Ministri Shala: Kërcënimet e serbëve nuk më frikësojnë, punën nuk do e ndali!

Aktuale

Ministri Shala: Kërcënimet e serbëve nuk më frikësojnë, punën nuk do e ndali!

Më: 26 nëntor 2018 Në ora: 18:54
Endrit Shala

Vendimi i qeverisë së Kosovës për taksën 100 % ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës, duket se po u ‘dhëmbë’, shumë këtyre dy të fundit.

Megjithëse, janë bërë disa ditë që ky vendim ka hyrë në fuqi, serbët nuk po dinë të ndalen sa u përket reagimeve të ndryshme.

Për këtë vendim, së fundmi kërcënime me vdekje ka marrë edhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala.

Të njëjtat kërcënime, ministri Shala ka marrë përmes rrjeteve sociale, duke mos përjashtuar as telefonatat e ndryshme.

“Nuk kam çfarë t’i komentojë kërcënimet, reagimet e tyre. Unë ua them direkt se në asnjë mënyrë nuk do ta ndalojë punën time, do ta kryej detyrën si ministër dhe nuk do të ndalem asnjëherë për atë se çfarë më obligon Kushtetua e Kosovës. Punë e madhe se çfarë komentojnë e çfarë thonë ata, ata fare nuk më interesojnë”, ka thënë ministri Shala.

Ministri Shala, ka bërë me dije se prej që kur është marrë vendimi për taksën, kërcënimet nga ana e tyre veçse janë shtuar ditë pas dite.

“Kërcënimet e tyre nuk e ndalin vullnetin për punën që unë e kam në plan. Për kërcënimet e tyre nuk e kam lajmëruar askënd, as policinë, nuk iu frikësohem atyre”, ka shtuar tutje ai gjatë bisedës.

I pari i MTI-së, thotë se gjeneratat e reja nuk duhet t’iu kushtojnë vëmendje këtyre kërcënimeve, ani pse për vrasje është kërcënuar edhe djali i tij.

“Me Serbinë, Kosova e ka kry punën në vitin 1999, kanë kry punën djem e gra të këtij vendi. Tash, ne jemi gjenerata e re, ne jemi këtu për me fuqizu shtetin tonë. Ata le të vazhdojnë të humbin kohë me kërcënime. Bile, lirisht mund t’ua them se djali im do të bëhet edhe më shumë patriot se sa unë”, ka vlerësuar ai.

Taksa 100% ndaj prodhimeve serbe, kanë bërë që këta të fundit të shpërthejnë me komente të ndryshme negative, derisa të njëjtit i kanë thënë ministrit Shala se do ta therrin sikurse lepurin. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat