VV dhe LDK i përgjigjen PSD-së rreth rezolutës së re për dialogun

Aktuale

VV dhe LDK i përgjigjen PSD-së rreth rezolutës së re për dialogun

Më: 2 dhjetor 2018 Në ora: 15:16
Kuvendi i Kosovës

Derisa Partia Social Demokrate po kërkon që delegacioni për dialogun Kosovë-Serbi të drejtohet nga dy përfaqësues të opozitës, Lëvizja Vetëvendosje thotë se është e fokusuar në përmbajtje të dialogut.

Sami Kurteshi tha se rezolutat në Kuvendin e Kosovës nuk janë duke u respektuar aspak.

Partia Socialdemokrate ka dërguar në Kuvendin e Kosovës një projektrezolutë, në të cilën synohet që delegacioni shtetëror, të bashkë-drejtohet prej dy përfaqësuesve që vijnë nga radhat e opozitës, dhe të koalicionit qeveritar.

Mirëpo, një gjë të tillë nuk po e shohin prioritet, deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, për të cilët më me rëndësi se rezoluta, është përmbajtjen e dialogut.

Kurteshi: Grupi parlamentar i VV’së, nuk e sheh si të ndarë

“Ne i kemi trajtu rezolutat, janë bërë edhe debate publike në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi. Për Lëvizjen Vetëvendosje nuk është çështja vetëm i një rezolute siç thashë më herët  nuk e sheh çështjen as grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosjes, të shkoqur apo të ndarë, pjesën e një rezolute nga veprimet tjera, do të thotë, dialogu, përgatitja e një dialogu edhe përmbajtja e atij dialogu, edhe ju e dini qysh ka kalu kjo rezolutë”, ka thënë Kurteshi.

Tutje ai ka thënë po ashtu se është ndërtuar një sistem në Kosovë, sipas të cilit, rezolutat e Kuvendit të Kosovës nuk respektohen. Siç tha ai, bëhen si të tilla vetëm që të mos respektohen.

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se vetem zgjedhjet e reja sigurojnë legjitimitetin e atyre që e udhëheqin Kosovën dhe e përfaqësojnë në dialog.

“Kjo vlen edhe për PSD-në para se të bëhet pjesë e çfarëdo ekipi negocues. PSD-ja duhet përmes zgjedhjeve të reja të verifikojë 12 mandatet që ka në Kuvend, ngase janë mandate të fituara nga një parti tjetër. Vlerësoj se verifikimi i legjitimitetit është i domosdoshme për qëndrueshmërinë e demokracisë në Kosovë dhe të PSD-së gjithashtu”, ka shkruar ai.

Partia Social Demokrate po ashtu në propozimin e saj, ka kërkuar edhe formimin e një Komisioni Parlamentar për Mbikëqyrje të dialogut.

Në këtë kohë, kur kjo e fundit kërkon një gjë të tillë, Lidhje Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, kërkojnë që vendi të shkoj në zgjedhje sepse institucionet e kanë humbur kredibilitetin dhe legjitimitetin e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat