Deputetët kërkojnë rritje të taksës ndaj Serbisë në 25 për qind

Aktuale

Deputetët kërkojnë rritje të taksës ndaj Serbisë në 25 për qind

Më: 20 nëntor 2018 Në ora: 14:24
Mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi, ka kërkuar që taksa prej 10 për qind ndaj produkteve të Serbisë të rritet në 25 për qind.

Sipas Krasniqi një masë e tillë duhet të vijë si kundërpërgjigje ndaj Serbisë për lobimin kundër Kosovës, dhe duhet të pengojë dominimin e produkteve të Serbisë në tregun kosovar.

Krasniqi: Taksa prej 10 për qind të rritet në 25 për qind

“Ta rrisni taksën, ne nuk mundemi realisht të rrimë duar kryq kundër kësaj sjellje absolutisht armiqësore të Serbisë në kuptimin e luftimit të Kosovës në çdo hap, në arenën ndërkombëtare dhe mendoj që ne duhet të ndërmarrim veprime konkrete në kuadër të së paku besoj që së paku taksa prej 10 për qind duhet të rritet në 25 për qind, nëse jo edhe më shumë. Ma merr mendja se më nuk kemi hapësirë për të shprehur njëfarë lloj mirëkuptimi për këtë çështje, kështu që mendoj që është urgjente dhe ndoshta do të ishte shumë mirë që ndërlidhet me dikasterin tuaj, padyshim është vendim i Qeverisë, por që do të duhej që ndoshta të diskutohet kjo çështje”, u shpreh Krasniqi.

Këtë kërkesë Krasniqi e bëri sot gjatë raportimit të ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala në Komisionin për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal.

Me kërkesën e deputetit të PDK-së u pajtua edhe kryetarja e këtij komisioni, Sala Berisha Shala.

Shala: Angazhimi duhet të jetë i shumë anshëm

“Angazhimi duhet të jetë i shumë anshëm në mënyrë që Kosova ta ketë një rrethanë pak më ndryshe, me një ambient krejt tjetër dhe të mos na e diktoj politika e Serbisë, edhe politikën e brendshme të sjelljes tonë këtu brenda çoftë tregtarëve, çoftë edhe të tjerëve”, ka shtuar ajo.

Lidhur me masën prej 10 për qind ndaj  importit të produkteve të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës, ministri Shala u shpreh se Kosova do të fillojë me masën e reciprocitetit ndaj produkteve serbe.

Ai tutje tha se ka dhënë urdhëresë që inspektorati t’i njoftoj operatorët ekonomik se të gjitha produktet që vijnë nga Serbia dhe Bosnja që në etiken e deklaracionit të tyre u shkruan “Kosova Metohija”, të largohen nga tregu. Urdhëresë të tillë ai tha se ka lëshuar edhe për Doganën e Kosovës.

Shala: Të gjitha produktet me deklarimin” Kosova Metohije”, do të largohen nga tregu

 “Edhe dje e kam urdhëruar inspektoratin që t’i njoftojë operatorët ekonomik që të gjitha ato produkte të cilat, apo në të cilat është e shkruar një emërtim tjetër për shtetin tonë i cili është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës të largohet nga tregu, atë kanë filluar të largohen, dhe njëkohësisht kam kërkuar nga Doganat e Republikës së Kosovës që mos të lejohet të hy asnjë mall në Kosovë e posaçërisht me fokus nga Serbia dhe Bosnja për arsye se këto dy shtete po tentojnë ta minojnë në çdo hap qenien e shtetit të Kosovës, i cili do të thotë nuk i ka të përcaktuar edhe nuk e ka të shkruar në etiketën e deklaracionit e mallit të vetë emrin e Kosovës ashtu siç duhet”, u shpreh ai.

Sot Kosova dështoi të anëtarësohet në INTERPOL, duke mos marrë votat e nevojshme as me dy raunde votimi. Shteti serb vazhdimisht ka lobuar kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë të bashkëpunimit policor, dhe forcimit të legjitimitetit ndërkombëtar të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat