Lufta për furnizimin e Kosovës

Aktuale

Lufta për furnizimin e Kosovës

Më: 28 nëntor 2018 Në ora: 00:41
Kufiri

Vendosja e tarifës për mallrat serbe ka rritur interesimin mes Kosovës dhe Shqipërisë për shkëmbimin e mallrave. INSTAT raporton se vetëm në 10 muaj Shqipëria ka eksportuar mallra që kapin një vlerë prej 22.4 mld lekë. Ndërkohë që vendosja e taksës 100% ndaj Serbisë nga Kosova është mundësi shumë e mirë për të rritur marrëdhëniet tregtare midis dy vendeve tona. 

Viti 2018 ka rezultuar pozitiv në marrëdhëniet ekonomike mes Shqipërisë dhe Kosovës.

INSTAT raporton se vetëm në 10 muajt e parë të këtij viti janë eksportuar 22.4 mld lekë mallra drejt Prishtinës.

Në raport saktësohet se shkëmbimet kanë prekur një rritje me 4.8 mld lekë, ose 27.5% më shumë.

Por pavarësisht kësaj, marrëdhëniet tregtare midis dy vendeve tona mbeten në nivele shumë të ulëta.

Për përfaqësuesit e bizneseve, shkak janë barrierat tregtare, tarifat dhe mosnjohja e çertifikatave fitosanitare.

Madje ata shprehen se pavarësisht marrëveshjeve të realizuara deri më sot midis dy qeverive, biznesi shqiptar dhe kosovar kanë deklaruar se asgjë nuk është zbatuar konkretisht.

Edhe importet nga Kosova kanë shënuar rritje edhe pse zënë një peshë të ulët krahasuar me Greqinë dhe Italinë, duke shkuar në një shumë prej 7.3 mld lekësh.

Aktualisht Kosova ka vendosur të tarifojë me 100 për qind të vlerës produktet serbe, duke ngritur një barrierë për to.

Impakti për këtë llogaritet të shkojë në 400 mln euro. Peshën kryesore të importeve  serbe drejt Kosovës e zënë energjia, gruri, vaji, pijet freskuese dhe karburanti.

Ndërsa vetë biznesmenët theksojnë se ky moment duhet të shfrytëzohet për të rritur shkëmbimet tregtare me Shqipërinë, ku deri më tani çeliku, karburantet, çimentoja, alumini dhe zarzavatet janë mallrat më të kërkuar.

Tashmë do të duhet që të rritet dhe eksporti i energjisë, por dhe gjetja e rrugëve të tjera për furnizimin me drithëra dhe vaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat