Lekaj tregon si u rrëmbyen shtetasit turq, thotë se kompania kishte të drejtë për leje fluturimi - Bota Sot
Lekaj tregon si u rrëmbyen shtetasit turq, thotë se kompania kishte të drejtë për leje fluturimi

Aktuale

Lekaj tregon si u rrëmbyen shtetasit turq, thotë se kompania kishte të drejtë për leje fluturimi

Më: 21 nëntor 2018 Në ora: 11:38
Pal Lekaj

(E plotësuar) -  Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj ka thënë se ministria që ai drejton nuk ka asnjë përgjegjësi rreth verifikimit të qëllimit të fluturimeve që kërkojnë leje, dhe se kompania që ka kryer deportimin e gjashtë shtetasve turq ka vërtetuar ligjërisht se ka të drejtën e lejes për fluturim.

Para Komisionit Hetimor Parlamentar për ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve, Lekaj sot ka thënë se nuk ka dëshmi për shkelje në këtë rast nga ana e ministrisë që ai drejton, ndërsa shtoi se në aspektin për siguri ai nuk mban përgjegjësi dhe se dikasteri që ai drejton ka vepruar sipas kompetencave.

Lekaj: MI nuk është përgjegjëse për verifikimin e qëllimit të fluturimit

“Qëllimi i këtij operimi ajror ka qenë biznesor me një pasagjer të deklaruar në ardhje dhe shkuarje. Në Ministrinë e Infrastrukturës është kërkuar leja për fluturim fillimisht me datën 30.03.2018, arritja në Prishtinë në ora 07:45 minuta dhe kthimi në 10:45, që është dy orë. Me datën 28.03.2018 është ndryshuar kërkesa ashtu që është kërkuar leja për aterrim me datën 29.03.2018 në ora 07:15 dhe me kthim në ora 11:30. Në bazë të dhënave nga qendra e aeroportit shihet se ky aeroplan ka arritur saktë në ora 09:03, e planifikuar në ora 09:45 dhe ka shkuar në ora 10:53, e planifikuar në ora 12:00 sipas kohës sonë. Ministria e infrastrukturës nuk është përgjegjëse për verifikim të qëllimit të fluturimit për të cilin është kërkuar leja. Shkeljet dhe masat disiplinore, nëse vërtetohet se kompania ajrore ka keqpërdorur lejen në fluturim për qëllime të tjera nga ato të cilat është kërkuar, atëherë Ministria e Infrastrukturës mund të marrë masa ndëshkimore, pezullim dhe revokim i licencës së lëshuar për një kohë të pacaktuar ose të pacaktuar dhe gjobë administrative deri në një milionë euro. Ndërsa sanksionet për vepra penale janë paraparë me ligj”, tha Lekaj.

Ai tha se Ministria e Brendshme duhet të verifikojë nëse ka pasur shkelje, përderisa bëri të ditur se nga kjo ministri ende nuk ka marrë përgjigje lidhur me rastin.

Deputeti i Vetëvendosjes Sami Kurteshi ka pyetur Lekajn se kush e menaxhon hapësirën e aeroportit prej nga dyshohet se u nxorën gylenistët, ndërsa ministri i Infrastrukturës tha se këtë menaxhim e bën Policia Kufitare e Kosovës.

Deputeti i LDK-së Driton Selmanaj ka ngritur dyshime se nëse vazhdon ky mos  koordinim i ministrive, atëherë fluturime të tilla me keqpërdorime mund të ndodhin edhe në të ardhmen.

Selmanaj: Qeveria ka probleme madhore me komunikim reciprok mes dikastereve

“Nëse ju ia leni fajin Ministrisë së Punëve të Brendshme, më 25 prill keni kërkuar prej tyre, dhe s’keni marrë asnjë masë, dhe po e prisni akoma MPB-në atëherë jemi duke folur për probleme shumë më të mëdha, qeveri ka probleme madhore me komunikim reciprok me vet dikasteret e qeverisë. A ka kërkuar kryeministri prej juve ose ju prej kryeministrit që Ministrit të punëve të brendshme me i thanë se kemi abuzuar deri në atë masë saqë që të gjykojnë edhe shtetet e tjera se jo vetëm ne këtu brenda, a është normale kjo, edhe pas 7 muajsh po flasim, atëherë këtu diçka këtu s’po funksionon”, tha Selmanaj.

Por, deputeti i PDK-së Hajdar Beqa ka kundërshtuar Selmanajn duke i thënë atij që t’i lë anash inatet politike.

Beqa: Nuk jemi këtu për ta vlerësuar punën e Qeverisë

“Komisioni për zbardhjen e rastit të gylenistëve, të paktën mandatin që e kemi nga Parlamenti nuk është për me vlerësuar punën e  Qeverisë, as performancën e Qeverisë, as për me bë kalkulime politike, ne kemi mandat me zbardh çështjen e deportimit të gjashtë shtetasve turq edhe me shikuar a janë shkelë procedurat edhe kush i ka shkelë procedurat kur nuk ka funksionuar hallka shtetërore. Kisha kërkuar edhe nga ju, edhe nga Dritoni, por edhe nga të gjithë që t’i lëmë kalkulimet politike në këtë rast, mos t’i përziejmë politikën me hetimet se janë dy çështje të ndryshme”, tha ai.    

Ministri Lekaj ka treguar si do të veprojnë në rast se vërtetohet keqpërdorimi i kompanisë së fluturimit.

Lekaj: Nëse vërtetohet keqpërdorimi, ndalohet fluturimi dhe gjobë deri një milion euro

“Nëse vërtetohet prapë po e them që është keqpërdorë, janë përgjegjësitë e Ministrisë së Infrastrukturës për të marrë procedurat administrative për t’ia ndaluar fluturimin dhe gjobën deri një milion euro, këto janë ato që ne i bëjmë për gjërat tjera janë organet tjera që nuk dua të komentoj”, tha Lekaj.

Kryetari i këtij komisioni Xhelal Sveçla ka përmendur kontaktin që Ministria e Infrastrukturës duhej ta kishte me kompaninë që organizoi fluturimin e gylenistëve drejt Turqisë.

Sveçla: Pasi MPB nuk u është përgjigjur, a keni kontaktuar agjencinë që organizoi fluturimin?

“Meqenëse Ministria e Punëve të Brendshme nuk i është përgjigjur letrës suaj, apo nuk ju ka dhënë dëshmi të cilat i keni kërkuar, atëherë a keni kontaktuar me agjencinë e cila ka organizuar këtë fluturim, në bazë të një dyshimi të bazuar? A keni kontaktuar me agjencinë me pyet që në bazë të këtij dyshimi çfarë ka ndodhur, dhe pse s’keni kontaktuar, nëse jo”, ishte pyetja e Sveçlës për Lekajn.

Mirëpo, edhe në këtë pikë Lekaj thotë se janë ndjekur procedurat.

Lekaj: Kompania ka dëshmuar se ligjërisht ka pasur të drejtë për leje

“Masat edhe komunikimi që e kam pas menjëherë pas thash informatën qe e kom marrë nga mediat, dhe kam thirrur gjithë ato që i përmendët, komplet kam komunikuar dhe duke u bazuar në kërkesën prej fillimit të procedurës së kërkesës prej avio-kompanisë dhe deri në momentin e marrjes së lejes, ai e ka dëshmuar ligjërisht që ka pasur të drejta me iu lëshuar leja, për keqpërdorime për këto thashë janë të ndara përgjegjësitë”, tha Lekaj.

Deputeti Muharrem Nitaj nga radhët e AAK-së i doli  në mbrojtje ministrit Lekajt, duke treguar arsyet pse Ministria e Infrastrukturës nuk ka përgjegjësi në rastin e deportimit të gylenistëve.

Nitaj: Ju nuk keni asnjë përgjegjësi të vetme në këtë procedurë

“Kjo i bie sikur një taksi ordinere të bartë disa vrasës dhe pastaj ne të kërkojmë përgjegjësi prej shërbimit të taksisë që i ka bartë udhëtarët. Kam përshtypjen zoti ministër, se ju do të duhej ta përmbyllni dëshminë tuaj, se ju nuk keni asnjë përgjegjësi të vetme në gjithë këtë procedurë. Ne duhet të kërkojmë nga shërbimi inteligjent i Kosovës, nga Policia e Kosovës, se kush i ka urdhëruar ata njerëz që të shkelin procedurat dhe t’i deportojnë gjashtë shtetas turq pa u zbatuar ligjet që janë në fuqi të Republikës të Kosovës”, tha Nitaj.

Më 29 mars të këtij viti, gjashtë shtetas turq u deportuan nga Kosova dhe u dorëzuan në Turqi. Për dorëzimin e gylenistëve institucionet kosovare morën vërejtje jo vetëm nga opozita, por edhe nga ndërkombëtarët.

***

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj është duke raportuar para Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq po mban mbledhjen e radhës. Lekaj ka thënë se MI ka vepruar ashtu sikurse ka kërkuar ligji, dhe se ministria që ai drejton nuk është përgjegjëse për siguri, por vetëm për leje.

Lekaj ka thënë se Kompania turke ka keqpërdorur lejen sepse ata kanë kërkuar fluturim privat, dhe sipas tij asnjë zyrtar as nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës dhe as nga institucionet kosovare e ndërkombëtare turke nuk janë kontaktuar asnjëherë.

Thotë se ata nuk kanë pasur asnjë informacion se kush ndodhet në airoplan dhe se kanë vepruar sipas ligjit. Derisa ka thënë se Ministria e Infrastrukturës nuk është përgjegjëse për siguri, por vetëm për leje.

Ai ka deklaruar se leje fillimisht ishte kërkuar për datën 28 mars, por se ajo është ndryshuar pastaj për datën 29 mars të këtij viti.

“Me të marë informatat nga mediat menjëherë jam interesuar se cfarë ka qenë roli i Ministrise sime në lidhje me ketë rast. Sipas kërkesës së parashtuar qëllimi i fluturimit ka qenë biznisor. Në Ministrinë e Infrastrukturës është kerkuar leja për fluturim. MI ka dhënë lejen e fluturimit po atë ditë”, ka thënë Lekaj para Komisionit Parlamentar.

I pyetur nga deputeti i LDK'së, Driton Selamanaj se a është normale që të ndryshohet data e fluturimit, Lekaj ka thënë se kjo ndodhë edhe në raste të tjera.

Nis intervistimi i Pal Lekajt për dëbimin e gjashtë shtetasve turq

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj ka nisur tashmë raportimin e tij para Komisionit Hetimor Parlamentar për dëbimin e gjashtë shtetasve turq më datë 29 mars 2018.

Në këtë komision do të intervistohen pos Lekajt edhe ish-UD Drejtorit të Departamentit të Aviacionit Civil, Ismail Berisha, Drejtori i Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror Bahri Nuredini dhe Inspektorin e Përgjithshëm të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Shkelzen Sopjani.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test
Tjera