MPJ mohon se Zyrtari Ndërlidhës i Serbisë përballet me pengesa

Aktuale

MPJ mohon se Zyrtari Ndërlidhës i Serbisë përballet me pengesa

Më: 28 nëntor 2018 Në ora: 11:10
Behgjet Pacolli

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës përmes një kumtese për media i ka hedhur poshtë dhe i ka vlerësuar si tërësisht të pavërteta, të papërgjegjshme dhe të papranueshme deklaratat e Institucioneve shtetërore të Republikës së Serbisë në lidhje me pretendimet për pengesat, të cilat sipas Serbisë, Zyrtari Ndërlidhës i Serbisë i ka hasur gjatë kryerjes së obligimeve në Kosovë.

“Ministria e Punëve të Jashtme sipas informacioneve të saj të siguruara nga Institucionet përgjegjëse të linjës rikonfirmon se Zyrtari Ndërlidhës i Republikës së Serbisë në Republikën e Kosovës nuk ka pasur asnjë pengesë dhe vështirësi në ushtrimin e detyrave dhe përgjegjësive të tij, ashtu siç përcaktohen me Marrëveshjen e Brukselit. Ministria e Punëve të Jashtme vlerëson punën, rolin dhe angazhimin konstruktiv të Zyrtarëve Ndërlidhës, të cilët që nga emërimi i tyre kanë kontribuar në zhvillimin e një komunikimi të mirëfilltë në mes të Institucioneve të të dyja shteteve dhe në mbështetje të kësaj inkurajon zgjerimin e fushëveprimit të tyre”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.

Për më tepër, sa i përket pretendimeve dhe akuzave të pabaza për mos përmbushje të detyrave, që rrjedhin nga Marrëveshja e Brukselit për Zyrat Ndërlidhëse, Ministria e Punëve të Jashtme thekson se Policia e Republikës së Kosovës do të jetë në kohën dhe vendin e caktuar nga Zyrtari Ndërlidhës i Republikës së Serbisë dhe do t’i përmbushë detyrat dhe obligimet e veta me profesionalizëm, përkushtim dhe përgjegjësi të lartë, ashtu siç ka vepruar çdoherë deri më tash.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat