Bolton: Koha është tani për marrëveshjen Kosovë Serbi

Lajme

Bolton: Koha është tani për marrëveshjen Kosovë Serbi

Më: 28 nëntor 2018 Në ora: 04:25
Zyrtari i lartë i Shtëpisë së Bardhë i bëri këto komente të martën përmes një postimi në Twitter pas takimit me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi.

Këshilltari i presidentit Trump për Sigurinë Kombëtare John Bolton tha se momenti është tani për Kosovën dhe Serbinë të arrijnë një marrëveshje.

Zyrtari i lartë i Shtëpisë së Bardhë i bëri këto komente të martën përmes një postimi në Twitter pas takimit me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi. Zoti Bolton tha se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndihmojnë të dyja palët drejt arritjes së këtij synimi historik.

Presidenti i Kosovës ndodhet në Uashington në një vizitë zyrtare. Të hënën ai u takua me Sekretarin e Shtetit Michael Pompeo. Sipas zëdhënëses së Departamentit të Shtetit, zoti Pompeo përcolli të njejtin mesazh, duke u bërë thirrje të dyja palëve të shfrytëzojnë mundësinë që është krijuar për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve.

“Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, është e vetmja mënyrë për t’u hapur rrugën të dy vendeve për integrimin e ardhshëm në komunitetin e vendeve perëndimore. Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndihmojnë dhe të mbështesin palët për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme, të zbatueshme dhe që të rrisë stabilitetin”, thuhet në deklaratën e zëdhënëses.

Shtetet e Bashkuara kanë theksuar gjatë muajve të fundit se janë të gatshme të shqyrtojnë çdo lloj marrëveshje për të cilën do të binin dakort të dyja palët dhe që do të ishte e zbatueshme.

Presidenti i Kosovës Thaçi ka hedhur idenë e "korrigjimit" të kufijve gjatë muajve të fundit, por pa a sqaruar asnjëhere saktë se çfarë nënkupton me të. Nuk dihet në se ekziston ndonjë projekt-dokument për këtë ide, që sipas zotit Thaçi është mënyra më e mirë për të kapërcyer përpjekjet disavjeçare për normalizimin e marrëdhënieve që nuk kanë sjellë ndonjë rezultat. Në Kosovë kjo ide është pritur me kritika të ashpra nga shumica e forcave politike. Përplasjet mes presidentit dhe kryeministrit janë bërë tashmë publike.

Gjatë vizitës në Uashington, në komentet pas takimeve me sekretarin Pompeo dhe zotin Bolton, presidenti Thaçi nuk e ka përmendur idenë e "korrigjimit" të kufirit, por ka falenderuar palën amerikane për gadishmërinë për të ndihmuar Kosovën në përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Një krizë e re ka lindur ditët e fundit në marrëdhëniet mes dy vendeve, pas tarifave prej 100% që qeveria e Kosovës ka vendosur ndaj importeve serbe, në shenjë hakmarrje ndaj politikës së vazhdueshme të Beogradit për të bllokuar anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Sekretari i Shtetit Pompeo i bëri thirrje presidentit Thaçi që Kosova t'i heqë tarifat tregëtare ndaj Serbisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat