SHBA: Fushata e presionit nga Serbia bëri që Kosova të dështojë në Interpol

Aktuale

SHBA: Fushata e presionit nga Serbia bëri që Kosova të dështojë në Interpol

Më: 20 nëntor 2018 Në ora: 10:45
INTERPOL

Ambasada e SHBA-së në Prishtinë është deklaruar në lidhje me dështimin e Kosovës për t’u anëtarësuar në Interpol.

SHBA-ja thotë se Policia e Kosovës është institucion i integruar plotësisht dhe i aftë, që ka dëshmuar qartazi se ka ndihmuar në shpërbërjen e rrjeteve ndërkombëtare terroriste, të krimeve kibernetike, narkotikëve, armëve dhe të trafikimit me qenie njerëzore.

Tutje, kjo Ambasadë thotë se shumica e vendeve e kanë parë këtë gjë dhe e kanë mbështetur kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Interpol, “përkundër fushatës, të udhëhequr nga Serbia, për t’iu bërë presion vendeve për ta kundërshtuar kërkesën e Kosovës”.

“Mbështetja për anëtarësimin e Kosovës në Interpol kurrë nuk ka qenë për pranimin e pavarësisë së Kosovës, por për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e zbatimit të ligjit dhe për të mbyllur një boshllëk kritik të sigurisë në Ballkan. Me këtë rezultat, të gjithë humbasim”, deklaron Ambasada Amerikane në njoftimin për media.

“Ne vazhdojmë fuqimisht ta mbështesim dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të mundësuar nga BE-ja. Tani më shumë se kurrë, të dy palët duhet t’i shpejtojnë përpjekjet e tyre për të arritur marrëveshje për normalizimin e plotë, që është mënyra e vetme për të dy vendet për të ecur përpara në rrugëtimin e tyre për anëtarësim në BE. Të dyja, Serbia dhe Kosova duhet ta kuptojnë se rrugëtimi i tyre drejt të ardhmes evropiane shkon përmes normalizimit”, thekson Ambasada e SHBA-së, ndërsa thotë se për ta arritur këtë, “i nxisim të dy vendet që t’i shmangin provokimet dhe të punojnë së bashku për arritjen e një ujdie”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat