Heqja e vizave Kosovës nuk ndodhet në rend të ditës të BE-së në dhjetor

Aktuale

Heqja e vizave Kosovës nuk ndodhet në rend të ditës të BE-së në dhjetor

Më: 20 nëntor 2018 Në ora: 21:10
Ilustrim

Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian nuk e kanë vendosur liberalizimin e vizave për Kosovën në rendin e ditës të takimit të muajit të ardhshëm të ministrave të tyre, thanë burimet diplomatike të BE-së në Bruksel.

Një burim diplomatik i një vendi anëtar të bllokut evropian në Bruksel tha për dtt-net.com se në projekt-rendin e ditës të takimit të 6 dhe 7 dhjetorit të ministrave të drejtësisë dhe të brendshëm çështja e heqjes së vizave për Kosovën nuk figuron. 

“Diskutimet ende po mbahen në nivel teknik. Projekt-rendi aktual i ditës nuk e përfshinë liberalizimin e vizave”, ka thënë për dtt-net.com diplomati i cili kërkoi që të mos identifikohet për publikun.  

Në korrik të këtij viti Komisioni Evropian (KE) iu pat propozuar vendeve anëtare të BE-së që Kosovës t’i hiqet regjimi i vizave, meqë vendi i ka përmbushur të gjitha kushtet e kërkuara.  

Në shtator këtë propozim të KE-së e përkrahu edhe Parlamenti Evropian (PE), por shumica e qeverive anëtare të bllokut evropian tash po frikohen se heqja e vizave për Kosovën dhe jehona mediatike që ky vendim do të kishte tek opinioni i tyre publik do të ishte i keq dhe do të ndikonte negativisht për partitë e tyre politike në prag të zgjedhjeve të PE-së, të cilat mbahen në maj.  

Kosova është vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor, të cilit BE-ja nuk ia ka hequr vizat për udhëtim 3 muajsh në zonën Schengen.  

Vizat iu janë hequr Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë në vitin 2009 ndërsa Shqipërisë dhe Bosnjës një vit më vonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat