BE mbështet Kosovën në rrugën e saj evropiane

Aktuale

BE mbështet Kosovën në rrugën e saj evropiane

Më: 20 nëntor 2018 Në ora: 19:20
Kadri Veseli dhe Federica Mogherini

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, është takuar sot në Bruksel me shefen e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini, me të cilën ka biseduar për gjendjen e përgjithshme në Kosovë, rrugën e integrimeve evropiane, me theks të veçantë zbatimin e MSA-së dhe procesin e liberalizimit të vizave.

Kreu i Kuvendit të Kosovës tha se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara për liberalizim të vizave dhe tani pas rekomandimit pozitiv të Komisionit Evropian dhe votimit në Parlamentin Evropian, pret vendimmarrje pozitive brenda këtij viti nga ana e Këshillit të Ministrave të BE-së.

Ai vlerësoi se anëtarësimi i Kosovës në BE është objektiv nacional i Kosovës dhe përbën konsensusin politik të të gjithë spektrit politik në Kosovë.

Në këtë takim, kryetari i Kuvendit konfirmoi qëndrimin institucional të Kosovës për të zgjidhur me dialog çështjet e hapura me të gjithë fqinjët e saj, në mënyrë të veçantë me Serbinë, ndërsa shfaqi bindjen se dialogu midis dy shteteve do të përmbyllet me njohjen reciproke të tyre.

Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Mogherini, nga ana e saj, theksoi përkushtimin e Bashkimit Evropian për të mbështetur Kosovën në rrugën evropiane, forcimin e kapaciteteve të brendshme dhe për të lehtësuar dialogun me fqinjët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat