“Serbia na i ka djegur shtëpitë, ne mallin për rindërtim e kemi blerë prej tyre”

Aktuale

“Serbia na i ka djegur shtëpitë, ne mallin për rindërtim e kemi blerë prej tyre”

Më: 21 nëntor 2018 Në ora: 23:25
Foto

Tema e rritjes së taksës prej 100 përqind ndaj produkteve të Serbisë, u diskutua sonte.

Të ftuarit debatuan mes veti në lidhje me anën pozitive dhe negative të kësaj nisme të ndërmarrë sot nga Qeveria e Kosovës.

Analisti Valon Syla deklaroi se së pari duhet të ndëshkohen importuesit kosovarë të Serbisë.

“Jemi duke shkuar në një proces politik qe po e merr rolin kryesor. Mas pari importuesve tanë duhet t’i thuhet “dilni jashtë, se jeni importues më të mëdhenj të Serbisë. Gazmend Abrashit t’i thuhet dil nga qeveria. Taksa 100 përqind nuk e rrit prodhimin vendor”.

Profesori i ekonomisë, Muhamet Mustafa, e ka arsyetuar këtë vendim, duke aluduar se edhe ne duhet të ndërmarrim masa ndaj shtetit fqinj.

“Në qoftë se Kosova vrapon pas një agjende të Serbisë “ngrehe mos e kput”, edhe Kosova duhet me tregu një mase të caktuar”.

“Situata ka ardhur duke eskaluar me sjelljet e Serbisë, ndoshta edhe me menaxhimin tonë joadekuat dhe me politikën tonë. Në opinion mendojnë se më shumë Kosova nuk po i zbaton marrëveshjet se Serbia, e ndërkaq është e kundërta. Tash duhet me qenë unikë, pa marrë parasysh a është dashur që ky veprim të menaxhohet ndryshe, por tani duhet ta menaxhojmë”, deklaroi Mustafa.

Ndërsa kolegu i tij, Berim Ramosaj, kërkoi nga qeveria që vendime të tilla t’i merr duke i menduar më gjatë dhe jo të frikësohen nga humbja e pushtetit.

“Kosova ka nevoje për një qeveri serioze që merr vendime dhe veprime, pa marrë parasysh nga propaganda serbe, qe nënkupton vendime racionale, ndërton programin e masave nëse ka nevojë me Serbinë, të bëjë substetuimin e produkteve të Serbisë me produkte te vendeve tjera nëse s’i ka vendore. Esenca e diskutimeve tona qëndron në atë se patriotizmi në Kosovë sot nuk është në ndërtimin e antagonizamave po në ndërtimin e shtetit që merr vendime aty për aty, që nuk i falet. Vendime duhet me u marrë duke u mbështetur në një program.

Kur e ndërton një program për një masë, edhe e aprovon. Vendimet janë të sfiduara gjithmonë nga emocionaliteti dhe racionaliteti, juve ju ka rrok emocionaliteti nga frika e humbjes së pushtetit”.

“Serbia ka bërë shumë propagandë me 10 përqindëshin dhe ne i kemi dhënë shansin. Na duhet të sillemi si evropianë të rinj deri sa të eksportojmë kuadro jashtë, kuadrot tona po i kërkojnë Londra, Parisi, Amerika, etj, deklaroi ai.

Nga ana tjetër, këshilltari ekonomik i kryeministrit Ramush Haradinaj, Erolld Belegu, e ka arsyetuar vendimin e sotëm të qeverisë ku ai vepron:

“Ky ka qenë vendim unanim i qeverisë. Pse kjo nuk qenka masë mobilizimi? Asnjëherë si sot nuk ka pasur më shumë mobilizim. Nëse ne duam ta zgjidhim problemin me Serbinë, të gjithëve na duhet të sakrifikojmë. Nuk do te thotë që s’do të kemi presione dhe telefonata. Kosova është projekti i papërfunduar, e ne ia kemi nis me bashkësinë ndërkombëtare”.

Sa i përket produkteve serbe që u penalizuan sot, Sekretar Gjeneral i Klubit të Prodhuesve te Kosovës, Vllaznim Osmani, tha se nuk përbën ndonjë problem tq madh, meqë sipas tij ka alternativa të tjera.

“Ka një pjese e lëndës së parë të produkteve që importohet prej Serbisë. Për neve e vetmja mundësi që të zhvillohemi është që të kthehemi pak nga kah prodhimi”.

“Sigurisht se ka implikim. Shumica e prodhuesve vetëm se kanë filluar të gjejnë alternativa, sepse alternativa ka. Një pjesë e mbulojmë me produkte vendore, ndërsa për pjesën tjetër ka vende tjera dhe alternativa tjera”.

“Izraeli ende i bojkoton produktet e Gjermanisë, ndërkaq Serbia na i ka djegur shtëpitë tona dhe ne me paratë tona i kemi ndërtuar ato, por me material të importuar nga Serbia, ndërsa ata ende vazhdojnë ta dëmtojnë Kosovën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat