Serbët mbështesin Radojçiqin: S’ka kthim prapa - do të ketë ende protesta

Aktuale

Serbët mbështesin Radojçiqin: S’ka kthim prapa - do të ketë ende protesta

Më: 27 nëntor 2018 Në ora: 14:18
Pamje nga protesta

Qytetarët serbë kanë protestuar sot sërish para selisë së EULEX-it në veri të Mitrovicës, kundër taksave ndaj mallrave të Serbisë dhe ndërhyrjes së policisë në atë pjesë, me ç’rast u arrestuan katër qytetarë serbë, të dyshuar për vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviq.

Ata mbanin në duar flamuj të Serbisë dhe pankarta me mbishkrimet ‘Kemi të drejtë në bukë’, ‘Nuk kemi ilaçe’ dhe të ngjashme.

Protesta u ndoq nga një numër i madh i qytetarëve të pjesës veriore të Mitrovicës, të cilëve fillimisht iu adresua ish-kryetari i komunës së Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, i cili sot dha dorëheqjen së bashku me kryetarët e komunave të tjera serbe nga veriu i Kosovës.

Goran Rakiq, kryetari i Listës Serbe, ka bërë publike para të tubuarve dorëheqjen e tij dhe homologëve nga tre komunat tjera veriore me shumicë serbe. Sipas tij, vendimin për dorëheqje e kanë marr për shkak të siç u shpreh, veprimeve të Prishtinës nga të cilat pamundësohet një jetë normale për popullin serb në Kosovë.

Rakiq: Kemi dhënë dorëheqje

“Ne kryetarët kemi marr vendim, përkatësisht kemi dhënë dorëheqje, që do të thotë administrata e pushtetit lokal sipas sistemit të Prishtinës, në veri nuk ekziston më. Kjo jo për shkak që ne duam, por për shkak të veprimeve nga të cilat pamundësohet një jetë normale për popullin serb në Kosovë. Taksat e vendosura do të thotë që fëmijët tonë mos të kenë nesër kushte themelore për jetë, nuk do të kenë ushqim, bukë dhe ujë. Përveç taksave, tubimi ynë sot këtu ka të bëjë edhe me ndërhyrjen brutale të ROSU-së në veri”, ka thënë mes tjerash Rakiq.

Ai akuzoi bashkësinë ndërkombëtare se po hesht para të gjitha këtyre, të cilët sipas tij po pamundësojnë jetën normale të serbëve të Kosovës, ndërsa ka përmendur aksionin e policisë speciale për arrestimin e serbëve të dyshuar për vrasjen e  Oliver Ivanoviq, duke thënë se Prishtina zyrtare ka dashur të vrasë nënkryetarin e Listës Serbe Milan Radoiçiq.

“Vëlla jemi me ty”, tha Rakiq duke iu referuar të kërkuarit nga policia e Kosovës Milan Radoiçiq, njëri ndër të dyshuarit për vrasjen e Ivanoviq më 15 janar të këtij viti para selisë së tij në Mitrovicën e Veriut.  Për më tepër, Rakiq paralajmëroi se serbët se do të vazhdojnë çdo ditë protestat deri në heqjen e taksave 100 për qind ndaj produkteve serbe.

"Do të qëndrojmë këtu dhe më tutje. Ju bëj thirrje qytetarëve të vijnë në një protestë nesër në orën 12.00 në të njëjtin vend. Nga këtu nuk ka kthim,", porositi tha ai.

Ndërkaq, drejtori i spitalit në veri të Mitrovicës, Millan Ivanoviq, të pranishmit i ka quajtur simbol të rezistencës, luftës për liri dhe qëndresës në të vetmin shtet, atë të Serbisë.

Ivanoviq: Nuk jap dorëheqje

“Unë nuk do të jap dorëheqje, sepse unë jam institucion serb dhe shëndetësia është në kuadër të sistemit shëndetësor të shtetit të Serbisë. Kështu duhet dhe kështu do të mbetet… Të gjithë ju këtu jeni simbol i rezistencës, luftës për liri dhe simbol i qëndrimit tonë në të vetmin shtet, atë të Serbisë”, theksoi Ivanoviq.

Protesta ka zgjatur rreth një orë dhe nuk është shënuar ndonjë incident. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat