Masa ndaj Serbisë fuqizim ekonomik, por edhe frikë për ngritje të çmimeve

Aktuale

Masa ndaj Serbisë fuqizim ekonomik, por edhe frikë për ngritje të çmimeve

Më: 23 nëntor 2018 Në ora: 10:35
Foto ilustrim

Fushata agresive diplomatike që është duke e bërë Serbia karshi Kosovës, bëri që Qeveria e Kosovës të rritë taksën 100 përqind për prodhimet e Serbisë dhe Bosnjës.

Kjo masë megjithëse u mirëprit nga të gjithë, njohësit e politikave ekonomike dhe përfaqësuesit e bizneseve, përkundër kësaj shprehën se duhet të jenë të kujdesshëm dhe në gjetjen e alternativave për tregje të reja e sidomos për produkte strategjike që lidhen me lëndën e parë. 

Ndërsa, për gjërat ushqimore theksojnë se të gjitha janë të zëvendësueshme.

Drejtor i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, në një intervistë për KosovaPress u shpreh se menjëherë pas vendit të Qeverisë,  ai ka pas një takim me shumicën e bizneseve të cilët një zëri e kanë përkrahë këtë taksë.

Mirëpo, Rukiqit thotë se për disa produkte strategjike duhet të gjetur alternativa për tregje të reja.

Sipas tij duhet parë në shtetet e rajonit, ku shtoi se vetëm kanë nisur kontaktet e para sepse nëse shfaqet mungesa e produkteve në treg, ajo do të bëjë që të lëvizë çmimi.

Rukiqi: Do të gjejmë alternativa, po tentojmë të shmangim lëvizjen me çmime

 “Ajo që është me shumë rëndësi është që jemi duke punu në alternativat e furnizimit, edhe si Odë Ekonomike kemi marr një rolë. Jam në komunikim të vazhdueshëm me kolegët e mij nga Maqedonia, pastaj Mali i Zi, do të shohim pastaj Austrinë, nesër do të jem për vizitë dhe në Turqi, nga vendet e rajonit do të kontaktojmë dhe me Greqinë të shohim cilat janë alternativat për disa produkte strategjike, por dhe për disa që kryesisht lidhen me lënden e parë… nëse shfaqet mungesa e produkteve në treg, ajo automatikisht e detyron tregun me lëvizë me çmime, këtë situatë po tentojmë me shmangë”, tha Rukiqi.

Masat e tilla për drejtorin e Odës Ekonomike nuk janë të përhershme, sipas tij këto duhet të shfrytëzohen për momente reflektimi, sepse në gjitha rastet ndërkombëtare këto janë kalimtare.

Rukiqi: Masat e tilla janë nuk janë të përhershme

“Mos të krijojmë që masat e tilla janë të përhershme, të krijohen pastaj komoditete këtu, mirëpo duhet me pa si një moment reflektimi edhe të ndërgjegjësohemi më shumë për nevojën për mos m’i konsumu këto produkte… në asnjë rast, asnjë rrethanë të politikave ndërkombëtare masat e tilla nuk janë të përhershme”, tha Rukiqi

Skënder Krasniqi nga Oda e Afarizmit të Kosovës, tha se taksa e vendosur për produktet e dy shteteve fqinje do të bëjë që Kosova të ketë më shumë prodhime vendore.

Sipas tij  të gjitha produktet që vijnë nga Serbia janë të zëvendësueshme. Mirëpo, Krasniqi thekson se ajo çka duhet të bëjë Qeveria është që të ndajë një buxhet për t’i ndihmuar prodhuesve vendor që të gjejë alternativa për të siguruar lëndën e parë në mënyrë që as kompanitë e as qytetari mos afektoj  në çmimin e tregut.

Krasniqi: Produktet serbe janë të zëvendësueshme

“Shpresojmë që ky vendim me qenë afatgjatë, besojmë shumë se me këtë vendim do të hapet rrugë që në Kosovë të ketë më shumë prodhime vendore…shumicën e produkteve veç i ka Kosova, ajo çka duhet është që edhe qytetari i Kosovës duhet të fokusohet më shumë tek prodhimi vendor. Produktet në përgjithësi janë të zëvendësueshme, sepse ato produkte janë ushqimore, një pjesë e madhe e fabrikave tona i kanë, por janë dhe ndërtimore që prapë në fabrikat tona ekzistojnë. Qeveria e Kosovës duhet të ndaj një buxhet, që t’i subvecionoj, t’i përkrahë, t’i ndihmoj në gjetjen e tregjeve të reja të lëndës së parë në mënyrë që as prodhuesi, e as qytetari të mos afektoj në çmimin e tregut”, tha Krasniqi.

Të kënaqur me vendimin e qeverisë shprehen dhe nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës. Vllaznim Osmani nga ky klub tha se ky vendim i jep sektorit të prodhimit që të zhvillohet.

 Sipas tij, zëvendësimi i produkteve serbe duhet të bëhet me anë të gjetjes së tregjeve të reja, ose të prodhohet vet lënda e parë në Kosovë.

Osmani, theksoi se nëse mbahet ky vendim në një periudhë më afatgjate, do të ketë hapësira dhe për vende të reja të punës.

Osmani: Nga ky vendim në aspektin ekonomik, Kosova fiton shumë

 “Në aspektin ekonomik në kuptimin e sektorit të prodhimit për neve është një lajm pozitiv sepse i jep sektorit të prodhimit mu zhvillu… prodhimet vendore po kanë vështirësi me qenë konkurent me importin në përgjithësi, e sidomos nga Serbia. Në aspektin ekonomik Kosova fiton shumë. Nëse kish mu rritë shitja brenda dhe jashtë gjitha kapacitetet mundet mu shfrytëzu që i bjen se kanë kapacitet me prodhu më shumë, kjo lidhet drejtpërdrejt me krijimin e vendeve të reja të punës.Një pjesë e prodhuesve veç ka filluar me shiqu alternativa të tjera, një pjesë e prodhuesve kanë marr iniciativa me prodhu vet lëndën e parë vet”, tha Osmani.

Ndërsa, Sefer Zogaj nga Instituti për kërkime Ekonomike tha se fokus kryesor duhet të jetë tek sigurimi i tregjeve alternative.

Sipas tij Qeveria nuk duhet të përkrahë prodhuesin vendor duke rritë shpenzimet publike, mirëpo duke bërë lehtësime të normave tatimore për prodhuesit.

Zogaj: Qeveria e Kosovës duet të bëj lehtësime të normave tatimore

 “Mënyra më e mirë për ta tejkaluar këtë situatë është duke gjetur tregjet alternative. Tek tregjet alternative duhet të kemi parasysh disa konponente shumë të rëndësishme. Qeveria fillimisht duhet të përkrah prodhuesin vendor, jo duke bërë subvencionime. Sepse shpenzimet publike e zgjidhin një problem afatshkurtër duke krijuar një problem më të madh afatgjatë. Qeveria e Kosovës duhet të bëjë disa lehtësime të normave tatimore për prodhuesit vendor…nëse rritet shpenzimet publike, atëherë do të  do të kemi probleme të deficitit buxhetor, në të njëjtën kohë dhe inflacioni është një problem shumë i madh për mirëqenien sociale të qytetarëve”, tha Zogaj.  

Përndryshe, Kosova dhe në vitin 2011 kishte ndërmarrë një masë të tillë, mirëpo pas presioneve të mëdha ndërkombëtare e kishte larguar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat