Haradinaj u përgjigjet kërcënimeve nga Serbia: Ushtrinë nuk e kemi për veri, është rrenë e kulluar

Aktuale

Haradinaj u përgjigjet kërcënimeve nga Serbia: Ushtrinë nuk e kemi për veri, është rrenë e kulluar

Më: 5 dhjetor 2018 Në ora: 12:55
Ramush Haradinaj

(E plotësuar) - Kryeministri Ramush Haradinaj ia ka bërë të qartë Serbisë se formimi i ushtrisë është një e drejtë legjitime e Kosovës, derisa për shtyrjen e liberalizimit të vizave ai tha se qeveria nuk është fajtore pasi ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara nga Bashkimi Evropian.

Ai këto komente i bëri me rastin e shtrimit të rrugës “Sitnica” në Plemetin të Obiliqit, duke iu përgjigjur interesimit të mediave lidhur me kërcënimin e Beogradit zyrtare se mund të përdorë ushtrinë serbe në rast të formimit të ushtrisë së Kosovës.

Haradinaj bëri të qartë se ushtria e ardhshme e Kosovës nuk do të formohet me qëllim të dërgimit të saj në veri, por do të ndihmojë NATO-n në operacionet e saja ndërkombëtare.

Haradinaj: Ushtria e Kosovës do të jetë për Afganistan dhe Irak

“Ju siguroj që së pari ne ushtrinë nuk e kemi për veriun e vendit, kjo është një rrenë e kulluar. Ne ushtrinë e kemi për Afganistan, Irak, t’i ndihmojmë NATO-s, por nuk kemi plane për veri. Kjo është një e drejtë legjitime. I ftoj serbët të shërbejnë në Ushtrinë  e Kosovës, në FSK, pra do të quhet FSK edhe më tutje. Asnjë plan për destabilizim, as të veriut të asnjë zone tjetër”, ka thënë Haradinaj. 

Ndërsa sa i përket taksës kundër mallrave serbe, Haradinaj tha se deri 175 euro mallra serbe hyjnë pa asnjë taksë, duke shtuar se ka përjashtime për dërgesat humanitare.

Haradinaj: 175 euro mallra hyjnë pa asnjë taksë

“Deri në 175 euro mallra personale hyjnë pas asnjë taksë, pa asnjë tarifë. Pastaj kemi bërë përjashtime humanitare të duhura, kemi lejuar çdo të mirë materiale për kishën, qendrën studentore, spitalin. Pra, kemi bërë shumë përjashtime që janë vërtetë të qëlluara, kuptohet masa respektohet”, ka thënë Haradinaj.

Me kërkesë të opozitës dje ishte thirrur seancë e jashtëzakonshme për dështimin në liberalizimin e vizave. Këta të fundit  kishin kërkuar dorëheqjen e Qeverisë, por një gjë e tillë nuk i ka bërë përshtypje kreut të ekzekutivit, pasi sipas tij opozita ka vetëm këtë punë.

Haradinaj: Qeveria nuk është fajtore për vonesat në liberalizim të vizave

“Qeveria është fajtore vetëm për faktin se punët e Kosovë s’i ka kryer, po të Evropës ka mbet pa i kryer. Kjo është e vërteta. Ne nuk kemi hequr dorë nga marrja e vizave. Opozita ka atë detyrë të kërkojë dorëheqje”, ka thënë ai.

Haradinaj nuk e ka përjashtuar mundësinë që në delegacionin për bisedime me Serbinë të përfshihen edhe Shpend Ahmeti, Ilir Dedës dhe Mimoza Kusarit-Lila dhe sipas tij ekipi negociator do të votohet shumë shpejt në Kuvend.

Haradinaj: Shpresoj se shpejt do ta votojmë delegacionin e Kosovës

“Ka shumë për të arritur marrëveshje dhe për të gjitha marrëveshjet në dialog nevojiten më shumë njerëz. Është me rëndësi që Kuvendi ynë të marrë rolin e vet dhe shpresoj se shpejt do ta votojmë në Kuvend delegacionin e Kosovës. Ky nuk është vetëm një delegacion i thjeshtë, por këta janë njerëz me vlerë dhe me ekspertizë. Ju përmendët Mimoza Kusari, Shpend Ahmeti, Ilir Deda dhe të gjithë ata kolegë janë shumë të rëndësishëm për këtë proces”, ka thënë Haradinaj. 

***

Kryeministri Ramush Haradinaj u është kundërpërgjigjur kërcënimeve nga Serbia rreth formimit të ushtrisë të Kosovës.

I pyetur në lidhje me kërcënimet që po vijnë nga ana e Serbisë, për luftë, ai u shpreh i bindur se një gjë e tillë nuk do të ndodhë.

"Ushtrinë nuk e kemi për veri, është rrenë e kulluar. Ushtrinë e kemi për Afganistan dhe Irak për t’iu ndihmuar shteteve”, tha Haradinaj.

Kreu i qeverisë së vendit tonë ka diskutuar në lidhje me rezolutën e PSD-së dhe qëndrimin e presidentit Hashim Thaçi. Sipas tij, formimi i delegacionit shtetëror në bisedimet me Serbinë është i nevojshëm.

Sa i përket liberalizimit të vizave, ai tha se qeveria është fajtore që punët e veta i ka përfunduar, por nuk po mund t'i kryejë edhe të BE-së.

Ndërsa sa i përket taksës kundër mallrave serbe, Haradinaj tha se deri në 175 mallra serbe hyjnë pa asnjë taksë, ndërsa ka përjashtime për dërgesat humanitare. Këto deklarata ai i bëri në fshatin Plemetin, ku kanë nisur punimet në shtrimin e rrugës "Sitnica".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat