Shpend Ahmeti kërkon të krijohet një treg i përbashkët ekonomik shqiptar

Aktuale

Shpend Ahmeti kërkon të krijohet një treg i përbashkët ekonomik shqiptar

Më: 27 nëntor 2018 Në ora: 12:35
Shpend Ahmeti

Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë ka hapur sot panairin tradicional “Blej Shqip”, për nder të Ditës së Flamurit.

Panairi që tashmë është bërë tradicional ka për qëllim që të promovohen gjitha produktet nga gjitha trevat shqiptare.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti,  u shpreh se me anë të këtij panairi po e dërgojnë një mesazh që tarifat ndërmjet dy shteteve shqiptare të largohen. Sipas tij, bizneset duhet të funksionojnë lirshëm, në mënyrë siç thotë ai  të krijohet një treg i përbashkët shqiptar ekonomik që do të fuqizonte dy shtetet.

Ahmeti tha se këtë vit në këtë në panair do të jenë mbi 130 biznese, ku gjysma e tyre janë nga shteti i Shqipërisë.

Ahmeti: Tarifat ndërmjet dy shteteve tona duhet të largohen

“Kemi kënaqësinë që po e bëjmë hapjen e panairit tradicional tashmë të komunës së Prishtinës që gjithmonë bëhet në bashkëpunim me institucionet e republikës së Shqipërisë, panairit blej shqip për shkak të rrethanave politike të cilat i kemi, dje i kishim dhe mbledhjen e dy qeverive ku u nënshkruan disa memorandume. Besoj që dhe me këtë panair do të dërgojmë mesazhin që tarifat ndërmjet dy shteteve tona duhet të largohen dhe të njëjtën kohë të kemi një treg të përbashkët ku prodhuesit nga të dy anët e kufirit mund të shesin lirshëm. Është tepër e rëndësishme për ekonominë tonë që të kemi sa më shumë promovim të prodhimeve shqiptare”, tha kryetari Ahmeti.

Ndërsa ambasadori i Shqipërisë, Qemail Minxhozi tha se falë bashkëpunimit me komunën e Prishtinës kanë arritur që të sjellin një numër të madh të bizneseve të Shqipërisë në Prishtinë.

Sipas tij, të gjitha pengesat doganore të tanishme nuk duhet të zvogëlohen, por të largohen të gjitha, pasi mundësitë janë shumë më të mëdha për zhvillim ekonomik.

Minxhozi: Pengesat e deritanishme të largohen të gjitha

“Mbledhja e djeshme e  qeverisë pati karakter kryesisht ekonomik konkret se si barrierat të zvogëlohen kemi thënë përpara, mirëpo  mbledhja e djeshme pati një kryefjalë tjetër të hiqen githa tarifat midis Shqipërisë dhe Kosovës… mundësitë janë shumë më tepër dhe pse jo për dyfishim në qoftë se këto tarifa, qoftë se këto pengesa burokratike të tanishme jo të minimizohen, por të heqen të gjitha”, u shpreh ambasadori Minxhozi.

Oriela Pëllumbaj nga qyteti i Fierit, shprehet se ky panair është shumë i rëndësishëm për t’i promovuar produktet e saj, ndërsa shtoi se deri më tani ka interes nga qytetarët për blerjen e produkteve.

Pëllumbaj: Ky panair na lejon që të promovojmë gjitha produktet tona

“Ne kemi ardhur për të promovuar vajin e ullirit i cili është prej variatetit kalinioz, është një pemë mjera vjeçare. Sot ky panair na lejon që të promovojmë gjitha produktet tona. Deri tani po duket mirë kanë interes të shohim më vonë”, tha ajo.

Panairi do të mbahet më 27, 28 dhe 29 nëntor, në Bulevardin “Nënë Tereza” dhe sheshin “Zahir Pajaziti”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat