Deputetët e LDK-së që munguan për votimin e rezolutës kundër Thaçit, ishin në përvjetorin e vrasjes së Xhemajl Mustafës

Aktuale

Deputetët e LDK-së që munguan për votimin e rezolutës kundër Thaçit, ishin në përvjetorin e vrasjes së Xhemajl Mustafës

Më: 25 nëntor 2018 Në ora: 17:17
Deputetët e LDK-së

Për të disatën herë me radhë edhe të premtën dështoi miratimi i rezolutës që ia ndalon Presidentit Thaçi përfshirjen të flasë për shkëmbim të territorit apo korrigjimin e kufijve në dialogun Kosovë-Serbi. Kjo për shkak të mungesës kuorumit. Në seancë munguan edhe deputetë të LDK-së, ani pse të njëjtit deklarohen kategorikisht kundër idesë për korrigjim të kufijve.

Rezoluta që do t’ia ndalonte Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi që të dialogojë për kufijtë e Kosovës, ka dështuar të votohet në seancën e fundit të Kuvendit. Arsye për këtë ishte mungesa e kourumit. 

Në këtë seancë munguan edhe disa deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ani pse të njëjtit deklarohen kategorikisht kundër idesë së Presidentit Thaçi për korrigjim të kufijve me Serbinë. 

E arsyeja e mungesës së tyre po del të ketë qenë përvjetori i vdekjes së veprimtarit të LDK’së, Xhemajl Mustafës.

Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie, Ismet Beqiri i ka thënë medias se ai dhe deputeti Fidan Rekaliu nuk kanë pasur mundësi që të merrnin pjesë në seancë, pasi që në të njejtën kohë ata ishin për homazhe tek varri i Xhemajl Mustafës. 

Por, deklaron se ata nuk do të heqin dorë derisa kjo rezolutë të votohet. 

“Rezoluta del përsëri në votim, pasi që ne kemi qenë në homazhe për Xhemajl Mustafën, pasi që janë mbajtë në të njëjtën kohë. Unë dhe Fidani, kemi qenë në emër të kryesisë së LDK’së. Për të tjerët nuk e di kush ka mungu”, tha Beqiri. 

E sipas Beqirit arsyeja se pse nuk u votua kjo rezolutë nuk qëndron vetëm te mungesa e deputetëve të LDK’së. Deklaron se për këtë po mungon edhe vullneti i partive të tjera, pasi që kur po votohet po mungojnë në seanca. 

“Këtu po mungon edhe vullneti I partive në koalicion, se ndonëse po deklarojnë që janë kundër korrigjimit të kufijve, por kur po vije puna te votimi po mungojnë në seanca”, tha Beqiri.

Dështimi i rezolutës për dialogun në Kuvend duket se i ka dhënë fund rrugëve institucionale të opozitës për ta ndalur presidentin Hashim Thaçi në diskutimet me Serbinë për kufijtë e Kosovës. Megjithatë, të premtën Aleksandër Vuçiq në një konferëncë për media deklaroi se korrigjimi i kufijve ishte ide e tij por siç u shpreh ajo ide tashmë ka vdekur. 

Ndërsa, sot Presidenti Hashim Thaçi ka udhëtuar për në SHBA ku pritet të zhvillojë takime me personalitete të ndryshme ndër ta edhe me këshilltarin e Donald Trump, John Bolton, i cili ishte kundërshtar i pavarësisë së Kosovës dhe përkrahë ndryshimin e kufijve Kosovë-Serbi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat