GAP: Buxheti 2019, të hyrat nuk mjaftojnë dhe shpenzimet do të mbulohen me kredi

Aktuale

GAP: Buxheti 2019, të hyrat nuk mjaftojnë dhe shpenzimet do të mbulohen me kredi

Më: 25 nëntor 2018 Në ora: 10:23
GAP

(E plotësuar) - Instituti GAP ka mbajtur konferencë për media ku ka prezantuar raportin me titull “Projektbuxheti 2019 – analizë e të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore”.

Të gjeturat kryesore të analizës së buxhetit i prezantoi Agren Demi dhe Berat Thaqi.

Raporti thotë se se projektbuxheti i vitit 2019 paraqet në masë të madhe vazhdimësi të buxheteve nga vitet e kaluara.

Kjo për arsye se ngjashëm me vitet e kaluara, gati gjysma e investimeve kapitale do të menaxhohen nga Ministria e Infrastrukturës dhe shumica prej tyre do investohen në infrastrukturë rrugore. Gjithashtu, 82% e investimeve kapitale të nivelit qendror janë vazhdimësi e projekteve nga vitet e kaluara.

“Është thënë me shumë pompozitet se buxheti i vitit 2019 do të jetë afër 2.4 miliardë euro, mirëpo të hyrat nuk janë aq sa për t’i mbuluar shpenzimet e parapara për vitin 2019. Kjo diferencë mes të hyrave dhe shpenzimeve pritet të mbulohet përmes kredive dhe fondeve të Agjencisë së Privatizimit.

Edhe pse në total kemi një rritje të shpenzimeve kapitale në vitin 2019 nëse shikojmë shpenzimet në krahasim me të hyra, ka një rënie të hyrave të shpenzimeve kapitale të cilat do të merren prej të hyrave të rregullta. Pra kjo rritje në investimet kapitale pritet të mbulohet prej kredive dhe AKP-së”, ka thënë Demi.

Demi ka thënë se investimet e buxhetit janë rritur në shërbime dhe subvencione.

“Në anën tjetër kemi një rritje shumë më të madhe në kategorinë në mallrave dhe shërbimeve dhe subvencioneve dhe transfereve në krahasim me vitet e kaluara. Domethënë këto janë në trend të rritjes që disa vite”, shtoi ai.

Ndërsa, Berat Thaqi tha se në hulumtimet gjatë raportit kanë parë një diskriminim në ndarjen e buxhetit nëpër komuna.

“Investimet kapitale prej nivelit qendror në komuna nuk janë në përputhje qoftë me numrin e popullësisë nëpër komuna apo me sipërfaqen e tyre. Kemi parë një tendencë që në disa komuna të mbiinvestohen apo favorizohen krahasuar me disa të tjera. Vitet e kaluara kemi parë një tendencë që nëse një parti e caktuar është në nivel qendror atëherë ka tendencë që investimet të shkojnë që qeverisen nga persona që janë nga e njëjta parti”, ka thënë Thaqi.

Raporti gjithashtu thekson se është rritur dukshëm financimi i buxhetit nga borxhi publik dhe të hyrat e AKP-së, ndërkohë që shpenzimet rrjedhëse, veçanërisht subvencionet dhe transferet dhe mallrat dhe shërbimet, janë rritur më shpejt së ato kapitale.

Thaqi shtoi se në krahasim me vitet e kaluara buxheti është rritur në disa sektorë të caktuar.

“Pozitive është rritja e buxhetit për shëndetësi, buxheti për këtë sektor është rritur dukshëm sa i përket mallrave dhe shërbimeve, që janë barnat esencialë kryesisht. Gjithashtu është rritur buxheti edhe për investime kapitale. Ky është një zhvillim pozitiv që e ka rekomanduar edhe Komisioni Eurpoian. Por krahas saj duhet të rritet llogaridhënia dhe cilësia e shërbimeve në këtë sektor. Ka një rritje të buxhetit edhe për arsim, mirëpo nëse krahasojmë me vendet e BE-së si përqindje e bruto produktit vendor, Kosova ende shpenzon më pak. Zhvillim pozitiv ka po ashtu në disa institucione që merren me funksionimin e tregut, veçanërisht në MTI-së janë rritur kapacitetet buxhetore”, tha ai.

Ndërsa si problem që ende nuk është zgjidhur GAP thotë se është financimi i Radio Televizionit të Kosovës nga buxheti i Kosovës.

“Radio Televizioni i Kosovës ende ka mbetur nën financimin e buxhetit të Kosovës dhe kjo po e dëmton pavarësinë e RTK-së si dhe qëndrueshmërinë financiare”.

Përveç subvencionimit të RTK-së, edhe kategoritë tjera të subvencioneve siç janë pensionet dhe kompenzimet janë rritur dukshëm, ndërsa me gjithë kontestimet për numrin e veteranëve të luftës, buxheti për këtë kategori është rritur tutje.

“Buxheti për veteranët e luftës është rritur shumë pak, në vlerë afër dy milionë euro dhe çka kemi pa duke u bazuar nga viti 2018, ky buxhet që ka qenë rreth 58 milionë euro është shpenzuar brenda nëntë muajve dhe nuk ka mjaftuar për pjesën tjetër”, shtoi Thaqi.

Megjithatë, në rast se nuk do të ketë ulje të numrit të veteranëve, buxheti i ndarë për vitin 2019 do të jetë i pamjaftueshëm.

***

Instituti GAP ka prezantuar analizat për Buxhetin e Republikës se Kosovës per vitin 2019, ku u tha se ka tendenca që buxhet të shkoj më shumë në ato komuna ku drejtohen nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovë. Ndërsa, buxheti për pensionet e veteranëve po keqkalkulohet.

Agron Demi nga ky institut tha se është thënë që buxheti do të jetë 2.4 miliardë euro, por të hyrat nuk janë aq sa për t’i mbuluar shpenzimet që janë paraparë për vitin 2019, dhe kjo diferencë në mes të hyrave dhe shpenzimeve pritet të mbulohet nëpërmjet kredive dhe fondit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Madje, ai tha se ka rënie të investimeve kapitale.

"Subvencionet janë në trend të rritjes tash e sa vite, gjysma e kapitaleve shfrytëzohen në infrastrukturë rrugore", tha ai.

Ndërsa, Berat Thaqi tha se investimet kapitale nda niveli qendror deri te komunat nuk janë në përputhje me popullsinë dhe sipërfaqet e atyre komunave.

"Ka një tendencë që nëse një parti është në nivel qendror, investimet shkojnë nga ata anëtarë që janë në atë parti. Është rritur buxheti për investimet kapitale, ka qenë një zhvillim pozitiv, mirëpo duhet të rritet llogaridhënia. Kosova ende shpenzon më pak në arsim", tha Thaqi.

Sipas tij, për herë të parë do të ndahet grant për Komunën e Prishtinës, i cili do të jetë 12 milionë euro.

Po ashtu, Agron Demi ka shtuar se në bazë të analizave, komunat të cilat qeverisen nga AAK, shpenzojnë më së shumti. Duke shtuar se buxheti për pensionet e veteranëve po keqkalkulohet.

"Nëse Kuvendi i Kosovës nuk e kalon këtë buxhet për vitin 2019, do të ketë probleme të mëdha", ka përfunduar ai.

***

Instituti GAP organizon konferencën për media ku prezanton raportin “Projektbuxheti 2019, analizë e të hyrave dhe shpënzimeve buxhetore”, ku janë analizuar zhvillimet kryesore në projektligjin mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës se Kosovës per vitin 2019.

Sipas GAP, disa prej pyetjeve që do të adresohen në këtë konferencë janë: Sa paraqet risi projektbuxheti i vitit të ardhshëm? Në cilën fushë do të shpenzohet më shumë buxheti? A ka pas ndarje të investimeve kapitale në infrastrukturë në baza partiake? A do të mjaftojë buxheti i ndarë për veteranët e luftës? Sa është rritur buxheti për pensione? Sa shpenzon Kosova në shëndetësi e arsim krahasuar me vendet e Bashkimit Evropian?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat