Nuk kalon rezoluta për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës

Aktuale

Nuk kalon rezoluta për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës

Më: 22 nëntor 2018 Në ora: 17:14
Kuvendi i Kosoves

(E plotësuar) - Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk kanë votuar rezolutën e propozuar nga LDK dhe VV për shkarkimin e Qeverisë së Kosovës.

Nga 61 deputetë sa ishin të pranishëm, për kanë votuar 36 deputet, ndërsa, një deputet ka abstenuar.

Deputeti i VV-së, Liburn Aliu tha se në momentin që ndodhi dështimi në Interpol, është vënë taksa ndaj mallrave të Serbisë si kundërpërgjigje.

Aliu: E keni përkrahjen tonë

“Kur taksa vendoset sepse Serbia na pengoi neve në Interpol, i bie që një sinjal më të vogël me dhënë Serbia, ne paskemi me heq atë taks sepse është pa plan dhe brenda natës kështu. Kjo taks do të duhej të vendoset shumë më herët, do të duhej të vendoset reciprociteti me Serbinë shumë më herët dhe jo kështu brenda natës, pa llogaritur pasojat. Tash nga Qeveria ne kërkojmë që të jetë e vendosur, e ka mbështetjen tonë“, tha ai.

Kurse, deputeti i LDK-së, Korab Sejdiu përshëndeti vendimin e Qeverisë, por nuk e di a është menduar për jepen e lehtësirave për produktet zëvendësuese që do t’i nevojitet Kosovës.

Sejdiu: A është menduar për jepen e lehtësirave për produktet zëvendësuese që do t’i nevojitet Kosovë

“Është mirë që kryeministri ka marrë një vendim për taksen 100% në produktet serbe, mirëpo fatkeqësisht nuk e di a është menduar për jepen e lehtësirave për produktet zëvendësuese që do t’i nevojitet Kosovës me qëllim që konsumatori dhe qytetari jonë mos të baj barrën e këtyre shpenzimeve shtesë“, tha ai.

Kurse, deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj shpjegoi se nga muaji maj iu është dërguar Brukselit se refuzohet dialogu teknik deri në zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara me Serbinë.

Haradinaj: Pres prej Qeverisë që t’i kthehet në reciprocitet

“Taksa 100 % pres prej Qeverisë që t’i kthehet në reciprocitet në targa, në dokumente në diploma në të gjitha. Klubin e Hembollit, vajzat e Kosovë nuk i kanë lejuar të shkojnë me luajtur, kadastrat e Kosovës nuk i kanë lejuar të shkojnë dhe të marrin pjesë, delegacione e deputetë janë kthyer në kufi, në të njëjtën masë duhet t’ia kthejmë“, ka thënë ai.

Ai shtoi se Kosova ma marrë fusnotë vetëm që Serbia të mos pengojë Kosovën në organizata ndërkombëtare.

***

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk kanë votuar rezolutën e propozuar nga LDK dhe VV për shkarkimin e Qeverisë së Kosovës.

Nga 61 deputetë sa ishin të pranishëm, për kanë votuar 36 deputet, ndërsa, një deputet ka abstenuar.

***

Deputetët kanë kritikuar ministrin e Punëve të Jashtme, Behgjet Pacollin, duke e quajtur si frikacak. Ndërsa, kanë shtuar se ai nuk duhet të kryqëzohet veç që është ministër.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, në vazhdimin e seancës për politikën e jashtme, tha se ministri i jashtëm, Behxhet Pacolli nuk është këtu sepse ai është një tuc.

Sipas tij, dështimi në Interpol është tregues se kjo qeveri është e dështuar dhe të cilët po e dështojnë Kosovën.

Rexhaj: Ministri frikacak

“Kosova bën edhe pa këtë qeveri, edhe pa këtë president të dështuar e shantazhuar. Që të mos dështoj Kosova më mirë le të dështoj presidenti, kryeministri, ky ministër tuc e kjo qeveri “, tha ai.

Ai shtoi se me një kryeministër si Haradinaj, presidentin si THaci dhe ministrin si Pacolli, është arritur të kemi vetëm një njohje.

Kurse, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shkumbin Demaliaj, është e vërtet që është dështuar në Asamblenë e Interpolit, por edhe qeveritë e më hershme kanaë dështuar.

Demaliaj: Nuk duhet ta kryqëzojmë Pacollin

“Për atë që po vjen si rezolutë, nuk duhet ta kryqëzojmë zotin Pacolli veç që është ministër i punëve të jashtme, e dimë sa ka nda Kosova për politikën e jashtme, sepse s’kemi më shumë, janë 30 milionë“, tha ai.

Fatmire Kollçaku nga VV, ka kritikuar Pacollin për mungesën e tij në seancë dhe komisione.

***

Kuvendi i Kosovës po vazhdon seancën e jashtëzakonshme, në të cilën po zhvillohet debat parlamentar sipas kërkesës së 42 deputetëve, lidhur me “dështimet dhe skandalet në politikën e jashtme të Republikës së Kosovës”.

LDK propozon rezolutë për shkarkimin e Qeverisë, Kurti: Sa më shumë lobojnë Thaçi e Pacolli, aq më keq bëhet

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës është ndërprerë për të shkuar në pauzë deri në orën 15:00.

Kështu ka paralajmëruar kryesuesi i Kuvendit, Kujtim Shala, i cili çoi në pauzë deputetët pas një debati disa orësh.

Në këtë seancë të jashtëzakonshme, të thirrur për politikë të jashtme, u diskutua për gjëra të ndryshme, ku ndër të tjerash LDK dhe VV kërkuan edhe njëherë rrëzimin e Qeverisë.

Në anën tjetër, nga AAK u kërkua edhe që të debatohet për taksën e vendosur nga Qeveria kundër Serbisë, megjithatë një gjë e tillë nuk u diskutua ende.

Topalli kritikon opozitën: Më vjen turp që jam deputet

Deputeti i Partisë Socialdemokrate, Faton Topalli ka deklaruar se qasja e përgjithshme në raport me bisedimet me Serbinë është qasje qyqare nga njerëzit që i mungon edhe aftësia minimale, por edhe opozita nuk dëshiron të ulet dhe të caktojë vijat e kuqe për dialogun.

Por në gjithë procesin, sipas Topallit, fajin e ka edhe opozita.

Topalli: Opozita nuk donë të bëhet bashkë

“Qasja e përgjithshme në raport me bisedimet me Serbinë është qasje qyqare, përfaqësuesve të një shoqërie të mbetur mbrapa që i mungon edhe aftësia minimale, për t’u ulur bashkë, për të diskutuar bashkë dhe për të përcaktuar bashkë çfarë dëshirojmë ne. Opozita, çfarë bëri opozita kundër Thaçit, po e dimë që Qeveria nuk po bën, mirë po ne si opozitë që po mendojmë ndryshe, pse ne nuk jemi bashkë, pse ne nuk u ulem dhe t’i përcaktojmë vijat, këto janë vijat e kuqe, jo nuk doni.....nuk ka asgjë konstruktive as te pozita, as e opozita sa i përket çështjeve që kanë të bëjnë me ndërtimin dhe zhvillimin e vendit, thjesht nga një herë po më vjen turp që jam deputet i Kuvendit të Kosovës”, tha ai.

Sipas tij, opozita po mashtron sepse në Thaçi edhe nëse nënshkruan ndonjë marrëveshje, ajo do të votohet në Kuvend.

Kurse, deputeti Milaim Zeka ka akuzuar Kuvendin dhe Qeverinë për shpenzimet enorme që bëjnë.Ai foli edhe për rezolutën.

Zeka: Kurrë nuk i zbresim kalit

“Mosni bre se çka të keni dëshirë të shkruani nëpër rezoluta, fontanë dëshirash po shkruani tekste, ne kërkojmë të tërhiqet qeveria, po ku keni dëgjuar ju që një shqiptar ka post dhe tërhiqet me vetë dëshirë, nuk ka, si ta kesh emrin shqiptar dhe hypë në karrige të pushtetit, për pa të rrëzuar kali po i hype kalit te ne kurrë nuk i zbret“, ka thënë Zeka.

Ndërkohë, deputeti i VV-së, Rexhep Selimi ka kërkuar nga kryeministri Haradinaj që ta shkarkojë ministrin e punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli.

Tahiri: Votimi i të premtes - jetik për reformat në drejtësi

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri konsideron se miratimi i projektligjeve që janë në rend të ditës në seancën e të premtes në Kuvendin e Kosovës, është hap i rëndësishëm për fuqizimin e sundimit të ligjit, që do të reflektohet në konsolidimin e sistemit dhe përmbylljen e kapitullit për liberalizimin e vizave.

“Miratimi përfundimtar i projektligjeve si Projekt Kodi Penal, Projektligji për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, Projektligji për Konfiskimin e Pasurisë së përfituar me vepër penale si dhe projektligji për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, shënon një shkëputje të rëndësishme në avancimin dhe fuqizimin e shtetit ligjor, duke krijuar një rrethanë të re dhe të domosdoshme që do të prodhojë efekte të menjëhershme në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe do të adresojë përgjegjësinë e organeve të pavarura të zbatimit të ligjit konform normave më të larta të cilësisë, llogaridhënies dhe integritetit” thekson ministri Tahiri.

Ministri Tahiri fton deputetët që në seancën e radhës të miratojnë edhe Pakon e Ligjeve të Gjyqësorit dhe atyre që ndërlidhen me avancimin e qasjes në drejtësi, siç është ai për Trashëgiminë dhe Noterinë.

“Konsideroj se me miratimin e këtyre projektligjeve dhe hyrjen e tyre në fuqi, Republika e Kosovës dëshmohet si lider në rajon në gatishmërinë e plotë për të luftuar krimin e organizuar, korrupsionin dhe abuzimin me pushtetin dhe përgjegjësitë publike”, ka thënë ai.

Në seancën e Kuvendit që do të mbahet të premten, në rend dite për miratim përfundimtar janë 9 projektligje, të cilat janë produkt i agjendës legjislative të Ministrisë së Drejtësisë. 

AAK: Të ndërpritet dialogu dhe të ndodh reciprociteti

Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërisë së Kosovës, Ahmet Isufi ka thënë se meqë Serbia po vazhdon me veprime anti Kosovë, vendi ynë duhet ta të ndërpres dialogu, duhet të kërkohet të gjitha dëmshpërblimet nga Serbia dhe të vije në shprehje reciprociteti.

Ai në seancën për politikë të jashtme, ka thënë se duhet të ndodhë reciprociteti me Serbinë, pasi nuk po zbaton marrëveshjet e arrira në Bruksel për të mos penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.

Isufi: Të ndërpritet dialogu dhe të ndodhë reciprociteti

“Meqë kemi të bëjmë me një shtet i cili edhe më tutje ka në politikën e saj shovinizëm dhe veprime anti Kosovë, atëherë duhet të ndërpritet dialogu, duhet të kërkohen të gjitha dëmshpërblimet nga Serbia për dëmet që iu janë bërë Kosovës dhe qytetarëve dhe po ashtu të vije në shprehje reciprociteti në mënyrë që Kosova të tregoj vitalitetin e vet, zhvillimin e vet si shtet”, tha ai.

Haradinaj: Masat ndaj produkteve serbe nuk duhet t’i heqim

Kryeministri i Kosovës, Ramush Hartadinaj ka deklaruar se masat që janë vendos me produktet që vinë nga Serbia nuk duhet t’i hiqen derisa Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.

Haradinaj në seancën për politikën e jashtme, ka pranuar se politika e jashtme i ka të metat e veta dhe ka vend për kritikë.

Sipas kryeministrit, në këto 10 vitet e fundit, kanë mësuar se vetëm përshtatja në rrethana të caktuara nuk mjafton pasi nuk ndërron asgjë.

Haradinaj: Masat nuk duhet t’i heqim

“Në kapacitetin veprues si Kosovës do t’i shfrytëzojmë ato drejta që i kemi  që ta respektojmë vetën dhe nëse ka gatishmëri për të na respektuar shteti fqinjë jemi për, por unë mendoj që masat që janë vendos me produktet që vinë nga Serbia, duhet të jenë të përhershme deri në njohje, derisa Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran nuk duhet t’i heqim, do të kemi këshilla të mira, do të kemi lutje, përkrahje , do të na jepet edhe ndonjë çmim si kundërvlerë për këto masa por nuk është mirë Kosova më t’i heq derisa nuk njihet pavarësia e Kosovës, pse e them këtë, jo që e kemi zbuluar ne Amerikën por iu siguroj që pa një qasje të këtillë është e pamundshme të arrihet një marrëveshje ndërkombëtare, ligjërisht  obligative e njohjes të ndërsjellët, nëse nuk e kemi këtë qëndrueshmëri, nëse nuk dimë të qëndrojmë, atëherë ne vet po heqim dorë nga vetvetja e pse të na pran oj tjetri, harrone këtë“, ka thënë Haradinaj.

Ai pati edhe një lutje të sipërmarrësit e Kosovës.

Haradinaj: Zori na ka pru këtu ku jemi

“Te taksa i lus sipërmarrësit tonë të na kuptojnë nuk e kemi bërë këtë si kundërmasë ndaj sipërmarrësit tonë, ose ndaj atyre që ushqejnë mijëra familje se kanë njerëz në punë, nuk e kemi bërë për hatër të produkteve vendore, se nuk është ashtu, e kemi bërë prej zorit, zori na ka pru këtu ku jemi por pa u hequr ky zor nuk është mirë askush me keqpërdorë këtë situatë, qoftë me i rrit çmimet, qoftë me kujti që bëjnë presion mbi qeverisë me çmime, mos ta mendojnë kështu, mos të marrin ndonjë këshillë nga vendi fqinjë, rriteni çmimet se qeveri lëshon pe, mosni ashtu se nuk është rruga e duhur, i shkaktoni telashe  vetit dhe neve por nuk dilet  nga kjo gjendje ashtu, i lus afaristët e di pse po iu them, nuk është rrugë ajo, të rrimë bashkë sepse kemi me dal bashkë“, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj po ashtu tha se në planin e brendshëm ka paraparë përmbylljen e infrastrukturës së sigurisë, pasi një shtet pa këtë infrastrukturë është jo i plot.

PDK i kërkon Pacollit të tregojë për tërheqjet e njohjeve

Deputetja Evgjeni Thaçi-Dragusha, në emër të e Partisë Demokratike të Kosovës, ka kërkuar nga ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli që tregojë se cila është e vërteta për tërheqjen e njohjeve nga disa shteteve.

Edhe pse Kosova arriti të bëjë protagoniste në takimet më të rëndësishme politike botërore, është e qartë që procesi i njohjeve ka pasur ngecje.

Thaçi-Dragusha: Kërkojmë nga Pacolli, cila është e vërteta

“Gjatë këtij mandati të kësaj qeverie ne kemi pranuar dy njohje për të cilat ne jemi falënderuar ndaj atyre shteteve, nga ana tjetër kemi pasur raportime mediale kundërthënëse ku është raportuar për tërheqje  të njohjeve nga ana e disa shteteve. Edhe pse ministria e punëve të jashtme ka hedhur poshtë këtë lajm disa herë, ne kërkojmë nga ministri Pacolli se cila është e vërteta lidhur me këtë çështje mjaft shqetësuese”, ka thënë ajo.

Ajo u ndal edhe te dështimi i anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL, duke thënë se në Dubai fitoi krimi dhe Serbia festonte./KosovaPress/

Kurti: Sa më shumë lobojnë Thaçi e Pacolli, aq më keq bëhet

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në seancën për politikën e jashtë, ka thënë se shqiptarët në Preshevë, Metvegjë dhe Bujanovc, nuk e kritikojnë më Serbinë te Brukseli për kapitujt 23 e 24, sepse janë duke pritur që presidenti i Kosovës, një mëngjes të bukur do t’i bëjë pjesë të Republikës së Kosovë.

Kurti ka thënë para deputetëve se politika e jashtme është politik e brendshme, pasi ajo bëhet për ndonjë votë.

Kurti: Thaçi e Pacolli sa më shumë që lobojnë, aq më keq bëhet

“Përfaqësuesit e jashtëm të Kosovës nuk kanë autoritet e kredibilitet jashtë vendit. Këdo që e takon Thaçi e Pacolli është kundërproduktive, sa më shumë që lobojnë këta, aq më keq bëhet....Premtimet për Kosovën jashtë e kanë edhe një synim brenda, amortizimin e pakënaqësisë brenda, për shembull shqiptarët në Preshevë, Metvegjë dhe Bujanovc, nuk e kritikojnë më e nuk e kundërshtojnë aq  Serbinë te Brukseli për kapitujt 23 e 24, sepse janë duke pritur që presidenti i Kosovës, një mëngjes të bukur do t’i bëjë pjesë të Republikës së Kosovës“, ka thënë ai.

Kurti ka thënë se Kosova nuk është duke funksionuar sepse presidenti e ka hedhur në gjyq edhe kryeministrin, edhe Kuvendin por edhe Kuvendi e ka në dy gjyqe presidentin. Sipas tij, në këtë mënyrë drejtuesit e shtetit edhe janë prokurorë edhe gjyqtarë.

Nis seanca, LDK propozon rezolutë për shkarkimin e Qeverisë

Kuvendi i Kosovës ka nisur debati parlamentar sipas kërkesës së 42 deputetëve lidhur me dështimet dhe skandalet në politikën e jashtme të Republikës së Kosovës, ku u propozua një rezolutë me të cilën kërkohet shkarkimi i Qeverisë.

Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani tha se qeveria dhe presidenti i Kosovës i rrezikshëm kanë arritur brenda një viti ta shkatërrojnë orientimin tonë gjeostrategjik që kemi mbajtur për 30 vite.

“Nga presidenti i vendit kur kërkohet të mos nënshkruaj asgjë në raport me shtetet e tjera pa bekimin e Gjermanisë, ai mburret se përkundër bekimit të Gjermanisë e ka atë të Rusisë”, tha ajo, duke shtuar se gjatë këtij viti Kosova ka pranuar vetëm një njohje.

Ajo ka propozuar edhe një rezolutë.

Osmani: Qeveria e Kosovës të dorëhiqet

“Pika 1, me qëllim të ndërprerjes të çdo përpjekje që konteston shtetësinë, subjektivitetin ndërkombëtar dhe integritetin territorial të Kosovës, Qeveria e Kosovës të dorëhiqet për t’i hap rrugë formimit të institucioneve të reja të cilat duhet ta konsolidojnë dhe forcojnë shtetësinë e Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare në përputhje me orientimet e saj gjeopolitike për integrime euro-atlantike”, tha ajo.

Ndërkohë , Albin Kurti ka thënë se Kosova nuk është duke funksionuar sepse presidenti e ka hedhur në gjyq edhe kryeministrin, edhe Kuvendin. Edhe Kuvendi e ka në dy gjyqe presidentin.

Image

Deputetët serbë nuk shkojnë në seancë

Seanca e Kuvendit të Kosovës e cila a filluar sot ka mungesa të deputetëve.

Në sallë nuk është asnjë deputet nga Lista Serbe të cilët ditë më parë kanë paralajmëruar se do të jenë grup opozitar pas vendimit që Qeveria mori për rritjen e taksës për mallrat serbe në 10 përqind.

Ndërsa sot ata nuk kanë ardhur fare në seancë, pasi që dje Qeveria mori vendim për rritjen e kësaj takse për 100 përqind.

Ky vendim ka nxit reagime të mëdha jo vetëm në Serbi por edhe ka nxitur reagimin e Bashkimit Evropian.

Vazhdon seanca për politikën e jashtme (Drejtpërdrejt)

Ka nisur vazhdimi i seancës së jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, në të cilën do të ketë debat parlamentar sipas kërkesës së 42 deputetëve, lidhur me “dështimet dhe skandalet në politikën e jashtme të Republikës së Kosovës”.

“Debat parlamentar sipas kërkesës së 42 deputetëve lidhur me dështimet dhe skandalet në politikën e jashtme të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Kuvendit. 

Kjo seancë mbahet dy ditë pasi Kosova dështoi të anëtarësohet në organizatën e bashkëpunimit policor, INTERPOL.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat