Nëna rrëfen si i vdiq e bija pasi kishte dalë me të akuzuarin

Aktuale

Nëna rrëfen si i vdiq e bija pasi kishte dalë me të akuzuarin

Më: 28 nëntor 2018 Në ora: 00:31
Pamje nga seanca gjyqsore: Gjykimi i Shaqir Sylmetajt

Në gjykimin ndaj Shaqir Sylmetajt, i akuzuar për veprën penale mosdhënie e ndihmës për tani të ndjerën Arjeta Sylaj, sot para Gjykatës në Gjakovë dëshmuan nëna e të ndjerës dhe eksperti mjeko-ligjor.

Shaqir Sylmetaj, po akuzohet se pasi që kishin darkuar dhe konsumuar pije alkoolike së bashku me viktimën, asaj i ishte përkeqësuar gjendja shëndetësore dhe në vend që ta dërgonte në spital e ka çuar te nëna e saj.

Aktakuza e përpiluar nga prokurori Agim Kurmehaj thotë se këto veprime janë konsumuar në vitin 2012, ndërsa sot aktakuzën e përfaqësoi prokurori Ali Uka.

Në seancën e sotme, para kryetarit të trupit gjykues Shaqir Zika, Ajmone Sylaj, nëna e të ndjerës Arjeta, tha se ishte në dijeni për lidhjen e vajzës së saj me të akuzuarin Shaqir Sylmetaj për 3 vite rresht dhe se të njëjtit janë dashur mes vete.

E përfshirë nga emocionet për vdekjen e vajzës së saj, ajo shtoi se vajza e saj nuk konsumonte alkool, mirëpo ka qenë e shkruar të ndodhte një rast i tillë.

“Ditën kritike unë e kam ditur se të dy kanë dalë së bashku dhe pas disa orësh më ka thirrë Shaqiri dhe më ka treguar që vajza ime kishte humbur vetëdijen, ndërsa unë i kam thënë të ma sjell në shtëpi”, tha dëshmitarja Ajmone Sylaj.

“Pastaj bashkë me dy djemtë e kojshisë e kemi dërgu në spital, mirëpo mjekët më kanë thënë që kishte vdekur”, rrëfeu ajo.

Në pytjen e gjyqtarit Zika se a dëshiron që i akuzuari të dënohet, Ajmone Sylaj tha se nuk kërkon që Shaqir Sylmetaj të dënohet e as nuk kërkon shumë të caktuar të të hollave.

“Nga ai kërkoj që të kujdeset për mua, sepse nuk kam askënd tjetër”, tha dëshmitarja.

Seancën e gjykimit të sotëm u drejtoi Shaqir Zika, i asistuar nga gjyqtaret Myfera Hoxha dhe Manduhije Syla.

Pas Ajmone Sylajt dëshmoi edhe eksperti mjeko-ligjor Musa Gashi, i cili tha se sasia e alkoolit të gjetur në trupin e tani të ndjerës ka dërguar në vdekjen jo të natyrshme të saj.

“Shkalla e lartë e alkoolit e ka dërguar të ndjerën në një gjendje të gjumit, komës dhe vdekjes”, tha eksperti Musa Gashi.

“Nëse e ndjera do të kishte qenë konsumuese kronike e alkoolit, në ekzaminim do të gjenim organe të dëmtuara, mirëpo organet e saj ishin në rregull, pra rezultati i vdekjes është abuzimi akut i alkoolit”, tha eksperti Gashi.

Gjykimi vazhdoj me marrjen në pyetje të të akuzuarit Sylmetaj.

Shaqir Sylmetaj, në prani të avokatit të tij Ndrec Dodaj tha se bashkë me të ndjerën kishin konsumuar 4 shishe me verë të kuqe dhe nga një gotë raki. Ai theksoi se e ndjera kishte qenë ne gjendje të mirë dhe se ia kishte tërhequr vërejtjen Arjetës që të mos pinte shumë.

Prokurori Ali Uka e pyeti të akuzuarin se a kishin pasur marrëdhënie seksuale atë ditë me të ndjerën.

Në përgjigjen e tij, ai tha se marrëdhënie seksuale kishin pasur rrugës kur ishin dalur, pra para se e ndjera të humbte vetëdijen.

“Në momentin kur e kam vërejtur që Arjeta e ka humbur vetëdijen menjëherë e kam thirrur nënën e saj dhe e kam dërguar në shtëpi, por nuk më ka shkuar mendja se do të vdiste në atë gjendje”, tha i akuzuari Shaqir Sylmetaj.

Pas rrëfimit të tij për rastin e ndodhur, Shaqir Sylmetaj duke kërkuar nga Gjykata që ta lirojë nga akuza, ai me lot në sy i shprehu ngushëllime dhe falje familjes së viktimës.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Ndrec Dodaj, i propozoi Gjykatës që ta lirojë nga aktakuza të mbrojturin e tij, me arsyetimin se veprimet e tij nuk përmbajnë elemente të veprës penale, por thjesht se rasti ka ndodhur.

Ndërkaq prokurori Ali Uka thekson para trupit gjykues se bën ricilësiminn e veprës penale, meqenëse që nga koha e kryerjes së veprës penale në ndërkohë ka hyrë në fuqi Kodi në vitin 2013 dhe se duhet të zbatohet ligji më i favorshëm për të akuzuarin, duke kërkuar kështu nga Gjykata që ta dënojë të njëjtin dhe ta obligojë në pagesën e shpenzimeve procedurale.

Për këtë rast shpallja e aktgjykimit do të bëhet të premten.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat