të reja të ujit dhe sigurisë së akumulimeve ekzistuese.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj tha se projektet për menaxhimin e ujërave të zeza janë tejet të rëndësishme, duke theksuar se krahas punës emergjente që bëjnë, siç janë furnizimi me ujë të pijes, ndërtimi i impianteve për pastrimin e ujërave të zeza, e shumë aspekte të tjera,  duhet të bëhet një planifikim në kohë afatgjatë.

“Kosova ka nevojë të bëjë planifikim të mirë për rezervat e ujit, për mbledhësit, të ndërtojë një strategji, me të cilën Kosova do të mund t’i merrte obligimet e saj, e po ashtu do t’ia ofronte edhe partnerëve ndërkombëtarë, institucioneve financiare monetare”, tha kryeministri Haradinaj, duke shpresuar se partneriteti i nisur për ujërat të mos mbetet në gjysmë të rrugës.

Sipas një komunikate të Qeverisë, Haradinaj, shtoi se Kosova është e hapur që të pranojë investime të huaja direkte që kanë të bëjnë me menaxhimin e ujërave të zeza.

Ndërkaq, Baton Begolli, këshilltar për Politika Ujore në Këshillin Ndërministror për Ujëra, vlerësoi se Kosova ka nevojë për përkrahjen e donatorëve, për shkak se siç shtoi ai, vendi ynë nuk ka kapacitete për zhvillimin e resurseve të reja ujore.

Në takimin e sotëm, Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jean - Hubert Lebet, tha se duhet monitoruar e gjithë ajo që është bërë, në mënyrë që të shihet se ku duhen kryer punët më shumë, si dhe të shihen sfidat kryesore për të ardhmen, duke shprehur gjithashtu gatishmërinë e shtetit zviceran që të ndihmojë Qeverinë e Kosovës, respektivisht Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, sa i përket sektorit të ujërave.

Ambasadori i Gjermanisë, Christian Heldt, duke folur për përditësimin rreth impiantit të trajtimit të ujërave të zeza në Prishtinë , theksoi se kanë filluar negociatat për bashkëpunim dyvjeçarë dhe për Gjermaninë, por edhe për Zvicrën, është e vlefshme të dihet se deri ku kanë shkuar punët me atë projekt të caktuar, sepse në trajtimin e ujërave të zeza çështjet janë të lidhura me njëra-tjetrën.

Në këtë takim po ashtu janë diskutuar edhe zbatimi i ligjit të ujërave të Kosovës, shqyrtimi i ngritjes së Autoritetit të Rajonit të Pellgjeve Lumore në organ qendror të administratës shtetërore, shqyrtimi i ndryshimit të statusit të KRU Bifurkacioni nga Ndërmarrja Publike Komunale në Ndërmarrje Publike Qendrore dhe përfundimi i procesit të konsolidimit me komunat e Hanit të Elezit dhe Shtërpces, shqyrtimi i miratimit të analizës dhe draft-rregullores për strukturën e pagesave të ujit, shqyrtimi i propozim-vendimit për trajtimin e rasteve sociale në sektorin e shërbimeve të ujit.

Të pranishëm në këtë takim ishin edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ministri i Mjedisit dhe Planifikim Hapësinor, Fatmir Matoshi, zëvendësministra dhe zyrtarë tjerë institucionalë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat