Haziri: Pasuria më e madhe që presidenti Rugova i ka lënë Kosovës është LDK

Aktuale

Haziri: Pasuria më e madhe që presidenti Rugova i ka lënë Kosovës është LDK

Më: 2 dhjetor 2018 Në ora: 16:13
Lutfi Haziri

Në shënim të 74-vjetorit të lindjes së presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, nënkryetari Lutfi Haziri, njëherit edhe kryetar i Degës dhe i Komunës së Gjilanit, ka deklaruar se pasuria më e madhe që i la Kosovës ai është LDK.

“Presidenti Ibrahim Rugova pas 100 vjetësh përpjekje, lufte, sakrifice e rezistence, arriti ta rikthej orientimin e shqiptarëve në Ballkan drejt perëndimit. Ai ka iniciuar procese dhe ka realizuar ëndrra. Pasuria më e madhe që presidenti Rugova i ka lënë Kosovës është LDK. Por, po, e ritheksoj se këpucët e Ibrahim Rugovës sot të gjithëve iu bien të ngushta”, ka thënë Haziri, njofton Dega e LDK’së me anë të një komunikate për media.

“Rugova njihet edhe si themelues i shtetit të pavarur të Kosovës, themelues i lëvizjes më të madhe nacional-demokrate në fund të viteve të 80-ta, lider i shqiptarëve të ish-Jugosllavisë e më vonë edhe president i zgjedhur derisa u nda nga jeta. I pamposhtur dhe pa e humbur asnjëherë asnjë betejë”, ka theksuar Haziri.

Nënkryetari i LDK’së është shprehur se Rugova ka qenë një hap para para çdokujtë, jo vetëm në Kosovë por edhe më gjerë.

“Ne kemi qenë veprimtarë që kemi zbatuar politika dhe pjesë të vizionit të Ibrahim Rugovës,  sepse figura, vizioni dhe madhështia e tij, nuk ka lënë shumë hapësirë as të mendosh shumë e as të debatosh shumë sepse ai ka qenë një hap të madh para çdokujt, jo vetëm në Kosovë, por edhe në botë”, ka thënë Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat