Gazeta e njohur franceze tregon ku ndodhi gabimi: Makron turpëroi Vuçiqin dhe nderoi Thaçin

Aktuale

Gazeta e njohur franceze tregon ku ndodhi gabimi: Makron turpëroi Vuçiqin dhe nderoi Thaçin

Më: 16 nëntor 2018 Në ora: 09:11
Hashim Thaçi në Paris në ceremoninë e 100-vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore.

Gazeta franceze "Le Monde" i ka kushtuar një shkrim incidentit të ndodhur në tribunën e personaliteteve me rastin e 11 nëntorit, përkujtimit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore. Jo pak njohësve të kulisave diplomatike u ra në sy fakti se presidenti i Serbisë ishte deklasuar në një tribunë të rangut të dytë, kurse homologu i tij kosovar, Hashim Thaçi renditej përkrah Putinit, Merkelit dhe Trampit. “Turpërimi dukej edhe më i madh po të mendohet se Serbia nuk e njeh Kosovën”, komenton gazeta.

Diplomatët francezë janë justifikuar se ky ishte një gabim protokolli dhe këtë qëndrim ka mbajtur edhe Ambasada franceze në Beograd, shkruan e përditshmja që kujton se sipas historianëve Serbia është një nga vendet që ka pësuar më shumë humbje gjatë luftës së madhe dhe një e treta e ushtrisë së saj u shfaros gjatë këtij konflikti.

Por sipas gazetës, serbët mendojnë se shfajësimi francez është i pabesueshëm dhe në këtë “lojë vendesh” asgjë nuk ka qenë e rastësishme. Gazeta boton citimin e presidentit Vuçiq që thoshte se aty në tribunën ku e kishin vendosur ai nuk i besonte syve për atë që shikonte, duke ulur shikimin përdhe dhe duke kujtuar sakrificat e serbëve gjatë luftës.

Gazeta citon gjithashtu edhe spekulimet që vazhdojnë në Beograd se përse mund të ketë ndodhur ky deklasim i Vuçiqit në raport me Thaçin dhe e mbyll shkrimin e saj me një premtim të presidentit serb: “Kur Makron të vijë në fillim të dhjetorit në Serbi, unë do të ftoj me mijëra vetë që ta përshëndesin, që ai të kuptojë se ç’është mikpritja serbe dhe si e shohim ne miqësinë e vërtetë”.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat