Shqiptarët e trojeve, nuk janë kinezë, kërkohen pasaporta shqiptare për të gjithë shqiptarët

Aktuale

Shqiptarët e trojeve, nuk janë kinezë, kërkohen pasaporta shqiptare për të gjithë shqiptarët

Nga: N.Sh Më: 5 dhjetor 2018 Në ora: 15:39
Ilustrim

Kryetar i Republikanëve të Kosovës, profesor Faton Kurti po kërkon nga shteti i Shqipërisë që për shqiptarët e Kosovës të lëshon pasaporta shqiptare, në mënyrë që, edhe shtetasit tanë të lëvizin lirshëm në Evropë.

Kurti, thotë se, komisioneri Hahn, e solli lajmin e radhës të padrejtësive të Bashkësisë Evropiane ndaj shqiptarëve!

“Ne jemi të vetëdijshëm fare mirë se nga kush jemi duke u qeverisur, nga politikanët e paaftë dhe të korruptuar – por është tërësisht e padrejtë nga BE-ja që për këtë arsye të dënohet qytetari i Kosovës.

Edhe vetë BE, mban përgjegjësi për dështimin e politikbërjes së Kosovës sepse BE ishte prezente që nga përfundimi i luftës në Kosovë me tërë aparatin e saj ekzekutiv, si misioni për sundim të ligjit në Kosovë, EULEX – misioni më i gjatë dhe me një kosto prej 1.2 miliard euro – me një rezultat shumë të dobët!”, thotë Kurti për gazetën “Bota sot”.

Image
Prof. Faton Kurti

Ai pyet se, si ishte e mundur që para syve të BE-së, në Kosovë ishte e mundur të zhvillohej, të pasurohej dhe fuqizohej kjo klasë politike e korruptuar?

“Pra, nuk mund të dënohet një popull i tërë për një klasë politike të korruptuar, korrupsion që ka ndodhur nën hundën e institucioneve europiane.

Nëse burokratët e BE-së vazhdojnë ti trajtojnë Shqiptarët si qytetarë të dorës së tretë, Shqiptarët të dënuar për të mos shfrytëzuar opsionin A. dhe të drejtën legjitime për të qenë pjesë e Evropës, atëherë e kanë edhe opsionin B. – Ribashkimin e Shqiptarëve. E Ribashkimi të nisë me hapin e parë, përkatësinë shqiptare me nënshtetësi që do të sillte unifikim identitar dhe ekonomik”, deklaron ai. 

Republikanët e Kosovës, REK si një forcë progresiste në skenën politike të Kosovës dhe unë personalisht si Kryetar i saj, e shohim si të domosdoshme pajisjen me nënshtetësi shqiptare të gjithë shqiptarëve të trojeve.

Është një e drejtë legjitime që do ti hapte rrugën Ribashkimit Kombëtar.

“Kjo kërkesë i drejtohet Presidentit dhe Qeverisë së Shqipërisë të përmbushë kërkesat dhe të drejtat e shqiptarëve kudo ku ndodhen.

Të gjithë shqiptarët, kudo që ata të jetojnë dhe veprojnë të pajisen me një pasaportë shqiptare siç e parasheh edhe vetë Ligji për marrjen e shtetësisë së Shqipërisë. 

Thuajse të gjitha shtetet Europiane, ofrojnë nënshtetësinë e shteteve të tyre për ata të cilët e sjellin një dokument me të cilën mund të verifikohet prejardhja e tyre kombëtare edhe nëse kjo i përket disa gjeneratave më parë”, pohon ai.

“Shqiptarët e Kosovës, Iliridës, Luginës së Preshevës, Sanxhakut, Malit të Zi, Çamërisë e deri në Turqi kanë dokumentacion që vërteton prejardhjen dhe gjakun e tyre shqiptar me gjenerata me radhë ndërkohë që kjo përkatësi legjitime, nga ana e shtetit amë/Shqiptar, kjo e drejtë deri më tani ju është mohuar pa asnjë lloj arsyetimi!

Ka ardhur koha që politikanët Shqiptarë ti lënë retorikat e tyre populiste, patriotike për përdorim ditor dhe të veprojnë konform Kushtetutës Shqiptare.

Shqipëria duhet të ndalojë ti trajtojë Shqiptarët në trojet e tjera sikur këta të fundit të ishin Kinezë!”, deklaron Faton Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat