Qeveria ka prioritet parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm

Aktuale

Qeveria ka prioritet parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm

Më: 27 nëntor 2018 Në ora: 12:12
Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës ka prioritet parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpije në terrorizëm, e sidomos tek të rinjtë.

Në angazhimin për luftimin e këtyre dukurive është angazhuar edhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ku brenda këtij viti ka mbështetur 28 organizata në fushën e sigurisë.

Kështu është thënë në konferencën me temën “Toleranca dhe Siguria njerëzore e të rinjve në Kosovë”, që është organizuar nga Ministria e Kulturës në bashkëpunim me organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.

Me këtë rast, ministri i Kulturës Kujtim Gashi, ka thënë se edhe këtë vit Ministria ka qenë e përkushtuar në mbështetjen e organizatave rinore, ku ai bëri të ditur se kanë mbështetur organizata rinore në fushën e sigurisë.

Gashi: Kemi mbështetur 28 organizata në fushën e sigurisë

 “MKRS ka qenë jashtëzakonisht shumë e përkushtuar edhe këtë vit në mbështetjen e organizatave rinore dhe për këtë qëllim kemi mbështetur 28 organizata në fushën e sigurisë, përfshi këtu parandalimin e trafikimit, delikuencën, kriminalitetin, dhunën ndëretnike, promovimin e tolerancës dhe mirëkuptimit. Po ashtu, kemi mbështetur 19 qendra dhe organizata rinore në parandalimin e ekstremizmin dhe radikalizmit që shpije në terrorizëm, 5 prej të cilave në partneritet me misionin e OSBE-së. Kjo tregon edhe një herë angazhimin tonë për të qenë bashkë në luftimin e kësaj dukurie të shëmtuar e devijonte që e ka prekur edhe rininë tonë, në të njëjtën kohë të gjithë qytetarët të cilët në raste të caktuar janë ballafaquar me këtë fenomene”, tha Gashi.

Ai tha se do ta kenë një përkushtim edhe më të madh në vitin 2019.

Ministri Gashi ka konfirmuar edhe një herë mbështetjen e MKRS-së që asnjë i ri nga Kosova të mos jetë pre e temave që janë trajtuar në këtë konferencë. Ai tha se do të ndajnë mjete financiare për këtë çështje, madje ai tha se edhe nga fondi rinor një pjesë do të destinohen për luftimin e dukurive negative.

Koordinatori Nacional për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm në kuadër të zyrës së kryeministrit të Kosovës, Lulzim Fushtica, u shpreh se një prej prioriteteve të Qeverisë së Kosovës ka qenë dhe është parandalimi i ekstremizmit të dhunshëm, radikalizmit që shpije në terrorizëm.

Ai tha se është inkurajuese që MKRS ka ndarë fonde për 19 qendra rinore, e që për qëllim kanë luftimin dhe parandalimin e fenomenit të ekstremizmit, radikalizmit që shpije në terrorizëm.

Fushtica: Kemi qytetar që i janë bashkuar luftërave të huaja

“Qasja që ne kemi marrë si Qeveri e Kosovës ka të bëjë me masat e buta, masat e buta që realisht kanë të bëjnë me parandalimin dhe identifikimin e hershëm jo vetëm të këtij fenomeni, po edhe të fenomeneve të tjera që prekin rininë. Për fat të keq, ne kemi një kategori të qytetarëve që Kosovës, e posaçërisht të moshës rinore që kanë marrë një rrugë jashtëzakonisht të gabuar dhe të keqe që iu kanë bashkangjitur luftërave të huaja. Ne duhet që detyrën tonë ta kryejmë me seriozitet dhe të bëjmë më shumë në parandalimin e këtyre aktiviteteve”, u shpreh ai.

Kurse, përfaqësues i OSBE-së, Aibek Zhumashukrov, tha se si OSBE do të vazhdojnë të mbështesin Kosovën në projekte që kanë të bëjnë me sigurinë.

Zhumashukrov: Për të mbështetur parandalimin e ekstremizmit dhe radikalizmit

“Për të mbështetur parandalimin e ekstremizmit dhe radikalizmit sa i përket programit tona të OSBE-së për të mbështetur rininë dhe fuqizimin e tyre. Shkurtimisht dua t’iu them që së fundmi kemi dëgjuar perspektivën e rinisë në lidhje me këtë temë”, tha ai.

Kurse, nga Ministria e Punëve të Brendshme, Ganimete Gerbovci, ka thënë se çelësi për të rritur sigurinë në vend është komunikimi ndërmjet institucioneve.

Gerbovci: Çelësi për të rritur sigurinë në vend është komunikimi ndërmjet institucioneve

“Çelësi i suksesit për të rritur sigurinë në vend pa dyshim është komunikimi ndërmjet institucioneve të nivelit qendror, por akoma më e suksesshme është kur komunikimi rritet ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal. Ne si departament kemi dy divizione, që kryesisht punën e tyre e zhvillojnë në nivel lokal, kjo tregon se ka filluar të ndryshoj mentaliteti i institucioneve qendrore ku rrit komunikimin ndërmjet dy niveleve ku lirisht mund të them që ka qenë një boshllëk i madh në komunikim që tash e kemi tejkaluar. Po ashtu, bashkëpunimi ndërmjet ministrive është rritur dukshëm”, tha ajo.

Konferenca me temën “Toleranca dhe Siguria njerëzore e të rinjve në Kosovë”, është organizuar nga Ministria e Kulturës në bashkëpunim me organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë OSBE./M.Duraku/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat