Efekti i heqjes së barrierave tregtare Shqipëri - Kosovë

Aktuale

Efekti i heqjes së barrierave tregtare Shqipëri - Kosovë

Më: 27 nëntor 2018 Në ora: 09:37
Pamje nga mbledhja e qeverive shqiptare në Pejë

Mbyllja e tregut të Kosovës për mallra nga Serbia krijon potenciale të mëdha për Shqipërinë për të eksportuar produktet agro-industriale drejt Kosovës. Por a mund të shpaloset ky potencial kaq shpejt?

Mbyllja e tregut të Kosovës për mallra nga Serbia krijon mundësi që Shqipëria të rrisë eksportin e saj drejt Kosovës. Niveli i tanishëm i eksportit të mallrave nga Shqipëria drejt Kosovës është i ulët , i pakrahasueshëm me atë të Serbisë. Burime zyrtare nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave thanë për DW të hënën ( 26.11) se " Shqipëria, në 6 mujorin e parë të këtij viti ka eksportuar drejt Kosovës mallra me vlerë prej 85.16 milion euro". Vlera e mallrave që Serbia eksporton në vit në Kosovë, arrin në 400 milionë euro. A mund të ketë rol Shqipëria në plotësimin e nevojave të tregut kosovar me mallrat që nuk i merr më nga Serbia? Dr. Selami Xhepa, ekspert i njohur i ekonomisë në Shqipëri thotë për DW se kjo është e vështirë të ndodhë menjëherë.

"Shqipëria nuk eksporton drithërat dhe produktet ushqimore që Kosova merr nga Serbia. Mos harrojmë që Serbia qëndron në krye të vendeve për eksportin e drithërave dhe miellit në rajon dhe është një ndër 10 vendet e para të botës për këtë lloj eksporti. Më shumë se 2500 kompani serbe eksportojnë produkte ushqimore në Kosovë. Por për Shqipërinë padyshim krijohen mundësi të reja. Në hapësirën që krijohet nga mungesa e mallrave serbe në tregun kosovar, Shqipëria mund të hyjë me produkte konkurruese. Potencialet më të mëdha janë në fushën e agro-industrisë” thekson eksperti i ekonomisë,  Dr. Selami Xhepa. Shqipëria eksporton në Kosovë minerale, ?imento, lëndë djegëse, lëndë ndërtimi, prodhime druri dhe plastike.

Nikolin Jaka: Të hiqen tarifat e skanimit të faturave dhe terminalit doganor

Image
Ramush Haradinaj

Në situatën e krijuar pas bllokimit të mallrave serbe në Kosovë dhe mundësive që i hapen Shqipërisë për eksportin e mallrave të saj në Kosovë kanë peshën e tyre Konfederata e Industrisë dhe Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë në Shqipëri. Me një qëndrim racional ato mbështesin vendimin e Qeverisë së Kosovës për rritjen 100 % të taksimit të produkteve që hyjnë në tregun e Kosovës nga Serbia. Agumenti bazë: Serbia ka shkelur shkelur parimin e reciprocitetit

Nikolin Jaka, kryetar i Dhomës së Tregëtisë dhe Industrisë në Tiranë tha për DW se „Serbia lobon për mosnjohjen e Kosovës dhe që këtej Kosovës i lind e drejta të reagojë”. Konferederata e  Industrisë si ilustrimin  më domethënës të shkeljes së parimit të reciprocitetit sjell një rast konkret: bllokimin nga Serbia, për shumë vite, të përdorimit të linjës 400 kV të transmetimit të energjisë elektrike midis Kosovës dhe Shqipërisë dhe citoj "pengimit të zbatimit të projektin evropian për një rrjet të përbashkët energjetik në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë”. Një qëndrim i tillë pasohet me vetëdijen e tyre për rritjen e mallrave që Shqipëria eksporton drejt Kosovës.

Nikolin Jaka mendon se për këtë qëllim duhet që qeveritë e Prishtinës dhe Kosovës të marrin sa më parë masa që të lehtësojnë tregtinë mes dy vendeve. „Duhen hequr sa më parë tarifa e skanimit të faturave për mallrat që tregtohen mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe tarifa e qëndrimit të mallrave në terminalin doganor në anën e pikës kufitare të Kosovës. Kemi kërkuar nga qeveria Rama të heqë tarifën prej 10% nga fatura e mallrave që transportohen përmes „ Rrugës së Kombit"„  thotë Nikolin Jaka.

Shqipëri-Kosovë: hiqen barrierat penguese

Ndryshimi filloi të hënën (26.11.2018) në takimin e zhvilluar në Pejë, ku qeveria e Tiranës dhe ajo e Prishtinës kanë nënshkruar 9 marrveshje, mes të cilave edhe ato që heqin barrierat penguese tarifore dhe jo tarifore në marrdhëniet ekonomiko- tregtare mes dy vendeve. Burime zyrtare nga Kryeministria në Tiranë, bëjnë me dije se është nënshkruar edhe dokumenti i vizionit strategjik të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Kosovës, deri ne 2025.

Të hënën në takimin e Pejës, kryeministri Rama është shprehur pa ekuivok pro vendimit të qeverisë së Kosovës për rritjen 100% të taksës doganore ndaj mallrave serbe që hyjnë në Kosovë. Rama tha në Pejë se "Serbia jep goditje të njëpasnjëshme pas shpine Kosovës dhe ky është reagimi i tarifës 100%. Serbia po bllokon Kosovën duke kërkuar tërheqjen e njohjeve dhe kjo është provokuese dhe shqetësuese.  Kush e sheh tarifën 100% si aspekt ekonomik atëherë gabon, por kjo tarifë është si kundërpërgjigje politike”./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat