Policia thotë se protestuan mbi 6 mijë serbë në Mitrovicë

Aktuale

Policia thotë se protestuan mbi 6 mijë serbë në Mitrovicë

Më: 27 nëntor 2018 Në ora: 15:27
Ilustrim

Ka përfunduar protesta e organizuar nga serbët në Mitrovicën Veriore. Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Veriut, Besim Hoti, ka treguar si shkoi protesta dhe sa protestues ishin pjesëmarrës.

Hoti tregon se protesta e zhvilluar sot në Mitrovicën Veriore për ta kundërshtuar vendimin e Qeverisë për taksen 100 për qind ndaj produkteve serbe, ka përfunduar e qetë.

“Ka përfundu protesta në ora 13:00, protesta ka qenë e qetë pa telashe pa ngarkesa, gjithçka ka shkuar në rregull”, ka thënë Hoti.

Tutje, zëdhënësi i policisë thotë se numri i protestuesve ka qenë rreth 6-7 mijë.

Ndërkaq mediat serbe në veri e kanë rritur këtë numër duke thënë se sot kanë qenë rreth 10 mijë protestues.

Media gjatë ditës ka raportuar nga veriu, ku u zhvillua protesta. Banorët serbë po drejtoheshin nga zyrtarët e lartë të Listës Srpska.

Vetëm një orë më parë kishin dhënë dorëheqje katër kryetarë të komunave serbe, duke përfshirë edhe Goran Rakiqin e Mitrovicës Veriore. Bashkë me të edhe kryetarët e Zveqanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.

Gjykata Themelore e Mitrovicës ka konfirmuar se punonjësit serbë kanë vendosur ta bojkotojnë punën në këtë institucion.

Në protestë mori pjesë edhe ministri i Bujqësisë në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rikallo.

Muaj më parë ministrat serbë kanë njoftuar daljen nga Qeveria Haradinaj. Ndonëse zyrtarisht bartin akoma postet e tyre, ministrat serbë kanë injoruar secilën mbledhje të Qeverisë, që nga arrestimi i Marko Gjuriqit në mars të këtij viti.

Lista Srpska po ashtu ka ofruar nënshkrimet e saj për ta rrezuar qeverinë, menjëherë pasi Qeveria e Kosovës kishte vënë taksë prej 10 për qind ndaj produkteve me origjinë serbe, për shkak të fushatës së egër ndaj shtetësisë së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat