Rama: Kush e quan Hashim Thaçin tradhtar është gomar

Aktuale

Rama: Kush e quan Hashim Thaçin tradhtar është gomar

Më: 26 nëntor 2018 Në ora: 12:35
Edi Rama dhe Ramush Haradinaj

(E plotësuar) - Çështja e korrigjimit të kufirit "ka përplasur" dy kryeministrat shqiptarë, atë të Kosovës Ramush Haradinaj dhe Edi Ramën.

Pas mbledhjes së pestë të dy qeverive në Pejë, kryeministri Edi Rama i ka dalë në mbrojtje presidentit Hashim Thaçi për korrigjim të territoreve me Serbinë, duke thënë se "kushdo që e quan tradhtar Hashim Thaçin është tradhtar".

Rama: Kush ngre dorë ndaj Hashim Thaçit duke e quajtur tradhtar është një gomar

"Sa i përket çështjes së korrigjimit, unë kam një gjë për të thënë. Hashim Thaçi është presidenti i Kosovës dhe komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kush ngre dorë ndaj Hashim Thaçit duke e quajtur tradhtar është një gomar. Këtë di të them unë. Të tjerat pastaj janë çështje që i takojnë debatit të brendshëm, janë çështje që i takojnë ndërtimit të vizionit strategjik për të ardhmen e Kosovës. Dhe këtu nuk është çështja çfarë mendoj unë apo çfarë mendon ai. Çështja është që ne të gjejmë rrugën e duhur strategjike që shqiptarët të jenë bashkë. Jo bashkë në fjalime, por që shqiptarët të bashkohen, që shqiponja dy krenare të jetë një, dhe Shqipëria dhe Kosova të jenë një në çdo drejtim dhe çdo aspekt", tha Rama.

E përballë këtyre deklaratave nuk ka qëndruar i heshtur Haradinaj. Ai ka përsëritur se nuk do të ketë ndarje të Kosovës në asnjë mënyrë, duke përjashtuar edhe mundësinë për korrigjim të kufirit, pavarësisht se e kujt mund të jetë ideja.

Haradinaj: Gabon rëndë kush mendon për ndarje të Kosovës

"Kush mendon se merr tokë prej Kosovës e ka gabim. A ke i Kosovës, a ke i Shqipërisë, a i kujtdo qoftë. Asnjë metër e Kosovës nuk merret ma. A ke Ramushi, a ke Edi a Hashim Thaçi apo kushdo tjetër gabon rëndë. Kjo është tokë e shqiptarëve, e larë me gjak. 17 shkurti nuk preket ma. Duhet ta din gjithkush këtë... Me këtë nuk themi se kjo që deklaroj unë i dedikohet një individi ose një force politike, por është gabim të mendohet një zgjidhje territoriale me Serbinë. Nëse kufijtë nuk i pëlqejnë dikujt në Ballkan, më së shumti kanë të drejtë shqiptarët mos me ju pëlqye, po flasim për krejt kufijtë e shqiptarëve. Nuk mund të flasim vetëm për një pjesë që duhet me ju heq Kosovës, e kamufluar në emër të korrigjimit. Kjo nuk ka me ndodhë sa të ka shqiptar në Kosovë", u shpreh Haradinaj.

Haradinaj pati një kërkesë për kryeministrin Rama.

Haradinaj: Të përfundohet rruga e kombit

"I takon kryeministrit Rama ta përfundoj rrugën e kombit. Nuk bënë me e lënë ashtu në pakufi. Është një kërkesë legjitime e qytetarëve të Kosovës. Ne jemi në gjendje me pagu aq sa duhet. Por duhet të përfundojë rruga", u shpreh ai.

Për këtë çështje, kryeministri Rama tha se nevojitet angazhim i përbashkët pasi që sipas tij, ndryshe nuk mund të përfundohet Rruga e Kombit. Ai theksoi se rruga në fjalë ka rreziqe, porse theksoi se do të bëjnë çmos që të përfundojnë rrugën, teksa u ndal edhe tek tarifa.

Rama: Patriotizmi në paqe është të mos matësh kontributet nga xhepi

"Patriotizmi në paqe është të mos matësh kontributet nga xhepi për qëllimet për të mirën e përbashkët. Besoj që në këtë aspekt, cdokush që vjen në Shqipëri për turizëm, është i gatshëm që të kontribuojë që ajo rrugë, e cila është arteria kryesore që i lidhë gjithë shqiptarët, të përfundojë sa më parë dhe të mirëmbahet siç duhet", u shpreh ai.

Ndërkaq, në konferencën e sotme Haradinaj dhe Rama folën për demarkacionin e Kosovës me Malin e Zi.

Rama tha se demarkacioni me Malin e Zi ka qenë vendim i duhur, por ka qenë dyfytyrësia e BE-së që ka lënë popullin e Kosovës pa lëvizje të lirë.

Kryeministri shqiptar ka folur edhe për marrëdhëniet e Shqipërisë me Serbinë.

Rama: Serbia ta mbajë Metohinë për vete, kjo është Republika e Kosovës

"Shqipëria është e vendosur të ndërtojë partneritet strategjik me Serbinë, por Serbia nuk mund të ketë një fytyrë për Shqipërinë e një fytyrë për Kosovën. Kjo për ne është e papranueshme. Ndërkohë që Serbia pengon çdo lloj malli të hyjë nga Kosova në Serbi, vazhdon të pretendon të hyjë në Kosovë me dokumente Kosovo e Metohia. Metohinë ta mbajë për vete, kjo është Republika e Kosovës dhe kjo është diçka që nuk negociohet. Ne duam që të shikojmë rrugën e të ardhmes të gjithë së bashku, shqiptarë e serbë. Por ama nëse Kosova e ka kapërcyer të shkuarën, nëse Kosova ka ndërtuar këtu në këtë vend, shembullin më të shkëlqyer të respektit të minoriteteve, nëse serbët në Kosovë gëzojnë liri, të drejta, kujdes që nuk ka minoritet që i gëzon në gjithë rajonin, lëre më shqiptarët në Serbi, kjo nuk mund të jetë diçka si e vënë që, ashtu si Serbia bënë viktimë para botës. Serbia nuk është vik timë, Kosova është viktimë", tha ai.

Pas mbledhjes së dy qeverive, të dy kryeministrat, Haradinaj dhe Rama, do të bëjnë homazhe tek kompleksi memorial "Adem Jashari" në Prekaz.

Rama mbron Thaçin: Kush ngre dorë ndaj tij është tradhtar dhe gomar

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama tha sot në Pejë se kush ngre dorë ndaj presidentit Hashim Thaçi është tradhtar.

Rama u pyet në lidhje me idenë e presidentit të Kosovës për  korrigjim të kufirit ku sipas kryeministrit të Shqipërisë tha se nuk mund të ecet gjithmonë me takime ku bëhen vetëm fotografi.

Ai tha se duhet ndarë shapi nga sheqeri.

"Për mua asgjë nuk duhet përjashtuar. Hashim Thaçi është president i vendit dhe komandant i Ushtrisë. Kush ngre dorën drejt Hashim Thaçit është tradhtar, tradhtari është gomar", tha ai. 

Për tarifën 100 përqind, Rama tha se vendimi i Qeverisë të Kosovës është reagimi më normal në një situatë anormale.

"Nuk mundet dot të vazhdojë të pranojë Kosova që mallrat e Ksoovës të jenë të palejuara e mallrat serbe të vazhdojnë të hyjnë", tha Rama.

Rama tha se  Shqipëria është e interesuar  të ndërtojë raporte strategjike me Serbinë.

“Por Serbia nuk duhet të përdor dy fytyra, një me Kosovën e një me Shqipërinë. Kjo është e papranueshme. Serbia nuk është viktimë, Kosova është viktimë. Shqipëria dhe Kosova do të ecin dorë për dorë si dy shqiponja krenare", tha Rama.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat