Ndizen 108 qirinj për viktimat e trafikut rrugor

Aktuale

Ndizen 108 qirinj për viktimat e trafikut rrugor

Më: 18 nëntor 2018 Në ora: 19:12
Pamje nga vendi i ngjarjes

Për nder të Ditës Botërore për Përkujtimin e Viktimave në Trafikun Rrugor, sonte para Teatrit Kombëtar janë ndezur qirinj në përkujtim të viktimave që kanë humbur jetën në aksidente në trafikun rrugor.

Me këtë rast, janë ndezur 108 qirinj, për të kujtuar kështu 108 persona që humbën jetën në aksidente të trafikut rrugor.

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të respektojnë shenjat e komunikacionit dhe të kenë kujdes të shtuar gjatë vozitjes, pasi në këtë mënyrë do të ketë më pak aksidente me fatalitet.

Lekaj: Jemi këtu për të shprehur dhimbjen për të gjithë qytetarët që kanë humbur jetën

“Sonte jemi për të ndezur qirinj dhe për të shprehur dhimbjen më të madhe për qytetarët tanë që kanë humbur në aksidente rrugore  dhe për të bërë nderimin. Kjo është një dëshmi që Qeveria e Kosovës është e qëndrueshme dhe do të bëjë më të mirën të mundshme për të krijuar kushte në trafikun rrugor dhe nga ky vend  i lus të gjithë vozitësit që të respektojnë shenjat e komunikacionit dhe të respektojnë jetën e tyre, sepse edhe një jetë e humbur për ne është e trishtueshme e lëre më sa viktimat në këtë vit kanë humbur jetën në aksidentet rrugore”, ka thënë Lekaj.

Ai ka shprehur ngushëllime për të gjitha familjet që kanë humbur të afërmit e tyre, në aksidentet rrugore, duke shtuar se si ministri do të ofrojnë shërbime më të mira në cilësinë e rrugëve, dhe vendosjen e sinjalistikës.

Edhe drejtori i Trafikut në Komunën e Prishtinës, Samedin Mehmeti, ka lutur qytetarët që të jenë më të kujdesshëm në trafik.

Mehmeti: Lus qytetarët që të jenë më të kujdesshëm në trafik

“Dëshirojmë t’iu shprehim ngushëllime të gjitha familjeve që kanë humbur anëtarët e tyre më të dashur në aksidentet e trafikut, njëkohësisht dëshirojmë që të kërkojmë ndihmën e çdo qytetari që të jenë më i kujdesshëm, sepse çdo njëri e ka rolin për ta luajtur në trafik. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar që të kryejë detyrat e veta dhe të ofrojë shërbimeve gjatë 24 orëve në trafik. Tani po hyjmë në sezonin e dimrit edhe një herë i lus të gjithë qytetarët që t’i kenë me veti përgatitjet në automjete dhe të vozisin sa më kujdesshëm”, porositi Mehmeti.

Genta Xheladini nga Kolegji “Tempulli”, ka thënë se në këtë ditë, kanë përkujtuar të gjithë ata që kanë humbur jetën, në aksidente trafiku, duke ndezur qirinj për secilin prej tyre.

Xheladini: Kemi ndezur  për 108 qirinj që simbolizojnë 108 persona që kanë humbur jetën

“Me rastin e shënimit të Ditës Botërore për Përkujtimin e viktimave në trafikun rrugor, siç po e vëreni ne kemi ndezur 108 qirinj që simbolizojnë 108 jetë që kanë humbur në aksidente trafiku këtë vit”, u shpreh ajo.

Ndryshe, kjo ditë shënohet me qëllim të përkujtimit të miliona njerëzve që humbin jetën në aksidentet rrugore, por njëkohësisht edhe për mbështetje ndaj familjarëve të viktimave.

Aksidentet e trafikut tash e sa vite nuk janë sfidë vetëm e shoqërisë dhe vendit tonë, por një shqetësim i madh global, i cili në shumicën e vendeve të botës është vrasësi më i madh i njerëzve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat