Presidenti Thaçi ka udhëtuar për vizitë zyrtare në SHBA

Aktuale

Presidenti Thaçi ka udhëtuar për vizitë zyrtare në SHBA

Më: 25 nëntor 2018 Në ora: 12:20
Hashim Thaçi

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka udhëtuar për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjatë qëndrimit në Uashington, presidenti Thaçi do të zhvillojë takime me përfaqësues të lartë të Shtëpisë së Bardhë, të Departamentit të Shtetit, Kongresit, Senatit, si dhe me personalitete që kanë mbështetur rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit.

Në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Thaçi do të zhvillojë një takim me John Bolton, Këshilltar për Siguri Kombëtare i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

Presidenti Thaçi, po ashtu, do të takohet edhe me Sekretarin e Departamentit të Shtetit, Mike Pompeo.

Në këto takime, presidenti Thaçi do të bisedojë për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy shteteve, për perspektivën euroatlantike të Kosovës dhe për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obliguese ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila i siguron Kosovës njohje nga Serbia dhe i hap rrugë për anëtarësim në BE, NATO dhe OKB.

Presidenti Thaçi do të ketë takime të shumta edhe me kongresistë dhe senatorë amerikanë, të cilët në dy dekadat e fundit e kanë mbështetur Kosovën.

Thaçi në Dallas do të ketë një takim të veçantë edhe me ish-presidentin e SHBA-së, George W. Bush, si dhe me komunitetin shqiptaro-amerikanë atje.

Vizita e presidentit Thaçin në Uashington vjen në një periudhë të rëndësishme për vendin, ku Kosova është duke bërë përpjekje për konkretizimin e perspektivës euroatlantike dhe arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, e cila duhet të rezultojë me njohjen reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat