Opozita kërkon nga Qeveria një plan pas dorëheqjeve të kryetarëve të katër komunave

Aktuale

Opozita kërkon nga Qeveria një plan pas dorëheqjeve të kryetarëve të katër komunave

Më: 27 nëntor 2018 Në ora: 15:27
Në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion

Derisa kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka vendosur të mos deklarohet në lidhje me dorëheqjen e kryetarëve të komunave me shumicë serbe, opozita e quan si gjendje të jashtëzakonshme e po ashtu këta të fundit kërkojnë nga Qeveria që të kenë një plan pas dorëheqjeve.

Në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion, kryetarja  Albulena Haxhiu ka kërkuar nga anëtarët e komisionit që të diskutohet çështja e dorëheqjeve të kryetarëve të komunave.

Deputeti i PDK-së Hajdar Beqa në lidhje me këtë, u shpreh se  duhet të merren informata zyrtare nga akterët kryesorë, e jo të merren siç u shpreh ai, me informata të portaleve.

Beqa: Duhet të njoftohemi zyrtarisht, e jo nga portalet

“Ne po pajtohemi me e thirr ministrin edhe këshillin prokurorial, edhe gjyqësor të informohemi zyrtarisht, e jo të shqyrtojmë portalet a po të diskutojmë në bazë të portaleve... absulut . Është një situatë e jashtëzakonshme, derisa na komentojmë portalet aty po shihet që ka dhënë dorëheqje kryetarët e veriut , të Republikës së Kosovës janë, në pjesën veriore”, tha Beqa.

Në anën tjetër, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi , tha se Qeveria në momentin kur ka marrë veprime, do të duhej të kishte planin se si të vepronte në rastin ndaj kundërveprimeve të Serbisë.

Gashi: Qeveria do të duhej ta priste një veprim të tillë nga kryetarët të cilët janë dorëhequr

“ Është një situatë politike e cila po zhvillohet në Kosovë, është dashur me prit Qeveria që do të ndodh kjo punë, është dashur me planifiku që në momentin kur e marrin një veprim, kanë me marrë një kundërveprim. Po shpresoj që Qeveria e ka planfiku. Përndryshe nëse Qeveria nuk e ka një plan është shumë keq, nënëkupton që ka hyrë në një aventurë, por pa i planifiku pasojat. Unë dua me besu që Qeveria e Kosovës, si institucion ekzekutiv i Kosovës, nuk ka bërë aventurë, përndryshe është dëm i madh që i bëhet vendi. Kjo është situata në të cilën jemi”, ka shtuar Gashi.

Gjendja të jashtëzakonshme e ka quajtur këtë të kohëve të fundit, deputeti i PSD-së, Frashër Krasniqi. Ai ka kërkuar nga skena politike që të jenë të unifikuar.

Krasniqi: Kosova është në një gjendje të jashtëzakonshme

“Sot është koha sidomos në këtë situatë, kur kemi një lloj gjendje të jashtëzakonshme, e cila herë duket që është e herë jo, por sidoqoftë është një gjendje ku jemi, prej vendosjes së masave, prej mos pranimit në INTERPOL, të vendosjes së masave, tash dorëheqjes, të gjitha këto janë duke qu në këtë gjendje, në të cilën mendojmë që skena politike duhet të reagojë si një skenë e bashkuar dhe e unifikuar dhe konsensuale, sa i përket përballjes me Serbinë”, ka thënë Krasniqi.

Në mbledhjen e komisionit për Legjislacion është aprovuar,  shqyrtimi i raportit me amendamente i Komisionit Funksional për Projektligjin për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës nga viti shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99.

Ndërsa, sa i përket shqyrtimit të raportit me amendamente të Komisionit Funksional për Projektligjin për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës, është shtyrë në mbledhjen tjetër të komisionit.

Po ashtu në këtë mbledhje është miratuar shqyrtimi i raportit me amendamente i Komisionit Funksional për Projektligjin për sponzorizime në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat