Komisioni miraton projektligjet për FSK-në

Aktuale

Komisioni miraton projektligjet për FSK-në

Më: 30 nëntor 2018 Në ora: 11:23
Komisioni për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim

(E plotësuar) - Komisioni për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim ka miratuar tri projektligje për shndërrimin e FSK-së në ushtri.

Votimi i këtyre projektligjeve erdhi pas kërkesës së nënkryetarit të këtij komisioni Xhelal Sveçla për të futur këto pika në rend të ditës.

Me shumicë votash anëtarët e Komisionit kanë votuar për tri projektligjet, megjithatë para se të vijë deri te votimi pati diskutime mes përfaqësuesve të komuniteteve pakicë.

Deputeti Veton Berisha, ka propozuar dy amendamente për projektligjin për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Berisha: Përfaqësimi i të gjitha komuniteteve jo shumicë në minimum 10 përqind

“Propozoj që në nenin 5 të projektligjit në paragrafin 1, pas fjalëve nga shtetasit e Republikës së Kosovës të shtohen fjalët duke siguruar përfaqësimi i të gjitha komuniteteve jo shumicë në minimum 10 përqind të numrit të përgjithshëm. Amendamenti numër 2, propozoj që në nenin 17 të ligjit paragrafit 2.6 të këtij projektligji, të fshihet shpjegim për amendamentin. Neni 17 mbi kompetencat dhe përgjegjësitë e kryeministrit paragrafi  2.6 përcakton se kryeministri ka kompetenca të përcaktojë minimumin e përfaqësimit të gjitha komuniteteve brenda FSK-së sipas regjistrimit të fundit të popullsisë... Normalisht që kemi besim në institucione, normalisht që kemi besim edhe në kryeministra, megjithatë diçka që është në interes të FSK-së përfaqësimi ose me qenë një forcë multietnike dhe e vetmja gjë që  e garanton dhe u jep mundësi komuniteteve me pas forcë multietnike është mirë me u parapa minimumi i komuniteteve 10 përqind”, propozoi Berisha.

Ai u shpreh se është mirë që të përcaktohet me ligj përfaqësimi i komuniteteve dhe të mos mbetet në vullnetin e askujt.

Pas kësaj kërkese përfaqësuesit e grupit parlamentar të 6 Plus kanë mbështetur këtë kërkesë të deputetit  Veton Berisha.

Anëtarja e këtij komisioni, Duda Bale, ka thënë se për vendet e siguruara për komunitetet shumica janë të komunitetit serb.

Balje: Ne kemi pasur disa herë edhe problem në vendin e komuniteteve është dikush tjetër

“Jemi gati sigurt për secilin vend që është definuar për komunitete janë më shumë përfaqësuesit serb. Ne kemi pasur disa herë edhe problem në vendin e komuniteteve është dikush tjetër, do të thotë e ka plotësuar vendin dhe këtu ka qenë arsyeja se pse ne kemi një nevojë me sigurua vetveten me ligj. Ne jemi për me formua ushtrinë e Kosovës dhe jemi për të qenë ushtria multietnike”, tha ajo.

Edhe deputeti Danush Ademi, ka thënë se përfaqësimi i pjesëtarëve të komuniteteve duhet të bëhet në mënyrë të barabartë.

Ademi: Komunitetet të kenë përqindjen e barabartë

“Komunitetet të kenë përqindjen e barabartë, sa i merr komuniteti serb, komuniteti ashkali, komuniteti boshnjak, përqindja të jetë në mënyrë të barabartë për të gjithë. Jo dikush t’i marrë 70 përqind, dikush t’i merr 5 përqind, dikush asnjë përqind nga komunitetit. Unë mendoj që kjo një herë e përgjithmonë të definohet me amendamentet konkret”, tha ai.

Por, deputeti i LDK-së, Kujtim Shala, ka thënë se si komision nuk kanë të drejtë që të miratojnë amendamente të reja.

Shala: Ne nuk kemi të drejtë që të miratojmë amendamente të reja

“Ne nuk kemi të drejtë që të miratojmë amendamente të reja. Mandati  ynë është tjetër që të shohim materialin të cilin e marrim nëse është në përputhje me interesin e komuniteteve. Ndërkaq, ne mund të dërgojmë në seancë si vërejtje  nga këtu ose ka një mënyrë tjetër, që kolegët deputet t’i drejtohen komisionit funksional, sepse ky komision nuk ka të drejtë  të miratoj kërkesa të tilla”, tha Shala

Edhe deputeti i Nismës Haxhi Shala, i cili është edhe kryetar i komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka thënë se në projektligj është e paraparë që FSK është forcë multietnike.

Shala: FSK duhet të përfaqësohet sipas regjistrimit të fundit nga të gjitha komunitetet

“Në ligjin që është, është FSK është forcë multietnike, e cila duhet të përfaqësohet sipas regjistrimit të fundit nga të gjitha komunitetet. Tash, nëse janë 3 përqind boshnjak, 3 përqind të boshnjakëve të jenë aty. Por, vendet nuk ruhen, në FSK nuk ka zbrastësi, kurdo që konkurrojnë ka vende të merituara, njëkohësisht përfaqësimi do të jetë në bazë të numrit të regjistrimit të fundit të komuniteteve”, tha ai.

Pas deklarimit të Shalës, deputetja e grupit 6+ Duda Balje ka lexuar projektligjin dhe ka thënë se janë në rregull sa i përket përfaqësimit të komuniteteve në FSK.

Propozimi  i deputetit Berisha nuk ka kaluar.

Por, ai ka pasur edhe një propozim sa i përket projektligjit për shërbimin në FSK, ku kërkoi që 10 përqind të pjesëtarëve të jenë nga komuniteti jo shumicë i cili gjithashtu nuk ka kaluar.

Në këtë mbledhje komisioni ka miratuar Projektligjin për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës nga viti shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99, me raport amendamente të Komisionit funksional për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sport, Inovacion dhe Ndërmarrësi;

Është miratuar edhe Projektligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale me raport amendamente të Komisionit funksional për Punët të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së.

Po ashtu, është miratuar edhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.2003/24, Ligji i Sportit, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin 04/L-075 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.2003/24 për Sport me raport amendamente të Komisionit funksional për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sport, Inovacion dhe Ndërmarrësi.

Komisioni ka miratuar edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr.05/L-090 për sponsorizime në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit, me raport amendamente të Komisionit funksional për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sport, Inovacion dhe Ndërmarrësi.

Gjithashtu, është miratuar edhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr.05/L-075 për parandalimin dhe sanksionimin e dhunës dhe dukurive negative në ngjarjet sportive, me raport amendamente të Komisionit funksional për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sport, Inovacion dhe Ndërmarrësi.

Si dhe, ka miratuar Projektligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, me raport amendamente të Komisionit funksional për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit.

***

Komisioni për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim ka miratuar tri Projektligjet për FSK-në.

Anëtarët e këtij komisioni me shumicë votash miratuan Projektligjin për Ministrinë e Mbrojtjes, për FSK-në dhe atë për Shërbimin në këtë forcë.

Kjo erdhi pas kërkesës së nënkryetarit, Xhelal Sfeçla, për të futur në rend dite këto tri projektligje për FSK-në.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat