Propaganda serbe në Interpol: U përmendën “vrasjet” e Nasim Haradinajt, djali i Shpend Maxhunit...

Aktuale

Propaganda serbe në Interpol: U përmendën “vrasjet” e Nasim Haradinajt, djali i Shpend Maxhunit...

Më: 27 nëntor 2018 Në ora: 18:11
INTERPOL

Nga frika se do të ngrihen më shumë se 5 mijë fletë arreste për serbët të cilët kanë kryer krime makabre gjatë luftës së fundit në Kosovë, politikanët nga Serbia në krye me shefin e diplomacisë së saj, Ivica Daçiq, kanë bërë një fushatë të egër kundër anëtarësimit të Republikës së Kosovës në INTERPOL.

Rezultati i një fushate të tillë rezultoi me dështimin e Republikës së Kosovës për t’u pranuar në INTERPOL.

Përveç deklarimeve publike dhe fushatës kundër Republikës së Kosovës ka arritur të sigurojë një dokument ekskluziv i cili u është shpërndarë nga Serbia, shteteve anëtare të INTERPOLIT pak momente para votimit për pranimin e Kosovës.

Në atë dokument Serbia ka listuar një sërë ‘faktesh’, se pse Republika e Kosovës nuk do të duhej të anëtarësohej në INTERPOL.

Fillimisht është thënë se përpjekja e Kosovës për anëtarësim në INTERPOL është në kundërshtim me ‘Rezolutën 1244’ të Kombeve të Bashkuara dhe ligjin ndërkombëtar.

Si argument kundër Kosovës gjithashtu është përmendur edhe deklarata e nënkryetarit të Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradianj, i cili kishte thënë se i vjen keq që nuk ka mundur të vrasë edhe më shumë ushtarë serbë.

Megjithatë në fjalinë ku citohet Haradinaj, nuk është specifikuar fare fjala ‘ushtarë’, duke treguar se një dokument i tillë ishte një propagandë e pastër serbe.

“Sa i përket sigurisë rajonale, dhe statusit të serbëve, është shqetësuese retorika që përdoret nga përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës për krijimin e Shqipërisë së Madhe. Një gjë e tillë ndikon negativisht, në statusin e serbëve që jetojnë ne veri. Gjuha e urrejtjes ndaj serbëve nuk është dënuar. Shembulli i fundit për këtë janë deklarimet e Nasim Haradinajt, i cili shprehu keqardhje ‘që nuk ka mundur të vrasë më shumë serb’”, thuhet në këtë dokument të siguruar nga Express.

Në këtë dokument ndër të tjera thuhet se janë rritur edhe sulmet e motivuara etnikisht kundër serbëve, që po i detyrojnë ata të lëshojnë Republikën e Kosovës.

Aktakuzat e ngritura ndaj 6 ministrave të Qeverisë së Ramush Haradinajt, gjithashtu janë përmendur në këtë dokument.

Një gjë tjetër që është përmendur, është edhe dështimi i autoriteteve të Republikës së Kosovës me çështjen e dëshmitarëve të mbrojtur.

Në këtë dokument përmendet vrasja e Bedri Currit si dëshmitar potencial në Gjykatën Speciale.

Edhe vizita e Hashim Thaçit në Liqenin e Ujmanit nën shoqërimin e forcave speciale të Policisë së Kosovës, është renditur si një argument kundër Kosovës në INTERPOL, duke thënë se një akt i tillë ka qenë një provokim i hapur për popullin serb.

Sa i përket ministrit të Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, në dokument shkruhet se është një person i njohur për qëndrimet e tij të forta kundër serbëve.

Vrasja e politikanit serb, Oliver Ivanoviq, gjithashtu është përfshirë në këtë dokument, duke thënë se kur vije puna për ndonjë qytetar të serb, autoritetet e Kosovës bëjnë hetime selektive.

Aty thuhet që për këtë rast, autoritetet e Republikës së Kosovës kanë refuzuar që të bashkëpunojnë me autoritetet nga Serbia lidhur me këtë rast.

Rasti i djalit të Shpend Maxhunit gjithashtu zë vend në këtë dokument.

“ Integriteti i zyrtarëve policor vihet në pikëpyetje pas përpjekjes për të mbuluar arrestimin e djalit të Shpend Maxhunit shefit të Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës”, thuhet në këtë dokument.

Mos përmbushja e marrëveshjeve të arritura në Bruksel është përmendur po ashtu në këtë dokument.

Në fund të këtij dokumenti ishte listuar edhe vrasja e Oliver Ivanoviqit dhe arrestimi i Marko Gjuriqit gjatë vizitës ilegale brenda territorit të Republikës së Kosovës.

Gjatë votimit për anëtarësim në INTEPOL, në raundin e parë Republika e Kosovës kishte marrë 76 vota pro, ndërsa 56 kundër.

Në raundin e dytë bilanci ishte edhe më i keq. Për kishin votuar vetëm 68 vende ndërsa kundër 51, ndërsa 16 shtete kishin abstenuar. Në mesin e abstenuesve ishin edhe  shtete të cilat e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës.

Pas atij votimi serbët kishin festuar, ndërsa ministri i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli kishte deklaruar se kishte fituar e keqja.

“Sot nuk ka fitues, nuk ka fitu as Serbia, por mund të them se i vetmi fitues sot është e keqja. Më vjen keq për punët dhe angazhimet që i kemi bërë. Është bërë një punë e mrekullueshme dhe një punë e madhe, mirëpo kjo sot nuk është shpërblyer. Është vështirë në këto kushte të sigurohen dy të tretat. Besoj se nuk duhet të dekurajohemi, dhe kërkoj unitet nga spektri politik”, kishte deklaruar Pacolli pas dështimit për anëtarësim në INTERPOL me 20 nëntor.

Nga opozita kosovare ndërkohë kishin ardhur kritika të shumta në drejtim të diplomacisë kosovare, duke kërkuar dorëheqjen e Pacollit.

Ndërsa opozita në Serbi kishte kritikuar fushatën e Serbisë kundër anëtarësimit të Republikës së Kosovës në INTERPOL, duke thënë se po iu lihen rrugët e lira kriminelëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat