Avokati i Popullit: ZRRE-ja mundet t’i zbatojë rekomandimet edhe pa vendim gjykate

Aktuale

Avokati i Popullit: ZRRE-ja mundet t’i zbatojë rekomandimet edhe pa vendim gjykate

Më: 5 dhjetor 2018 Në ora: 13:16
ZRRE gjatë raportimit në Kuvend

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ende nuk është duke i zbatuar dy prej tri rekomandimeve të Kuvendit, atë për kompensimin e 50 milionë euro të faturuara ndaj qytetarëve të Kosovës për shpenzimin e energjisë elektrike në katër komunat veriore.

ZRRE gjatë raportimit në Kuvend kanë thënë se janë duke pritur një vendim të prerë nga Gjykata për kompensimin e qytetarëve.

Petrit Pepaj nga ZRRE gjatë raportimit në Komisionin parlamentar për të Drejtat e Njeriut ka thënë se është e pamundur të bëhet një vendim tjetër pa u vërtetuar nga Gjykata.

Pepaj: Për borxhet, ende nuk kemi vendim të prerë nga Gjykata

“ZRRE-ja është e pafuqishme të veprojë deri në momentin kur gjykata ta ketë një formë të prerë të vendimit. Në momentin kur ta kemi një vendim të formës së prerë të Gjykatës sigurisht se do të merren veprime adekuate konform legjislacionit që e kemi në fuqi”, tha Pepaj. 

Por Syzana Gashi drejtoreshë e Departamentit Ligjor në Institucionin e Avokatit të Popullit ka thënë se kompensimi i borxheve mund të ndodhë edhe pa vendim të Gjykatës, nëse ka vullnet ZRRE-ja.

Gashi: Mundet me pasur zgjidhje edhe pa gjykatën

“Tash nuk do me thënë që me u lidhë vetëm për gjykatë. Ne kur e kemi parë që ZRRE nuk po vepron tek atëherë e kemi dërguar në Gjykatë. Mirëpo ZRRE-ja edhe për ligjin për konfliktin administrativ, mbasi tash veç çështja ka shkuar në gjykatë, mundet me anuluar vendimin e vet. Është neni 36 i ligjeve për konflikte administrative, i cili thotë: nëse një organ administrativ e sheh të pa arsyeshme një vendim që e ka nxjerrë, mundet me nxjerrë një vendim të ri dhe me anuluar vendimin e vet. Në këtë situatë, nëse ZRRE-ja vendos me zbatuar këtë rekomandim të Avokatit, ne e tërheqim padinë. Edhe kjo është një mundësi, por ZRRE-ja paska zgjidhur me pritë Gjykatën, të shohim, ne më shumë sa kaq nuk mundemi me bërë”, ka thënë Gashi.

Anëtarja e Komisionit Teuta Haxhiu ka thënë se është jashtë çdo norme që 50 milionë euro janë bartur të gjithë qytetarëve, por ajo kërkoi që sa më parë të ndodhë kompensimi.

Haxhiu: Borxhet duhet të kthehen qytetarëve

 “Diçka ka ndodhur për mos të vazhduar më e keqja, mirëpo nuk do të thotë që do të ndalemi për të kërkuar me kthyer edhe borxhin, sepse janë shkelur të drejtat elementare të njeriut. Pra, thjesht, ty të ka vjedhë dikush, pa të pyetur. Tanimë këtu është ky problem”, theksoi Haxhiu.

Por ish zyrtari i lartë në KEDS, që tash është pjesë e ZRRE, Pepaj, ka shuar shpresat se do të ketë kompensim në para nga Rregullatori ose nga KEDS-i për qytetarët.  

Pepaj: Kompensimi jo në para

“Kompensimi në cilëndo formë, ajo duhet me u paguar prej konsumatorëve, sepse Rregullatori nuk ka para me kompensuar askënd. Operatorët për me mund me funksionuar duhet me pasur para, përndryshe, nëse nuk ju lëmë të hyra, kanë me i dobësuar shërbimet, kanë me dobësuar furnizimin”, theksoi Pepaj.

Ndërsa, edhe deputetë  tjerë kanë kërkuar që ZRRE t’i zbatojë të gjitha rekomandimet e Kuvendit.

Rekomandimin e parë ZRRE e ka përmbushur për ndalimin e praktikës së kundërligjshme të faturimit të energjisë elektrike të shpenzuar në veri të Republikës së Kosovës, te konsumatorët në pjesën tjetër të vendit.  Ndërsa, për rekomandimin tjetër që Qeveria në bashkëpunim me ZRRE dhe KEDS të gjejnë mënyrë alternative për t’iu shmangur humbjeve në veri të vendit, duke trajtuar të gjithë konsumatorët në mënyrë të barabartë, sipas normave kushtetuese dhe ligjeve kundër diskriminimit, përfaqësues të ZRRE janë në përpjekje dhe në bisedime për zbatim të këtij rekomandimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat