Bytyçi rrëfen tmerrin se si u kidnapua nga SHIK-u midis Tirane: Këtë gjë nuk do ta harroj kurrë

Aktuale

Bytyçi rrëfen tmerrin se si u kidnapua nga SHIK-u midis Tirane: Këtë gjë nuk do ta harroj kurrë

Nga: N.H Më: 23 nëntor 2018 Në ora: 12:02
Fatos Klosi

Profesori ndërkombëtar, Enver Bytyçi përmes një postimi në Facebook, ka rrëfyer një ngjarje të pathënë deri më tani. Ai ka treguar detaje se si 18 vite më parë ishte marrë peng nga agjentët e Fatos Klosit, përcjell "Bota sot".

Image
Enver Bytyçi

“Dy fouristrada me targa të huaja më rrethojnë dhe megjithëse isha i shoqëruar me gruan time, më marrin me forcë, me pistoletën te koka, në mes të Tiranës, aty ku sot është busti i Osman Kazazit dhe më kërcënojnë me vdekje. Pas disa orësh më liruan nga bodrumet e pallatit të Sportit "Asllan Rusi"me arësyetimin se "Më kishin ngatërruar me dikë tjetër". Në fakt shkak u bë një person, i cili më njohu dhe shkaktoi frikë të pengmarrësit”, ka shkruar Bytyçi.

Me tej, ai ka thënë se pas disa orëve, i traumatizuar, kishte shkuar në zyrën e ish-presidentit Sali Berisha për ta informuar për gjithë ngjarjen.

“Menjëherë në selinë e PD-së kanë ardhur mediat afër kësaj partie, të cilat më intervistuan dhe dhanë lajmin e pengëmarrjes. Më aktiv në pasqyrimin e ngjarjes ishin Mero Baze me gazetën tema dhe Sokol Olldashi”, ka thënë Bytyçi.

Në fund, profesori ndërkombëtar tregon gjithashtu se si të nesërmen, më 24 nëntor, kur në të njëjtën faqe jepej lajmi për pengëmarrjen e tij, kishte mësuar lajmin edhe për vrasjen e këshilltarit të Presidentit Rugova, që siç e quan ai, shkrimtarin e talentuar, Xhemajl Mustafa.

Ja rrëfimi i plotë i Bytyçit:

Si sot 18 vite me pare!

Si sot 18 vite më parë, në këtë orë, isha peng në duart e agjentëve të SHIK-ut të Fatos Klosit. Ishte një ditë e trishtueshme. Dy fouristrada me targa të huaja më rrethojnë dhe megjithëse isha i shoqëruar me gruan time, më marrin me forcë, me pistoletën te koka, në mes të Tiranës, aty ku sot është busti i Osman Kazazit dhe më kërcënojnë me vdekje. Pas disa orësh më liruan nga bodrumet e pallatit të Sportit "Asllan Rusi"me arësyetimin se "Më kishin ngatërruar me dikë tjetër"! Në fakt shkak u bë një person, i cili më njohu dhe shkaktoi frikë të pengmarrësit. Nga ana tjetër deri në këtë moment më kishin shpjeguar dhe arësyen pse mdodhesha në duart e tyre: Ishte botimi i Revistës opozitare me qeverinë, "KOHA"!

Pas disa orësh i traumatizuar kam shkuar në zyrën e Dr. Berishës dhe duke m'u dridhur zëri e kam informuar për ngjarjen. Menjëherë në selinë e PD-së kanë ardhur mediat afër kësaj partie, të cilat më intervistuan dhe dhanë lajmin e pengamarrjes. Më aktiv në pasqyrimin e ngajrjes ishin Mero Baze me gazetën tema dhe Sokol Olldashi. Ishte kohë terrori politik kundër opozitarëve në Tiranë. Pak ditë më vonë u ndalua vetë lideri demokrat.

Zbulimi se pengmarrësit ishin njerëz të SHIKU-t erdhi krejt rastësisht një ditë pas pengmarrjes, pasi njërën nga fouristradat e pashë të parkuar në oborrin e ministrisë së Brendshme. Pyeta një njeriun tim, shofer në këtë ministri dhe ai më konfirmoi se ajo makinë ishte e SHIK-ut dhe vinte aty për të koordinuar punët me antidrogën. Pas dy ditësh takova një nga këshilltarët e Klosit dhe pasiqë unë nuk e përshëndeta, megjithëse njiheshim, ai më ndaloi dhe m'u shfajësua, duke më thënë: "Të shkuara, sinqerisht unë nuk e kam ditur. E kam mësuar pasi pashë lajmet në media dhe kam bërë namin për këtë akt"! I pata telefonuar dhe kërkuar takim ish-ministrit të Brendshëm, Ilir Gjoni, për t'i kërkuar ndriccimin e ngjarjes, pasiqë me të kishim punuar në vitin 1996 te gazeta "Albania", por nuk më priti. Thjesht më mori në telefon shefi i kabinetit të tij dhe më tha "Të shkuara", thotë ministri!

Të nesërmen, më 24 nëndor, kur në të njëjtën faqe ku jepej lajmi për pengmarrjen time lexova e mësova për vrasjen e këshilltarit të Presidentit Rugova, shkrimtarit të talentuar, Xhemajl Mustafa, "harrova" atë që më kishte ngjarë. Në malësi thonë "Mos të raftë me harrue", dhe nuk do ta harroj atë ngjarje kurrë në jetën time, por vrasja e Xhejmal Mustafës ishte akt barbar që linte në hije atë që më ndodhi mua në të njëjtën ditë të zezë! Dora e SHIK-ut të Klosit nuk vepronte vetëm në Tiranë e në Shqipëri, por edhe në Prishtinë dhe në Kosovë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat