Tahiri: “Gjyqësori në veri është duke funksionuar pa probleme”

Aktuale

Tahiri: “Gjyqësori në veri është duke funksionuar pa probleme”

Më: 4 dhjetor 2018 Në ora: 16:13
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri

Drejtuesit i institucioneve të drejtësisë në vend kanë bërë të ditur se gjyqësori në Mitrovicë është duke punuar dhe nuk ka pezullim të punës, ndonëse gjendja nuk është e mirë për shkak të vendimit të Qeverisë për vendosjen e taksës 100 përqind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.

Kështu u bë e ditur sot gjatë raportimit para Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, ku temë kryesore ishte gjendja në Gjykatën e Kosovës në  Mitrovicë.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri gjatë raportimit ndonëse  e ka pranuar se gjendja është e brishtë u shpreh se  gjykatat në Mitrovicë janë duke punuar, por vetëm   periudha e protestave po ndikon në mosfunksionimin e gjykatës, pasi këto protesta po mbahen para Gjykatës Themelore të Mitrovicës.

Ai tutje tha se pas dorëheqjeve të kryetarëve si ministër është angazhuar t`iu qëndroj afër që mos të ndikojë politika në punën e gjykatave.

Tahiri tha se për të parë gjendjen e funksionimit të gjykatave atje nuk ka qenë n ë vizitë, por informacionet i ka marr përmes shkresave zyrtare.

Tahiri: Nuk kemi mos punë të gjyqësorit

“Mund të them se deri tani pezullim të punës të gjykatave nuk ka...03’14 Kam ftuar një takim pra së bashku edhe me Këshillin Gjyqësor dhe Prokurorial duke e kemi bërë një vlerësim të gjendjes pas protestës së ditës së parë dhe pas letrës së ka dërguar Kabashiq misioneve diplomatike, normalisht një letër të tillë edhe unë nuk e kam marr direkt nga kryetari, mirëpo nga kanalet tjera jo zyrtare. Ajo çka është e rëndësishme se ne tashmë nuk jemi duke u ballafaquar me mos punë të gjykatave, mirëpo protestat që janë duke u zhvilluar në baza ditore në veri të Kosovës edhe organizohen pikërisht para gjykatës themelore të Mitrovicës, aty ku qëndrojnë edhe përfaqësuesit e EULEX-it dhe realisht ajo periudha dy orë krijon vështirësi në funksionimin e gjykatës dhe mbarëvajtjen e punëve të gjykatës, mirëpo deri më tani nuk kemi ndonjë paralajmërim, ndonjë shqetësim për mos punën e gjyqtarëve ose për bojkotimin e punës”, u shpreh Tahiri.

Se gjyqësori në Mitrovicë është duke funksionuar e ka thënë edhe kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës Nehat Idrizi,  i cili u shpreh se me shqetësim  e kanë përcjell gjendjen e krijuar pas vendimit të Qeverisë për taksën 100 përqind ndaj produkteve serbe.

Sipas tij gjendja është stabile në funksionimin  e sistemit të drejtësisë në atë pjesë të vendit, derisa pranon se letër zyrtare nga kryetari i Gjykatave, Nikolla Kabashiq nuk kanë pranuar si Këshill Prokurorial.

Idrizi u shpreh se si Këshill i Gjyqësorit përmes një shkrese iu kanë bërë thirrje të gjithë gjyqtarëve që veprojnë në Mitrovicë të përmbahen nga deklarimet publike.

Idrizi:Gjendja  në Mitrovicë është stabile dhe pa probleme

“Gjendja është stabile dhe pa probleme, edhe gjyqtarët dhe stafi administrativ shkon në gjykatë punojnë... Zakonisht edhe protestat mbahen prej orës 11 deri në ora 13:00, domethënë dy orë dhe brenda kësaj periudhe e vetmja e metë që është palët nuk mund të hyjnë dhe as me dal gjatë kësaj periudhe për arsyen se protesta mbahet afër objektit të gjykatës, ndërsa sa i përket stafit të gjykatës dhe gjyqtarëve ata punojnë në zyret për punët që mund t’i kryejnë, kjo periudha dy orëshe, pas kësaj periudhe gjendja është normale dhe punojnë pa ndërprerë“,  tha  Idrizi.

Ndërsa, Bahri Hyseni përfaqësues i Këshillit Prokurorial  u shpreh se gjendja e prokurorëve që veprojnë në Mitrovicë  është në rregull, dhe se çdo ditë janë në kontakt dhe janë duke e përcjell gjendjen.

Sipas tij me interes për Këshillin Prokurorial të Kosovës është që të trajtohen lëndët në ndodhen në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, me qëllim që ato të mos mbesin pa u trajtuar.

Hyseni: Prokurorët janë në detyrë                                                                                                               

“Do të punojmë, do të dërgojmë njerëz që lëndët me i procedua në gjykatë, edhe njëherë po e përsërisë para se me ardhur në këtë takim, përveç takimeve të rregullta që i kemi sapo u njoftova nga kryeprokurori që është puna duke shkuar në rregull, nuk ka asnjë pengesë, prokurorët janë në detyrë, janë në gjykime, janë duke e përfunduar kujdestarinë si e marr të gjithë prokurorët dhe eventualisht nëse ndryshon diçka, natyrisht që do shikojmë, do të mblidhemi do ta diskutojmë pa u ngut pa marr veprime të shpejta”, ka thënë Hyseni.

Kryetarja e  Komisionit për Legjislacion në Kuvendin e Kosovës, Albulena Haxhiu e ka konsideruar të papranueshme se si Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk ka ndërmarr asnjë veprim karshi kryetarit të Gjykatës në Mitrovicë, Nikolla Kabashiq.

Si shqetësim ajo e ka ngritur edhe çështjen e dy gjyqtarëve që nuk punojnë në gjykatën Themelore në Mitrovicë, por që paguhen, e këtë çështje e ka pranuar edhe kryesuesi i Këshillit të Gjyqësorit të Kosovës, Nehat Idrizi por që u shpreh se tani ata dy persona më nuk paguhen nga buxheti i Kosovës.

Haxhiu: Ju nuk e keni kryer punën sipas kompetencave tuaja

“Unë konsideroj që ju nuk keni kryer në përputhje me kompetencat që i keni për shkak se është dashur që të ndërmerrni masa ndaj gjyqtarëve që veprojnë sipas urdhrave të Serbisë, dhe tjera po ashtu që lidhet po ashtu me këtë çështje që ne sipas hulumtimeve që i kemi parë nga organizatat e shoqërisë civile ka gjyqtarë të cilët nuk shkojnë në punë, vetëm paguhen a qëndron kjo, unë i kam dy emra Zoran Baviq, dhe Rushica Simiq janë dy gjyqtar që nuk shkojnë në punë por paguhen”, ka thënë Haxhiu.

Haxhiu e ka konsideruar gabim edhe  shkuarjen e krerëve të sistemit të drejtësisë për të diskutuar në Bruksel për drejtësinë në Kosovë.

Frashër Krasniqi anëtar i komisionit nga PSD u shpreh se pas këtij rasti të gjitha palët e subjektet duhet të ulen për të kërkuar strategji si duhet të veprohet ndaj Serbisë.

Ai u shpreh se që kur votohet me Serbinë zgjidhjet janë gjysmake, përmes të cilave gjithmonë është mundësuar ndikimi i Serbisë brenda Kosovës.

Krasniqi: Duhet të bashkohemi për një strategji kundër Serbisë

“Çka kemi parë deri sot është që përgjatë 10-15 vjetëve të fundit prej që negociohet me Serbinë përgjithësisht jemi shkuar kah zgjidhjet  gjysmake dhe përgjithësisht të bazuara në ndarje etnike të cilat e vazhdojnë tutje ndikim e Serbisë brenda Kosovës dhe si rezultat i kësaj Kosova ka mbetur një vend jo funksional në të gjitha pjesët e territorit të saj dhe kemi situata dhe kriza të tilla kur një pjesë e sistemit tonë kollapson për shkak se Serbia kërkon ashtu..  Për mua kjo situatë është një rast kur të gjitha palët dhe të gjitha subjektet duhet të ulen bashkë dhe të shohin se çfarë strategjie duhet të ndjek shteti i Kosovës në raport me Serbinë sepse është e qartë sepse jemi në një situatë kur lypet të ketë një zgjedhje përfundimtare në mes Kosovës dhe Serbisë“ ,u shpreh ai.

Bilall Sherifi  nga Nisma Socialdemokrate,  u shpreh se organet e drejtësisë të pranishme edhe sot nuk mund të bëjnë asgjë për këtë gjendje pasi siç u shpreh eskalimi i gjendjes ka kaluar  në sferën politike.

E Korab Sejdiu ka deklaruar se Kosova po ballafaqohet me një agresion të Serbisë të cilin po e ndihmon edhe vetë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Sejdiu: Agresionin e Serbisë po e ndihmon edhe presidenti

“Fatkeqësisht e kemi një agresion të Serbisë të hapur, fatkeqësisht e kemi edhe presidentin që po ndihmon në atë drejtim edhe na paraqet para disa situatave të pafavorshme të institucioneve tona veçanërisht të atyre që janë ose ishte dashur me qenë jo politike. Këtu i kemi dy prej tyre, përjashtimisht ministrit që është post politik, u fol më herë se kjo çështje është politike, por këta nuk merren me politik unë kisha pasur dëshirë që institucionet tona politike me u marr me politik, institucionet tona që janë të pavarura e që janë profesionale me mu marr me kompetencat dhe obligimet e tyre ligjore”, ka thënë ai.

Ndryshe, kryetari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Nikola Kabashiq, pas vendosjes së taksës 100 për qind ndaj produkteve serbe iu ka shkruar letër ambasadorëve në Kosovë dhe shefave të misioneve ndërkombëtare që ta shfrytëzojnë autoritetin e tyre për të ndikuar te institucionet e Kosovës që ta ndryshojnë qëndrimin “në mënyrë që situata në Kosovë të normalizohet” dhe që ata “ta kthejnë besimin te banorët serbë”.

Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, ka shqyrtuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.03/L-256, në të cilin kanë kërkuar që tu mundësohet bashkatdhetarëve që të votojnë edhe përmes konsullatave dhe ambasadave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat