Haradinaj e quan të nxituar procedurën e depërtimit të shtetasve turq

Aktuale

Haradinaj e quan të nxituar procedurën e depërtimit të shtetasve turq

Më: 30 nëntor 2018 Në ora: 11:31
Ramush Haradinaj para Komisionit

(E plotësuar) - Kryeministri Ramush Haradinaj duke iu është përgjigjur sot të gjitha pyetjeve të deputetëve të Komisionit Parlamentar Hetimor në lidhje me ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq, nuk ka përjashtuar mundësinë që deportimi tyre të ketë ndodhur si rezultat i një kërkese të jashtme për AKI-në.

Megjithatë, kreu i ekzekutivit as nuk ka pohuar se ka ndodhur një gjë e tillë. Ndërsa ka shtuar se procesi i deportimit të shtetasve turq ishte e nxituar dhe me lëshime, pasi që nuk është njoftuar për një çështje kaq të ndërlikuar, siç e quan ai. 

Ndonëse u bë  ora 11, kohë kjo e paraparë për intervistim, Haradinajt iu desh të pres para sallës së komisionit gati 10 minuta, derisa anëtarët e këtij komisioni u morën vesh për rendin e ditës, gjegjësisht shtyrjen e intervistimit të presidentit Hashim Thaçi.

Haradinaj ka treguar edhe vërejtjet e tij për procesin e deportimit të shtetasve turq.

Haradinaj: Nuk e përjashtoj mundësinë e një kërkese nga pala turke

“Nuk e përjashtoj mundësinë e një kërkese nga pala turke, ose të një vazhdimi të një partneriteti ekzistues në këtë rast. Pra nuk muj me e konfirmu, por nuk e përjashtoj këtë. Është bukur e supozuar për aq sa di unë, se si i zhvillojnë agjencitë e inteligjencës. Ajo që dua të them është që është hetuar një nxitim i procedurës. Kjo procedurë ka mundur me shku nëpër etapat e veta edhe ndoshta do të ishim në rregull sot, dhe mungesa e informatës për mua. Këto të dyja më kanë bërë mua me vepru. Nuk kam gjetur defekte tjera në këtë proces”, theksoi Haradinaj.

Kreu i ekzekutivit është falënderuar nga deputetët për prezencën dhe përgjigjet e tij, pavarësisht subjektit politik të cilit i përkisnin.

Ai ka dhënë detaje se si është informuar për deportimin e gjashtë shtetasve turq. 

Hardinaj: Përmes një telefonate mora vesh atë që ka ndodhur

“Prej orës 11:15 deri në orën 12:26, data është 29 mars, është mbajtur mbledhja e Qeverisë, të cilën e kam kryesuar dhe gjatë zhvillimit të kësaj mbledhjeje e kam marrë një telefonatë, prej një zyrtari të huaj, prej një diplomati, emrin nuk e kisha përcjell, i cili më ka pyetur për temën në fjalë, dhe më pastaj i kam radhit të gjitha informatat tjera, kronologjinë e veprimeve, gati ma kryesoret të mundshme që i kemi ndërmarrë... Pra hera e parë kur unë e kam marrë telefonatën edhe njoftimin, me sa e di unë janë larguar nga Kosova 10:50, ndërsa unë informatën e kam marrë mes orës 11 dhe 12.”, u shpreh ai.

Para Komisionit Hetimor Parlamentar për dëbimin e shtetasve turq, Haradinaj i është përgjigjur deputetit të Vetëvendosjes, Sami Kurteshi, në pyetjen pse ka shkarkuar drejtorin e  AKI-së dhe ministrin e  Punëve të Brendshme derisa s’ka pasur një vendim gjyqësor për këtë, ku tha se arsyeja ka qenë mos-informimi i atyre që i kanë emëruar në pozitat përkatëse.

Haradinaj: Kam mundur me e shkarku edhe Maxhunin, por në bazë ligjore s’kish qenë në rregull

“Politikisht kam mundur me e shkarku edhe Shpend Maxhunin, veç për vullnet politik, diskresion. Në bazë ligjore, të veprimeve që kanë ndodhur, u kanë zor me ia atribuar drejtorit të Policisë këtë. Për shkak se nëse i merr ato që na i kemi marrë, dhe e sheh vijën e komunikimit dhe temat që kanë ndodhur, është protokoll ekzistues, në të cilën ai ka qenë i obliguar në vazhdim... Kur AKI ka konstatu diçka, atij i obligohet zbatimi”, tha ai.

I pari i ekzekutitivit ka komentuar edhe për pëkrahjen që ka marrë nga presidenti Hashim Thaçi për këto shkarkime.

Haradinaj: Vendimi për shkarkimin e Driton Gashit u përkrah edhe nga Thaçi

“Veprimi im ka qenë i pjesës sime, përgjegjësisë pra, mirëpo, ka hasur në përkrahje edhe nga presidenti, pra ka qenë veprim i imi, i pjesës së përgjegjësisë së kryeministrit, nuk kemi pasur një marrëveshje paraprake për shkarkimin e zotëriut Gashi”, ka deklaruar Haradinaj.

Haradinaj mori edhe një pyetje nga deputeti Driton Selmanaj nëse për këtë zhvillim ka qenë në dijeni presidenti Thaçi.

Selmanaj: A keni informata nëse presidenti ka qenë paraprakisht në dijeni për këtë rast

“A keni marrë informata se presidenti i vendit, a ka qenë i informuar për këtë çështje. Apo ju keni qenë personi i vetëm në vend që nuk keni ditur për këtë rast”, pyeti ai.

Në këtë pikë, Haradinaj tha se praktika e informatës është institucionale.

Haradinaj: Siç nuk jam informuar unë, është e mundshme të mos jetë informuar edhe presidenti

“Nëse një informatë mendohet se është e nivelit të rëndësisë që duhet ta kenë të parët, ajo duhet të vijë tek të paktën ata që e kanë emëru, pra në këtë rast presidenti dhe kryeministri. Kjo është obligative. Unë supozoj, që nëse unë se kam marrë, mund të mos e ketë marrë edhe presidenti... Unë iu kam bërë pyetje të dyve, se kush nga zyrtarët institucional kanë qenë në dijeni, por ata nuk më kanë dhënë një emër të caktuar. Më kanë thënë se e kemi bërë ne ”, u shpreh Haradinaj.

Tutje, kreu i ekzekutivit tha se kanë krijuar një mekanizëm të vendimmarrjes për këso raste, pjesë e të cilit janë disa institucione, e që sipas tij, një komision i tillë nuk do të lejojë të ndodhë më në të ardhmen një veprim individual sikur ky i deportimit të gjashtë shtetasve turq.

Ai tha s e kanë marrë edhe lejen e aleatëve për themelimin e këtij mekanizmi i cili është mirëpritur edhe nga ta.

Haradinaj: Kemi krijuar një mekanizëm për çështje të tilla

“Kemi krijuar do protokolle që kur ka karakter të sigurisë nacionale, të krijohet në tavolina, të mos vendos vetëm një njeri, sepse një njeri mundet me gabu. Është në diskresion, sikur unë që muj me gabu. Është krijuar tavolina ‘5+’ quhet”, tha ai teksa shtoi se komisioni mbetet i përhershëm”, tha Haradinaj.

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj e ka pyetur Haradinajn nëse ka pasur ndonjë kërkesë për mbylljen e shkollave turke, siç është “Mehmet Akif”  ndërsa kryeministri është përgjigjur se deri më tani nuk i ka kërkuar askush një gjë të tillë.

Ai gjithashtu e ka pyetur Haradinajn nëse ministri i Drejtësisë e ka informuar se në muajin shkurt ka pasur kërkesë për ekstradimin e dy personave.

E këtu, kryeministri ka thënë se jo të gjitha këto kërkesat arrijnë deri tek ai, duke shtuar se deri në tavolinën e tij arrijnë kërkesat kur ka ndonjë çështje madhore.

Ndërsa deputetja Ganimete Musliu, tha se një presedan është krijuar me vet faktin se intervistimi i një komisioni hetimor po bëhet në mënyrë të hapur. Ndërsa thumboi kolegët deputetë për pyetjet e parashtruara sot për kryeministrin, derisa vet nuk pati ndonjë pyetje.

Musliu: I keni pasur pyetjet më të lehta nga deputetët se sa nga gazetarët

“"Je shumë i qëndrueshëm në kontinuitetin e deklaratave tuaja, sepse që nga dita kur ka ndodhur ngjarja e deri më tani, keni qenë gjithmonë në kontinuitet të deklaratave, sot besoj se nuk mundëm të marrim diçka më shumë nga ajo që keni thënë në vazhdimësi dhe deklaruar publikisht. Po besoj shumë se kur të dilni nga ky komision keni me dalë më konstatim se i keni pasur pyetjet më të lehta nga deputetët se sa nga gazetarët", tha Musliu.

Ndryshe, pas arrestimit të shtetasve turq, kryeministri Ramush Haradinaj kishte shkarkuar nga detyra ministrin e Punëve të Brendshme Flamur Sefaj dhe drejtorin e AKI-së, Driton Gashi.

Haradinaj tregon se a ka pasur informacione Thaçi për deportimin e shtetasve turq

Kryeministri Ramush Haradinaj në komisionin për deportimin e gjashtë shtetasve turq, ka komentuar lavdet që presidenti turk i drejtonte Hashim Thaçit e ish-shefit të AKI-së për shtetasit turq  dhe ofendimet që i bënte për të, duke treguar edhe a ka pas informacione Thaçi për rastin.

Haradinaj në komisionin për shtetasit turq është pyetur se a ka marrë përgjigje nga Thaçi për ditën e 29 marsit dhe se a ka ditur presidenti për operacionin, duke u bazuar kështu edhe në lavdet që atëherë presidenti Erdogan ia dërgonte për këtë aksion presidentit e shefit të AKI-së.

“E kemi diskutuar me akterët se kush e ka ditë për rastin, por ata më kanë thënë se ka qenë nivel i organeve të sigurisë dhe ata kanë vendosë për këtë rast”, ka përfunduar Haradinaj.

***

Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se në datën e 29 marsit të këtij viti gjashtë shtetasit turq janë larguar nga Kosova në orën 10:50, kurse ai e ka kuptuar rreth orës 12:00.

Para Komisionit Hetimor Parlamentar për dëbimin e shtetasve turq, Haradinaj i është përgjigjur deputetit të Vetëvendosjes, Sami Kurteshi, në pyetjen pse ka shkakruar drejtorin e  AKI-së dhe ministri i Punëve të Brendshme derisa s’ka pasur një vendim gjyqësor për këtë.

"Jo vetëm 29 marsi, por edhe ora është në dokument. Ata janë larguar nga Kosova në ora 10:50, ndërsa unë e kam marrë vesh rreth orës 12:00. Me datën 29 është shkresa që në përputhje me përgjegjësit ligjore unë kam paraqitur pyetjet drejtuar atyre, në ketë rast, përgjegjësit të parë ndaj meje, që më obliguan mua për informatë, z. Sefaj dhe z.Gashi. Ka qenë obligim i tyre që me më raportuar për aksionin. Vendimi për shkarkim të këtyre dyve, është i diskrecionit që ja ka dhënë. Duke qenë se është diskrecion politik, atëherë unë e kam shfrytëzuar të drejtën time për shkarkim. Deri në momentin konkret nuk kam pasur vërejtje në asnjërin, mirëpo kjo ka qenë ajo thyerja që ka ndodhur, do të thotë nuk kam qenë i njohur për atë ngjarje", tha Haradinaj.

I pari i ekzekutitivit ka komentuar edhe përpkrahjen që ka marrë nga Presidenti Hashim Thaçi për këto shkarkime.

"Dikush duhet të marrë vendimin. Unë e kam marr iniciativën, më ka mbështetur presidenti. Është praktikë që do të ruhet se kur një zyrtar i lartë i tillë nuk e ka besimin e njërit, atëherë ai duhet të jap dorëheqje", tha Haradinaj. 

Haradinaj thotë se për deportimin e gshtetasve turq u njoftua nga një diplomat i huaj

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se për deportimin e 6 shtetasve turq nga Kosova në mars të këtij viti ishte njoftuar nga një diplomat i huaj.

Gjatë raportimit para Komisionit Parlamentar për hetimin e këtij deportimi, Haradinaj tha se ka qenë në një takim kur një diplomat i huaj, të cilit ai nuk ia përmendi emrin, e kishte njoftuar për këtë deportim.

Ai tha se informatën e ka marrë “diku mes orës 11 dhe 12” në ditën e deportimit, ndërsa aeroplani me shtetasit turq ishte larguar nga Aeroporti i Prishtinës para orës 11:00.

Në një ditë më Haradinajn ishte planifikuar që të intervistohet edhe Presidenti Hashim Thaçi por kryetari i këtij komisioni Xhelal Sveçla tha se nga ana e presidentit nuk kanë marrë asnjë përgjigje në lidhje me raportimin e tij.

Presidenti është tash e disa ditë në një vizitë në ShBA. Anëtari i Komisionit Muharrem Nitaj (AAK) tha se pjesa e intervistimit të presidentit mbetet në ditët e radhës.

***

Kryeministri Ramush Haradinaj ka bërë të ditur se për rastin e deportimit të shtetasve turq, ishte informuar rreth një orë më vonë pasi kishte ndodhur largimi i tyre nga Republika e Kosovës.

Ndërsa ka raportuar para Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me këtë rast, Haradinaj ka sqaruar se për shkak të mos informimit të tij siç shkruan ligji për këto ngjarje, kërkoi atë kohë shkarkimin e drejtorit të AKI-së, Driton Gashi si dhe ministrit të Punëve të Brendshme Flamur Sefajt.

Veç tjerash kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se në lidhje me kërkesën për shkarkimin e Gashit dhe Sefajt ka pasur edhe përkrahjen e presidentit Hashim Thaçi, i cili aktualisht gjendet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Thaçi në SHBA, raportimi i tij në Komisionin Hetimor hiqet nga rendi i ditës

Komisioni Hetimor Parlamentar e ka hequr për sot si pikë të rendit të ditës, intervistimin e Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçit.

Ky vendim u miratua nga komisioni, pas kushteve të krijuara pasi presidenti Hashim Thaçi aktualisht gjendet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe iu është pamundësuar pjesëmarrja në intervistimin e tij në lidhje me ndriçimin e rastit të deportimit me urgjencë të shtetasve turq nga Kosova.

***

Sot është mbledhur sërish Komisioni Hetimor parlamentar, që është formuar për ta ndriçuar rastin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova më 29 mars të këtij viti.

Aty ka filluar raportimin kreu i ekzekutivit Ramush Haradinaj, i cili është parë i shoqëruar edhe nga anëtarë të tjerë të kabinetit qeveritar.

Sipas agjendës, para këtij komisioni është paraparë që të paraqitet edhe presidenti Hashim Thaçi, si dhe sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme Lulzim Ejupi.

Image

***

Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq, ka paraparë të intervistojë presidentin Hashim Thaçi, kryeministrin Ramush Haradinaj, si dhe sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Luzlim Ejupi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat