Haradinaj: Do ta kemi vështirë të mbetemi garues në tregun ekonomik

Aktuale

Haradinaj: Do ta kemi vështirë të mbetemi garues në tregun ekonomik

Më: 29 nëntor 2018 Në ora: 12:27
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha sot se do të jetë vështirë të mbetemi garues në tregun ekonomik në vend, pavarësisht taksave të vendosura, nëse nuk zhvillohen aftësitë tjera, në mënyrë që të tërhiqen investimet.

Ai këto komente i bëri në Inaugurimin e Qendrës së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, hapësirë kjo e destinuar për studentët e UP-së, inovatorët, ndërmarrjet inovative, në proces të parainkubimit dhe inkubimit dhe për të rinjtë e interesuar për përgatitje profesionale në fushën e inovacionit, për përmbushjen e kërkesave të tregut të punës në Republikën e Kosovës.

Kryeministri Haradinaj tha se në Kosovë është një projekt që meriton respekt, Parku Inovativ Trajnues në Prizren, që do të jetë edhe pikënisje për bizneset, ideve inovative.

“Idetë tuaja duhet t’i mbështesim dhe të gjithë ju duhet të na konsideroni partnerë”, tha ai.

Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj tha se e vetmja fuqi konkurruese në kohën e ekonomisë globale, në kohën e digjitalizimit, në kohën kur bota po shkon drejt kompjuteristikës, dronëve, robotëve, është rinia, e cila është promotori dhe gjeneratori kryesor i zhvillimit ekonomik.

“Po punojmë fuqishëm që ta ndryshojmë konceptin e mendimit ekonomik në vend”, tha ministri Beqaj, duke shtuar se me hapjen e kësaj qendre po tentojmë që ta lidhim botën akademike me biznesin, me jetën reale. 

Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, Ahmet Shala, tha se Qendra e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë të UP do të jetë qendër ku inovatorët dhe hulumtuesit e profileve të ndryshme do të kenë mundësinë të paraqesin inovacionet e tyre dhe hulumtimet praktike nga lëmit e inxhinierisë mekanike, si: mekatronikë, automjete motorike, zhvillim i softuerëve inxhinierik, robotikë, etj.

Në inaugurimin e Qendrës së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në UP, një fjalë e mbajti edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli dhe Myrvete Badivuku-Pantina, prorektore e UP-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat