Nga 168 sulmet ndaj personave zyrtarë, shumica kundër policëve

Aktuale

Nga 168 sulmet ndaj personave zyrtarë, shumica kundër policëve

Më: 25 nëntor 2018 Në ora: 15:34
Policia e Kosovës, foto arkiv

Gentian Karaxha, është njëri nga tre pjesëtarët e Policisë së Kosovës që u përball me rrezikun për jetën në orët e para të 14 nëntorit në Gjakovë, kur në përpjekje për të ndalur katër të dyshuar për vjedhje, ishin sulmuar me armë zjarri.

Të dyshuarit, sipas Policisë, në ikje e sipër me veturën e tyre, pasi nuk u janë bindur urdhrave të patrullës, që me veturë u kishte bllokuar rrugën, janë aksidentuar në të, e me pas kanë shtënë me armë zjarri ndaj tre zyrtarëve të rendit, të cilët kanë marrë lëndime trupore vetëm nga aksidenti.

Polici Karaxha, i cili ishte i përshirë në këtë aksion, që rezultoi me arrestimin e një prej katër të dyshuarve, thotë se para përballjes me plumbat, automjeti i tyre u godit nga vetura e personave që sapo kishin kryer një vjedhje.

“Menjëherë pas aksidentimit, personat e dyshuar kanë dalë prej veturës dhe menjëherë kanë shtënë në drejtim tonin me armë zjarri, në atë moment edhe ne u jemi kundërpërgjigjur me armë zjarri. Për fat të mirë nuk ka pasur persona të lënduar. Pas përdorimit të armëve të zjarrit, personat e dyshimtë janë larguar duke vrapuar në drejtim të sheshit Parku i Lirisë”, rrëfen Karaxha.

Teksa vazhdon rrëfimin e tij, polici 29-vjeçar, shton se me sulme të tilla përballen më rrallë sesa me, atë që ai e quan, rezistencë fizike.

“Ne u jemi vënë pas duke i ndjekur, ku në një oborr ku kishte shkurre kemi arritur ta arrestojmë një person, të cilin më pas e kemi shoqëruar në stacion policor... Rrezikshmëria ka qenë e lartë, duke pasur parasysh që distancën kemi pasur, përafërsisht tri deri në katër metra, por për fat nuk ka pasur persona të plagosur”, vazhdon ai.

Karaxha tregon se për lëndimet e marra gjatë aksidentit, janë trajtuar në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Gjakovës.

Por, ky është vetëm një prej më shumë se 168 rasteve tjera, të sulmeve ndaj personave zyrtarë në kryerje të detyrës. Në këto raste nuk hyjnë vetëm ato ndaj policëve, por edhe zyrtarëve tjerë.

Sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi, numri i saktë i sulmeve ndaj kolegëve të tij, në detyrë, nuk dihet për shkak se klasifikimi i rasteve bëhet bazuar në nenin 410 të Kodit Penal, ku hyjnë edhe zyrtarët e institucioneve tjera.

“Gjatë këtij viti, nga 1 janari deri në fund të tetorit, kanë ndodhur 168 raste, sulm ndaj personit zyrtar. Dua të cek edhe një herë që këto 168 raste nuk janë të gjitha sulme ndaj policëve, mirëpo ka edhe sulme ndaj zyrtarëve të institucioneve tjera”, shpjegon Krasniqi.

Edhe pse në data-bazë mungon një klasifikim i veçantë, në raportet njëzetekatërorëshe të Policisë bëhet veçimi i rasteve të sulmeve ndaj policëve, dhe bazuar në këtë, Krasniqi thotë se vërehen më shumë sulme ndaj policëve sesa zyrtarëve tjerë.

“Në bazë të asaj, ne vërejmë se ka, ndoshta, më shumë sulme ndaj Policisë, duke pasur parasysh edhe faktin tjetër se Policia është ndër institucionet më të mëdha, dhe në këtë shifër që e dhashë, mundësia që të ketë më tepër raste ndaj Policisë, sulm ndaj policëve, është më e madhe sesa ndaj zyrtarëve të tjerë. Megjithatë, derisa Kodi Penal e parasheh vetëm emërtimin e tillë, ne në regjistrat tona i evidentojmë si të tilla”, vazhdon tutje zëdhënësi Krasniqi.

Edhe pse forcat kosovare të rendit ende nuk kanë sigurim shëndetësor për lëndimet që marrin gjatë kryerjes së detyrës, Krasniqi thotë se atyre u ofrohet tretman nga institucioni ku ata punojnë.

“Në kuadër të Drejtorisë së Përgjithshme dhe në kuadër të Policisë ekziston një Drejtori e Shërbimeve Shëndetësore, e cila menjëherë porsa të marrë një informatë të tillë, interesohet dhe kemi disa mundësi që t’i ofrojmë shërbime dinjitoze policit, edhe në aspektin mjekësor edhe në aspektin e mbështetjes psikologjike”, shton ai.

Teksa dënon sulmet ndaj kolegëve, nënkryetari i Sindikatës së Policisë, Shaban Tasholli, kërkon nga qytetarët të ndjekin rrugët ligjore për ankesat që kanë.

“Ne si sindikatë gjithherë i kemi dënuar këto raste, dhe fatkeqësisht kemi ndonjë rast, kemi bërë apel edhe në gjykatë që ndaj këtyre kryesve që bëjnë sulme ndaj policëve të merren masat e duhura ndaj tyre dhe mendojmë se janë duke u marrë masat gjyqësore ndaj tyre. Ne gjithherë bëjmë apel edhe te qytetarët që të jenë korrekt ndaj policëve, nëse ka ankesë mund të bëjnë në standardet profesionale te ne edhe në Inspektoratin e Policisë”, shprehet ai.

Shqetësuese, sipas tij, mbetet mungesa e sigurimit shëndetësor, përkundër kërkesave të vazhdueshme – për më shumë se një dekadë.

“Ne kemi bo kërkesa gjithherë në ministri dhe në Qeveri, që e vetmja Polici në botë jemi që nuk kemi sigurim shëndetësor. Kjo është edhe një mangësi ndoshta në punën tonë, e cila na bën të ndihemi jo mirë, megjithatë, lëndimet në detyrë që janë te ne paguhen nga Drejtoria e Policisë. Është kjo një shtyrje, mirëpo sigurimi shëndetësor në tërësi nuk ekziston dhe është një mangësi për tërë Policinë e Kosovës”, tregon Tasholli.

Në Zyrën për Informim të Policisë, thonë se nuk kanë të dhëna që tregojnë se ndonjë pjesëtar i forcave të rendit është detyruar të lë punën për shkak të lëndimeve të marra në detyrë.

Ndryshe, që nga përfundimi i luftës së fundit, 19 zyrtarë të Policisë kanë humbur jetën në detyrë. Rasti parë është regjistruar në shtator të vitit 2001, ndërsa i fundit në prill të këtij viti.

Me legjislacionin në fuqi, e drejta e kompensimit nga buxheti i shtetit u takon dy kategorive: familjarëve të zyrtarëve policorë që vdesin në detyrë dhe atyre në kryerje të detyrës./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat