Selimi e quan të çmendur Thaçin, thotë se presidenti ka plan sekret me Vuçiqin në dëm të Kosovës

Aktuale

Selimi e quan të çmendur Thaçin, thotë se presidenti ka plan sekret me Vuçiqin në dëm të Kosovës

Më: 29 nëntor 2018 Në ora: 21:54
Hashim Thaçi dhe Rexhep Selimi

Deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, i ka quajtur përralla deklaratat e presidentit Hashim Thaçi se takohet me homologun serb për të mirën e vendit. Sipas tij, dy kryetarët kanë marrëveshje sekrete në dëm të Kosovës.

Në Rubikon të KTV-së, Selimi ka thënë se dikur ish-bashkëluftëtari i tij është i koordinuar mirë me homologun serb Aleksandar Vuçiq për të gjitha ngjarjet në Kosovë. E ka quajtur të çmendur Thaçin.

Sipas tij, ata janë të koordinuar edhe për dorëheqjet e katër kryetarëve të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës.

“Ky është i çmendur... me fal, jo, jo.. nuk është vetëm i çmendur. Ky është fort i mençur, tash e ka marrë shembull Palestinën. Një herë i merr marrëdhëniet mes Gjermanisë e Francës. Paramendoje, sikur ne i kemi borxh Serbisë. Ku e dimë ne se çka fsheh ai, është përkujdesur shumë që të fshehë. Ai flet për marrëveshjen përfundimtare dhe çdo gjë që dimë ne është marrëveshja përfundimtare po nuk e dimë se çfarë përmban ajo marrëveshje. Ai po thotë diçka që as nuk e ka në plan ta bëjë, as që nuk mundet ta bëjë sepse s’e ka qëllim”, ka thënë Selimi.

Sipas Selimit, Thaçi e Vuçiqi kanë një marrëveshje. Ka thënë se çfarë mund të jetë ajo kur merr aprovimin e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, që njihet si përkrahës i Serbisë.

“Unë mendoj që ai ka një plan, por që janë kujdesur që mos ta dijë populli i Kosovës dhe ka plan sekret mes Thaçit e Vuçiqit në dëm të Kosovës. Përderisa kjo marrëveshje është arritur mes Thaçit e Vuçiqit, si mund të jetë e mirë. Paramendojeni për çfarë bëhet fjalë kur një marrëveshje e tillë ka arritur të marrë aprovimin edhe të Putinit”, ka shtuar ai.

Selimi tha se Kosova nuk e shpalli pavarësinë e saj për ta lutur Serbinë që ta njohë këtë status dhe një gjë e tillë nuk ka nevojë të bëhet.

“Ne mund t’i themi Serbisë që nuk ta duam njohjen, në e kemi shpallur pavarësinë dhe nuk e kemi bërë për ta lutur Serbinë për të na njohur”, ka deklaruar më tej Selimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat