Shpend Ahmeti në koalicion të fshehtë me PDK-në

Aktuale

Shpend Ahmeti në koalicion të fshehtë me PDK-në

Më: 22 nëntor 2018 Në ora: 12:28
Grupi i këshilltarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Kuvendin Komunal të Prishtinës

Grupi i këshilltarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Kuvendin Komunal të Prishtinës akuzuan kryetarin aktual të Prishtinës, Shpend Ahmeti për koalicion të fshehtë me PDK, derisa thanë se emërtimet e drejtorëve të shkarkuar janë pjesë e pazareve PSD-PDK.

Këto deklarime ata i thanë gjatë një konference për media përmes së cilës kritikuan qeverisjen Ahmeti, dhe e konsideruan si qeverisja më e dështuar që ka pas ndonjëherë komuna e Prishtinës.

Halim Halimi, asamblist në Kuvendin Komunal të Prishtinës, u shpreh se përkundër kundërshtimeve të tyre drejt parregullsive, ata nuk po arrijnë të bëjë asgjë, pasi që Ahmeti me koalicionin aktual i ka votat.

Halimi: Shpend Ahmeti ka bërë koalicion të fshehtë me PDK-në

“E kemi ngritur dhe vazhdimisht e ngrehim zërin por e thamë që në fillim se ai ka bërë një koalicion me 6 parti minore, dhe na mbi voton i ka bë votat, kur tash edhe kohëve të fundit e ka edhe Partinë Demokratike në mbështetje, domethënë e mbështet Shpend Ahmetin, kanë arritur një koalicion jo formal, por një koalicion të fshehtë, kështu që votat i ka. Ma merr mendja që pritet ajo se për ata qe gati dy apo tri javë i ka shkarkuar drejtorët dhe nuk ka emëruar drejtorë në këto drejtori, unë besoj që aty janë në pazare me Partinë Demokratike për zgjedhjen e tre drejtorëve”, u shpreh ai.

Halimi ka përjashtuar çdo mundësi që Lidhja Demokratike e Kosovës të ketë  jetë në koalicion me Partia Socialdemokrate në komunën e Prishtinës.

Sipas tij, premtimet e Shpend Ahmetit janë vetëm mashtrime për qytetarët, pasi sipas Halimit ato nuk do arrijnë të realizohen.

Ai e ka akuzuar kryetarin aktual të kryeqytetit se nuk po i emëron drejtorët e shkollave në Prishtinë, për shkak se dëshiron që në ato pozita t’i vendosë militantët partiakë.

Halimi: Drejtoria e arsimit është zhveshur nga kompetencat e saj

“I zgjedhin militantët partiakë të tyre dhe tash me rastin e zgjedhjes së drejtorëve ka lënë ushtrues detyre, për shkak se nuk kanë gjetur militantë të vetë partiak se mendarjen prej Vetëvendosjes këta edhe nuk po kanë kuadro me i vendos për drejtor të shkollave. Këtu duhet të përmendim edhe rolin e zhveshur të drejtorisë komunale të arsimit, domethënë është zhveshur nga të gjitha kompetencat as që i pyet kush me rastin e pranimit të kuadrit mësimor, ose zgjedhjen e drejtorëve. Unë këtu pak ndoshta e kisha fajësuar edhe ministrinë e Arsimit e cila duhet ta monitoroj”, ka thënë Halimi.

Ai kritikoi Ahmetin edhe për mospjesëmarrje në seancat e Kuvendit Komunal.

Halimi: Kryetari nuk e sheh të arsyeshme të na raportojë

“Kryetari nuk e sheh të arsyeshme të marr pjesë në seanca e vazhdon atë avazin e vjetër, vazhdon të mos raportoj, por në Kuvend dërgon emisar të tjerë të cilët nuk janë kompetent të raportojnë sidomos për buxhetin, e kohëve të fundit edhe nuk koordinohet me bashkëpunëtorët e vet, dhe vartësit e tij me drejtorët e drejtorive të partive tjera dhe nuk koordinohet edhe me kryetarët e komunës”, ka thënë ai.

Halimi u shpreh se qeverisja e Ahmetit po e vazhdon avazin e mandatit të kaluar duke e injoruar opozitën. Sipas tij numri i ndërtimeve pa leje është rritur, dhe kryesisht këto ndërtime po bëhen në zona të gjelbëruara.

Në këtë konferencë të LDK-së u tha se  koalicioni ekzistues në Prishtinë ka  miratuar një plan shumë të  keq buxhetor për vitin 2019 dhe një kornizë shumë e keqe buxhetore 2019-2021  e cila nuk i përmbush kërkesat e kryeqytetasve. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat