“Kosova duhet t’i pranojë me gjakftohtësi provokimet e mundshme serbe”

Aktuale

“Kosova duhet t’i pranojë me gjakftohtësi provokimet e mundshme serbe”

Nga: D.RR Më: 23 nëntor 2018 Në ora: 23:05
Ura e Ibrit në Mitrovicë

Kohëve të fundit kanë ndodhur disa zhvillime radhazi ndërmjet Kosovës e Serbisë, që kanë marrë jehonë në të gjithë botën. Lufta e ashpër e Serbisë që Kosova të mos pranohet në INTERPOL dhe kësisoj duke e arritur qëllimin, ka shtyrë qeverinë e Kosovës që në shenjë hakmarrje të vendos taksa prej 100% ndaj shtetit serb.

E sot (e premte), në orët e para të mëngjesit, ka ndodhur një aksion i njësive speciale të Kosovës, që ka përfunduar me arrestimin e katër serbëve të dyshuar në përfshirjen e vrasjes së Oliver Ivanoviq.

Image
Avni Islami

Eksperti i sigurisë, Avni Islami në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se, ngjarjet e fundit mund ta destabilizojnë vendit nga strukturat serbe, ndonëse Kosova ka vepruar sipas ligjeve dhe ndonjë trazirë është e vështirë të ndodh kur BE-ja dhe ndërkombëtarët janë duke e mbikëqyrur situatën.

“Mendoj se siguria në Mitrovicë dhe në rajonin e Kosovës dhe Serbisë në përgjithësi, pavarësisht disa ngjarjeve kohëve të fundit, është e vështirë që situata të destabilizohet dhe të eskalojë. Kjo për shkak që këto ngjarje sigurisht se janë duke u përcjellë me vëmendje të madhe nga Bashkimi Evropian dhe të tjerët ndërkombëtar. Kosova në këto aksione ka vepruar gjithnjë sipas ligjit dhe është e pastër në këtë drejtim”, ka thënë ai.

Islami shton tutje se Kosova duhet të përmbahet në rast të ndonjë provokimi nga ana serbe.

“Kosova duhet të jetë e vëmendshme pas këtyre ngjarjeve që të mund ta ketë situatën në dorë. Provokimet e mundshme të Serbisë dhe serbëve që jetojnë në Mitrovicën e Veriut, Kosova duhet t’i pranojë me gjakftohtësi”, është shprehur ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat