Prokuroria konfirmon bastisjen në shtëpinë e Burdushit

Aktuale

Prokuroria konfirmon bastisjen në shtëpinë e Burdushit

Më: 16 nëntor 2018 Në ora: 12:19
Hysri Peqani-Burdushi

Prokuroria Themelore e Prizrenit e ka konfirmuar se po kryhet kontroll në shtëpinë e “Burdushit”, ku kryen veprimtarinë e tij prej mjekut popullor.

Shtëpia e mjekut popullor, Hysri Peqani, i njohur si Burdushi, sot ishte cak i Policisë dhe Prokurorisë.

Këtë e ka konfirmuar për media edhe prokurori Petrit Kryeziu. Ai tha se momentalisht ndodhen në shtëpinë e Burdushit por përveç konfirmimit se ka filluar bastisja nuk mund të japin më shume detaje.

“Na jemi këtu sapo kemi fillu bastisjen”, tha Kryeziu.

Media ka siguruar pamjet nga shtëpia e Burdushit, ku shihet ekipi policor që ia ka bastisur shtëpinë atij sot në mëngjes. 

Ndryshe, para pak ditësh Prokuroria Themelore e Prizrenit ka ngritur aktakuzë ndaj Peqanit për mashtrim të një klienti të tij, të cilit, sipas aktakuzës, ia ka marrë 2 mijë euro.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, “Burdushi” akuzohet se nga data 20.06.2014 deri me 12.08.2014 në Prizren, duke i fshehur faktet dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për personin tjetër ose për t'i shkaktuar dëm material personit tjetër, e mashtron apo vazhdon lajthimin e personit tjetër dhe me këtë rast të dëmtuarin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat