Selimi demanton Komisionin për Integrime Evropiane për termin “Republikë

Aktuale

Selimi demanton Komisionin për Integrime Evropiane për termin “Republikë

Më: 3 dhjetor 2018 Në ora: 13:20
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje ka demantuar zërat se projektligjeve për FSK-në u mungon termi “Republikë”.

Ndryshe nga ajo që ditën e sotme u tha në Komisionin për Intergrime Evropiane, se tri projektligjeve për FSK-në u mungon termi “Republikë”, në Komision për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës të Sigurisë të Kosovës nuk u përmend një gjë e tillë.

Anëtari i këtij komisioni, Rexhep Selimi në ka thënë se tek Komisioni për Integrime Evropiane është e mundshme të jetë lexuar vetëm drafti. Teksa shton se janë amedamentuar të gjitha gabimet teknike që kanë qenë më parë.

Ai thotë se Komisioni për Siguri i ka proceduar me një përkushtim maksimal si asnjëherë më parë këto tri projektligje që kanë të bëjnë me FSK-në dhe me Ministrinë e Mbrojtjes.

Në rastet kur ka munguar termi ‘Republikë’, kur iu është referuar Kosovës, ai thotë se e kanë vlerësuar si gabim teknik. Ndërsa tregon se ka amendamente të veçanta për këtë temë.

Selimi: Kudo që ekziston Kosova, është edhe termi Republikë

“Aty ku ka munguar ‘Republika’ ia kemi shtuar termin ‘Republikë’ dhe tash në këto projektligje, ekziston kudo që është Kosova edhe fjala ‘Republikë’. Nuk e kemi kuptuar si gabim të qëllimshëm. Sponsorizuesit nganjëherë i referohen Kosovës si e tillë, duke nënkuptuar që kur bëhet fjalë për Kosovën, bëhet fjalë edhe për Republikën, por sido që të jetë, nëse i ka munguar në draftin që ka ardhur nga sponsorizuesi, tash pas punës së komisionit nuk i mungon më fjala ‘Republikë’ aty ku e ka vendin, jo aty ku nuk e ka vendin, jo aty ku nuk mund të futet qoftë për aspekte qoftë, gjyqësore, juridike apo teknike”, tha ai.

Sa i përket miratimit të projektligjeve në fjalë nga dy komisionet përkatëse, Selimi thotë se i kanë hapur rrugë miratimit edhe nga ana e Kuvendit. Teksa thekson punën e madhe që është bërë gjatë kësaj periudhe.

Selimi: Nuk e di ndonjë ligj ndonjëherë që ka pasur më shumë takime punuese sesa ligji për FSK-në

“Kështu presim të jetë edhe vota e deputetëve, sepse të gjitha grupet parlamentare i kemi mbështetur qoftë në parim leximin e parë, aq më tepër leximin e dytë ku janë bërë shumë përmirësime, shumë avancime. Është vlerësuar edhe në aspektin profesional, juridik dhe politik. Mendoj se jo vetëm në komision ka pasur dakordim, por edhe gjatë punës sonë. Madje mund të them se nuk e di ndonjë ligj ndonjëherë që ka pasur më shumë takime punuese sesa ligji për FSK-në”, shtoi ai.

Tutje, ai tregon se si ka rrjedhur puna në grupin punues të projektligjeve për FSK-në.

Selimi: Bravo, ku në rrethanat tona politike aktualisht, nuk është mundur të bëhet më shumë

“Ka pasur edhe deputetë që nuk kanë marrë pjesë asnjëherë. Ka pasur deputetë që herë për herë ka marrë pjesë. Por, gjithsesi ka pasur deputetë që në të gjitha takimet e grupeve punuese ka marrë pjesë dhe kemi dhënë kontributin tonë të përbashkët duke punuar ngushtë edhe me sponsorizuesin, me oficerët e ushtrisë së Kosovës që kanë qenë në grupin punues, me përfaqësuesit e Ministrisë së FSK-së që tash është Ministri e Mbrojtjes. Prandaj nuk mund të them asgjë tjetër, veçse ‘bravo’, e kemi bërë një projektligj të cilin për rrethanat tona politike aktualisht, nuk është mundur të bëhet më shumë”, është shprehur Selimi.

E nëse projektligjet për FSK-në, do të shërbejnë për një bashkëpunim të mëtutjeshëm pozitë – opozitë, deputeti thotë se situata ekzistuese do të vazhdojë edhe më tutje.

Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje gjithmonë mbështet avancimin e kapaciteteve mbrojtëse.

Selimi: Kështu mund të bashkohemi edhe në të ardhmen sa herë bëhet fjalë për mirë

“Kaq të bashkuar kemi qenë në 2014-ën dhe në vazhdimësi, deri në 2018. Kaq të bashkuar mund të jemi për aspektin e sigurisë edhe në të ardhmen. Kjo nuk përcakton një situatë të re. Kjo është situata ekzistuese siç ka qenë në të kaluarën dhe do të jetë edhe tani. Nuk është ndonjë situatë e re, ne thjesht, si grup parlamentar, si subjekt politik parlamentar dhe si Lëvizje në përgjithësi, e kemi mbajtur fjalën tonë që e kemi dhënë dhe nuk kemi mbetur vetëm në retorikën e deklaratave politike por, kemi qëndruar brenda fjalës sonë. Kështu mund të bashkohemi edhe në të ardhmen sa herë bëhet fjalë për mirë... Pra për të mirën themi ‘po’, për të keqen themi ‘jo’”, tha Selimi.

Ndryshe, të dy komisionet, ai për Integrime Evropiane dhe Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës të Sigurisë të Kosovës kanë miratuar sot tri projektligjet për FSK-në, ndërsa sot pritet që Kryesia e Kuvendit të caktojë datën për votimin e tyre në Kuvend.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat