Çka po ndodhë me dialogun me Serbinë? Flet Fatmir Limaj

Aktuale

Çka po ndodhë me dialogun me Serbinë? Flet Fatmir Limaj

Më: 4 dhjetor 2018 Në ora: 16:20
Fatmir Limaj

Pas një periudhe pasive në procesin e bisedimeve me Serbinë, Qeveria e Kosovës po provon të marrë një rol të ri në këtë proces, duke kërkuar edhe mbështetjen e opozitës.

Aktualisht, Qeveria po punon në drejtim të hartimit të një plani apo platforme e cila parashihet të miratohet edhe nga Kuvendi dhe mbi bazën e saj, më pastaj, do të formohej një ekip negociator i cili do të vazhdonte dialogun politik me Serbinë, në Bruksel.

Zyrtarët e lartë në Qeverinë e Kosovës thanë se aktualisht po punohet dhe po bisedohet edhe me disa parti politike opozitare për të hartuar këtë platformë, e cila do të miratohej nga Kuvendi. Mbi bazën e kësaj platforme, Qeveria mëton edhe të vazhdojë dhe udhëheqë dialogun në fazën e ardhshme.a

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj tha për Radion Evropa e Lirë se angazhimi në dialog është obligim kushtetues i Qeverisë.

Ai tha se Qeveria e Kosovës, si organ ekzekutiv, i ka obligimet e veta të negociojë, të bashkëbisedojë për marrëveshje sa më të mira në dobi të vendit, dhe faktikisht Qeveria po kthehet në kapacitetet e veta kushtetuese dhe detyrimet e saja ligjore.

"Si Qeveri, ne kemi pasur dëshirë, siç është rasti i dialogut me Serbinë, të kemi një qasje pak më ndryshe nga e kaluara, duke ditur ndjeshmërinë e çështjes dhe temës shumë të rëndësishme. Ne besojmë që dialogu me Serbinë është temë nacionale, dhe do të duhej një gjithëpërfshirje dhe konsensus sa më i gjerë që të kemi një marrëveshje e cila do të pranohej nga të gjithë”, tha Limaj.

“Ideja është që krejt resurset tona njerëzore profesionale e politike t’i angazhojmë së bashku, për shkak se për Kosovën është jetike, që në një dialog të ardhshëm final në mes Kosovës dhe Serbisë të jenë të përshirë të gjithë akterët politikë, shoqëria civile, intelektualët, njerëzit që dinë çka duhet bërë dhe duhet dhënë vendit për të nxjerrë një marrëveshje sa më të mirë", tha Limaj.

Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që në kapacitetin e zëvendëskryeministrit, ai vetë të jetë në krye të ekipit negociator, nëse Kuvendi voton përbërjen e ekipit gjithëpërfshirës.

Aktualisht, procesi i dialogut me Serbinë është zhvilluar kryesisht përmes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Limaj thotë se presidenti, e ka rolin e tij kushtetues.

"Natyrisht delegacioni që do të miratohet nga Kuvendi i Kosovës do të jetë delegacion shtetëror që do të negociojë me Serbinë. Roli i presidentit është rol kushtetues, roli i kryetarit të Kuvendit është kushtetues, i kryeministrit është rol kushtetues, atyre as nuk t’u hiqet e as t’u shtohen kompetencat, janë detyrat nga kapacitetet nga institucionet përkatëse që drejtojnë, dhe si të tillë ata janë gjithmonë kapacitete të tyre shtetërore", tha Limaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat