LDK kundër buxhetit: Për secilën ditë të qeverisjes Haradinaj, humbin 44 vende pune në Kosovë - Bota Sot
LDK kundër buxhetit: Për secilën ditë të qeverisjes Haradinaj, humbin 44 vende pune në Kosovë

Aktuale

LDK kundër buxhetit: Për secilën ditë të qeverisjes Haradinaj, humbin 44 vende pune në Kosovë

Më: 6 dhjetor 2018 Në ora: 10:06

(E plotësuar) - Nënkryetari i kuvendit, Xhavit Haliti ka thënë se Kuvendi do të shkoj në pauzë për tu kthyer në ora 15:30 për të vazhduar diskutimin për buxhetin e vitit 2019-të.

Partitë opozitare kanë deklaruar se nuk do ta përkrahin buxhetin në fjalë, ndërsa partitë në pushtet thanë se buxheti është shpresëdhënës për zhvillimin e Kosovës.

Deputetët: Ekonomia reduktohet në asfaltë

Pas prezantimit të projektbuxhetit, ka vazhduar debati i përfaqësuesve të subjekteve politike në Kuvendin e Kosovës. Opozita tha se është buxhet që reduktohet në infrastrukturë, ndërsa, pozita tha se krahasuar me vitin 2017, buxhet është më i lartë për 36 përqind ose 600 milionë euro.

Shefi i grupit parlamentar të PSD-së, Dardan Sejdiu tha se për 18 vite është parë konstrukti i njëjtë buxhetor.

Sejdiu: Ekonomia reduktohet në asfaltë

“Ajo që është brengosëse është që ekonomia reduktohet në infrastrukturë dhe ajo infrastrukturë, reduktohet në asfalt, ndërsa punësimi, krijimi i vlerës së shtuar, beteja kundër një deficiti tregtar të jashtëzakonshëm e që na përcjell tash e 10 vite nuk shihet që trajtohet në ndonjë instrument politik, ndonjë intervenim politik të paraqitur në buxhet. Buxheti thjesht është një vazhdimësi e konstruktit ekonomik të 18 viteve të fundit“, tha ai.

Blerim Kuçi nga AAK tha se buxheti është për i lartë se viti 2018 për 12 përqind.

Kuçi: Kemi rritje të madhe të buxhetit

“Buxhet i cili krahasuar më vitin 2017 është për 36 % më i lartë ose e kthyer në vlerë monetare 600 milionë euro më i lart, kjo as që ka ndodhë as që ka me ndodh ndonjëherë për një periudhë kaq të shkurtër të kemi një rritje kaq të madhe të buxhetit në tërësi“, tha ai.

Enver Hoti nga Nisma Socialdemokrate tha se duhet përshëndetur masat kundër informalitetit.

Hoti: Jemi në deficite të papërshtatshëm në raportet eksport-import

“Po ne mendojmë që ende jemi në deficite të papërshtatshëm në raportet eksport-import. Kërkojmë ende masa shtesë në sektorin e bujqësisë dhe kjo nuk jemi atje ku dëshirojmë por të gjitha këto do të trajtohen dhe zhvillohen gradualisht“, tha ai.

Safete Hadergjonaj në emër të PDK-së, tha se lavdëroi orientimet buxhetore por kritikojë komunat të cilat si duket janë mësuar të marrin grante nga qeveria qendrore.

Hadergjonaj: Buxheti për një shtet me më shumë drejtësi

“Në projektbuxhetin e vitit 2019 shihet që qeveria është e përcaktuar për ta realizuar programin e saj për një shtet me më shumë drejtësi, me më shumë mundësi, për zhvillim ekonomik, për më shumë punësim, për më shumë stabilitet makrofiskal, për më shumë përgjegjshmëri në menaxhimin e financave publike“, tha ajo.

Sipas saj, nga buxheti është paraparë që në infrastrukturë rrugore të investohen mbi 30 përqind.

***

Ministri i Financave, Bedri Hamza u është përgjigjur kritikave të opozitës për projektligjin për ndarjen buxhetore për vitin 2019, duke thënë se krahas rënies së numrit të të punësuarve, ka edhe rënie të atyre që kërkojnë punë.

Sipas tij nuk ka mundësi të shpjegohet zvogëlimi i vendeve të punës kur ka rritje ekonomike prej 4.2-4.3 përqind, krahas regjistrimit të bizneseve.

Hamza: Ka rënie të numrit të të punësuarve, por ka edhe rënie të atyre që kërkojnë punë

“Ka zvogëlim të numrit të të punësuarve, por ka edhe zvogëlim të numrit të atyre që kërkojnë punë. Dhe, në këtë rast kemi zvogëlim të normës së papunësisë. Mirëpo, kjo nuk na vendos asnjërin në pozitë komode, se tek e fundit a është norma e papunësisë 27 përqind, a 30, është e lartë, dhe fatkeqësisht është më së shumti tek të rinjtë dhe tek gjinia femërore. Sa i përket çështjes tjetër, se ka diskrepancë në mes të hyrave dhe shpenzimeve, nuk ka diskrepancë në mes të financimit dhe shpenzimeve”, u shpreh ai.

Ai komentoi edhe “buxhetin social” për të cilin u akuzua nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Ai tha se në këtë pikë kanë një dallim.  

Hamza: Kur vjen puna për popullizëm shumica e deputetëve rrahin gjoks dhe bëjnë gara

“Këtu dallojmë se kur po vijnë ligjet, për popullizma, shumica e deputetëve po rrahin gjoks dhe po bëjnë garë se cili po flet më shumë për atë kategori. Nëse duam me e rujtë prioritetin, që është stabiliteti mikrofiskal, atëherë Kuvend i nderuar, kujdes me ligjet dhe iniciativat ligjore të cilat kanë kosto të lartë dhe nuk i targetojnë grupet për me i nxjerrë prej varfërisë”, u shpreh ai.

Tutje, Hamza tha se ndjehet keq që nuk ka mundur të rrisë më shumë se 20 përqind pensionet. Ndërsa kur foli për çështjen e veteranëve, ai tha se shifrat prej 34 mijë është prej shtatorit të vitit 2017.

Krejt në fund, ai pohoi se Kosova ka nevojë për reformë pensionale. 

Kurti tregon me çka merret kryeministri Haradinaj

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka deklaruar se duke folur për buxhetin e vitit 2019, ka thënë se edhe sivjet nuk ka investimet kapitale në Trepçë dhe kjo sigurisht që i rritë apetitet e Serbisë për veriun e Kosovës dhe Mitrovicën e ndanë në dysh.

Ai tha se në Kosovë janë ndërruar qeveritë, janë shtuar qeveritarët, janë rritur shpenzimet por nuk ka ndryshuar orientimi qeveritar.

Kurti: Buxheti 2019, është buxhet i shpenzimit qeveritar

“Buxheti i vitit 2019 është buxhet i shpenzimit qeveritar dhe jo i zhvillimit socio-ekonomik. Është buxhet i shtimit të borxhit publik joproduktiv dhe i deficitit buxhetor e që do ta gërryej edhe fondin e privatizimit. Numrat e buxhetit janë problematik sepse korniza makro ekonomike dhe makro fiskale është e gabueshme“, ka thënë ai.

Sipas tij, zyra e kryeministrit ka më shumë buxhet se sa shërbimi korrektues ose mbi dyfishin e AKI-së, edhe pse themi që jemi shtet i rrezikuar.

Kurti: S’ka investime kapitale në Trepçë

“Investimet kapitale në Trepçë edhe sivjet nuk ka dhe kjo sigurisht që i rrit apetitet e Serbisë për veriun e Kosovës dhe Mitrovicën e ndanë në dysh. Në qeverisje dashuria e përkushtimi maten me buxhet e pikërisht këto mungojnë te qeveria aktuale. Kemi kryeministër i cili në dialogun me Serbinë nuk merret, ia ka lënë këtë presidentit, me buxhetin nuk merret, ia ka lënë ministrit të financave. Thotë se po merret me ushtrinë që do ta bëjë por nuk do të ketë buxhet shtesë as për FSK-në, atëherë shtohet pyetja me çka merret ky kryeministër. Kuvendi ka diçka mbi 11 milionë euro buxhet, kurse zyra e kryeministrit gati 18 milionë e gjysmë. Qe me çka merret ky. Ne jemi republikë parlamentare e jo republikë kryeministriore, Zyra e kryeministrit i ka 615 të punësuar. Vetëm kabineti i kryeministrit i ka 75 të punësuar, ndërkaq në MKRS, për zhvillimin dhe përkrahjen e rinisë, e cila është mbi një e treta e popullsisë, janë vetëm 5 të punësuar”, tha ai.

Ai shtoi se këto janë disa nga argumentet që nuk do ta mbështesin buxhetin e vitit 2019.

***

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk e mbështet Projektligjin mbi ndarjen buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019, i cili po diskutohet në seancën e sotme të Kuvendit.

Arsyet për këtë i ka dhënë deputeti i këtij subjekti politik, Lumir Abdixhiku, me ç’rast projektligjin në fjalë e ka quajtur buxhet social dhe jo zhvillimor.

Në bazë të këtij projektligji, Abdixhiku thotë i bie që Kosova vetëm se do të thellohet në borxhe publike, pa bërë të mundshëm ndonjë transformim në arsim, drejtësi dhe shëndetësi.

Abdixhiku: Për secilën ditë të qeverisjes Haradinaj, humbin 44 vende pune në Kosovë

“Për secilën ditë të kësaj qeverie, humben nga 44 vende pune në Kosovë... Sa i përket pjesës numerike, anës kontabël të këtij buxheti, gjëja e për që të bie në sy është diskrepanca ndërmjet të hyrave dhe shpenzimeve. Të hyrat rriten për 132 milionë, ndërsa shpenzimet për 261 milionë, dyfish sesa të hyrat. Pra ne po shpenzojmë më shumë se që po gjenerojmë. Marrë për bazë të gjitha argumentet e dhëna më lart, se buxheti i sivjetmë është social dhe jo zhvillimor, që zgjeron borxhin publik e shpenzon asetet e Kosovës pa ndonjë punësim, që nuk bënë transformimin në arsim, shëndetësi dhe ligj, për të gjitha këto arsye dhe më shumë, Lidhja Demokratike e Kosovës nuk e mbështet buxhetin në fjalë”, tha ai.

Ai, në emër të LDK-së, shprehu shqetësimin edhe për atë se buxheti nuk parasheh fonde të sigurimit shëndetësor, ndërsa dha vërejtje për shtimin e fondeve për mbrojtje.

Abdixhiku: LDK-ja shpreh keqardhje për mos shtimin e fondeve për mbrojtje

“LDK-ja shpreh keqardhje për mos shtimin e fondeve për mbrojtje. Flasim për transformim të FSK-s në ushtri. Për tre vitet e ardhshme nuk ka rritje të fondeve për ushtri. Nuk e di çfarë transformimi është ky, nëse nuk kemi shtuar mjete financiare për të bërë njëmend ushtri, për tre vitet e ardhshme, jo vetëm këtë vit”, u shpreh Abdixhiku.

Në fund të fjalës së tij, Abdixhiku tha se buxheti i tanishëm e konfirmon numrin më të rëndë që mund ta konfirmojë ky buxhet. Teksa shtoi se krejt kjo, është rezultat i modelit të tanishëm qeverisës.

***

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Sejdiu, është shprehur se kjo parti ende nuk ka vendosur nëse do të votojë buxhetin për vitin 2019, pasi sipas tij buxheti si i tillë ka probleme të jashtëzakonshme.

Ai këto komente i bëri gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës, ku ndër pikat e ditës është edhe ajo për buxhetin për vitin e ardhshëm.

Sejdiu: Jemi në fazën e diskutimit të buxhetit

“Në fakt jemi në fazën e diskutimit të buxhetit. Buxheti si i tillë ka sipas meje telashe të jashtëzakonshme, diku 465 milionë euro apo mbi 20 për qind e shpenzimeve të parapara në buxhet shkojnë për skema sociale dhe pensione në një vend ku vetëm 7 për qind e popullsisë është në moshën e pensionimit. Përderisa një pjesë e madhe e popullsisë është në arsim vetëm 3 për qind e shpenzimeve shkojnë në arsim. Të mos flasim për pjesën ekonomike e cila përsëri është një qasje e cila po e shohim tash e 18 vite që është një përqendrim total në asfalt. E kjo koha e njëfarë hovi infrastrukturor edhe trajtimit infrastrukturor të ekonomisë duhet të përfundoj, duhet të dalim në një koncept tjetër ekonomik e që është zhvillimor. Paramendojeni nëse në buxhetin e  vitit 2019 do të kishim një ide për një agjencion zhvillimor, i cili do të ndihmonte në ndërtimin e kapaciteteve për përpunuesit e ushqimit në Republi kën e Kosovës. Pra, në situatën në të cilën jemi sot ku kemi një taksë 100 përqind për importet nga Serbia krijohet një treg i mirë për përpunuesit e ushqimit në Kosovë që të ndërtojnë fabrikat e reja”, tha ai.

Sejdiu ka komentuar edhe deklaratën e sekretarit të përgjithshëm të NATO-së, Jens Stoltenberg rreth ushtrisë së Kosovës.

Sejdiu: Ndonjëherë do vendime të vështira duhet të merren

“Ne kemi qenë të informuar tash e sa kohë që gjithçka po bëhet në koordinim me aleatët tanë, në këtë rast me NATO-në, me ShBA-të. Deklarata e djeshme ishte një deklaratë e cila na erdhi si befasi, por është edhe e pritshme duke e pas parasysh që kjo çështja e taksës 100 për qind po trajtohet si eskalim prej anës sonë. Ajo çka qeveritë e kaluara dhe kjo e tashmja nuk janë duke e bërë mirë është që të prezantojnë Kosovën me argumente e fakte para ndërkombëtarëve. Pra, pabarazia në tregti tash e 18 vite është mbajtur e heshtur nga ne... Ndonjëherë do vendime të vështira duhet të merren, mendoj që ushtria nuk do të jetë asnjëherë vendim i lehtë dhe asnjëherë nuk do të kemi prej secilit akter në fushën ndërkombëtare pajtim qind për qind”, tha ai.

Ndryshe, shefi i NATO-s dje paralajmëroi se Kosova do të ketë pasoja serioze nëse formon ushtrinë.

Buxheti 2019, shpenzimet më shumë se sa të hyrat

Ministri i Financave, Bedri Hamza ka paraqitur para deputetëve propozim buxhetin për vitin 2019, ka thënë se buxheti ofron më të mirën për qytetarët dhe ekonominë tonë.

Hamza ka thënë se buxheti adreson prioritetet qeverisëse duke mundësuar përmirësimin e jetës së qytetarëve, edhe pse nuk mjafton.

Ai përsëriti se rritjet ekonomike e vendit për vitin 2019 pritet të jetë 4.7 % në terma real, ndërsa në ata nominal 5.4 %.

Hamza: Të hyrat për buxhet 1 miliar e 949 milionë euro

“Presim që viti 2019, të hyrat për buxhet 1 milard e 949 milionë euro gjë që paraqet një rritje prej 7. 3 përqind në raport me vitin 2018 ose në vlerë një rritje prej 123 milionë euro. Kjo rritje e projektuar pritet të vi kryesisht nga të hyrat tatimore me një rritje prej 7.7 përqind, ndërsa, brenda të hyrave tatimore, tatimet direkte pritet të rriten 5 % ndërsa, ato indirekte mbi 8 %. Rritja e bazës tatimore si konsumi, investimet dhe importet prodhojnë nga 5 deri në 6 përqind të hyra shtesë, ndërsa pjesa e tjetër nga 1 deri në 2 përqind, do të arkëtohen duke përmirësuar administrimin e tatimeve dhe duke zvogëluar stokun e borxhit tatimor“, ka thënë ai.

Sipas tij, të hyrat jo tatimore presin që të mbesin të njëjta për gjatë periudhës afatmesme, pasi nuk ka një përformancë të mirë të të hyrave nga komunat. Ai foli edhe për shpenzimet.

Hamza: Shpenzime buxhetore do të jenë në vlerë pre 2 milardë 365 milionë euro

“Gjithsej shpenzime buxhetore do të jenë në vlerë pre 2 milardë 365 milionë euro, që paraqet një rritje prej 261 milionë euro, nëse e krahasojmë me vitin aktual apo 12.5 % më shumë.... Ky propozim buxhet ofron më të mirën për qytetarët dhe ekonominë tonë, duke pasur patrasysh kufizimet që na imponohen nga shumë faktor të brendshëm dhe të jashtëm“, ka thënë ai.

Ai u ndal edhe te rritja e investimeve kapitale, ku numëroi projektet që do të realizohen. Hamza shtoi se ka rritje të investimeve në infrastrukturë.

Ndërsa, përmendi rritjet e investimeve për shëndetësi, edukim, ekonomi dhe siguri.

LDK kundër buxhetit 2019: Planifikojmë të kemi ushtri, por për të nuk ndahet buxhet

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se partia e tij nuk do ta mbështesë buxhetin e vitit 2019.

“Si ka mundësi që planifikojmë të krijojmë Ushtri, ndërsa nuk kemi ndarë buxhet për tri vitet e ardhshme për Ushtrinë”, ka thënë Abdixhiku.

Ai ka përmendur edhe shumë arsye të tjera që LDK nuk e mbështet këtë buxhet, duke thënë se koalicioni qeverisës janë shumë të mirë kur “fantazojnë”, por jo kur këto projekte të buxhetit i qesin në letër.

Balje: Kosova gati për formimin e ushtrisë

Deputetja e Grupit parlamentar 6+ Duda Balje, ka deklaruar se Kosova është gati ta formojë ushtrinë e saj.

Ajo gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës ka komentuar edhe deklaratën e sekretarit të përgjithshëm të NATO-së, Jens Stoltenberg, i cili paralajmëroi se formimi i ushtrisë në këtë kohë është hap i gabuar dhe se Kosova do të përballet me pasoja serioze.

Balje: Unë mendoj se si shtet jemi gati për të formuar një ushtri

“Unë mendoj se si shtet jemi gati për të formuar një ushtri dhe kemi kaluar komplet procedurat, tash është veç votimi brenda seancës. Unë jam gati e sigurt se secili shtet edhe NATO munden me pas mendimin e vet, është keq sepse NATO ka dal me këtë deklaratë, por unë mendoj se ne si shtet kemi vendos dhe unë mendoj që duhet të votojmë për këtë. Po është keq, sepse është një barrierë e madhe, por unë mendoj se na duhet të gjejmë zgjidhje për këtë dhe jam gati e sigurt se ne do të votojmë për ushtri”, ka thënë ajo.

Ndërsa, sa i përket votimit të buxhetit për vitin 2019, ajo tha se kanë bërë një plan për pakicat dhe se kanë biseduar me ministrin e Financave, Bedri Hamza, andaj grupi parlamentar 6+ do ta votojë buxhetin për vitin e ardhshëm.

Deliu-Kodra: Veterani dje ndërroi jetë, të merren masa për vdekjet në vendet e punës

Deputetja nga radhët e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, gjatë deklarimeve jashtë rendit të ditës, reagoi për vdekjet e punëtorëve në vendin e punës, duke përfshirë edhe rastin e fundit në Pejë.

“Një i ri nga Peja nuk i përballoi plagët e marra deri sa ishte në vendin e punës. Veterani ndërroi jetë mbrëmë. Vdekja e tij e çon në 22 numrin e personave që kanë humbur jetën në vendin e punës vetëm gjatë këtij viti”.

Deliu-Kodra tha se inspektorati i punës duhet të punojë më shumë dhe të i inspektojë të gjitha vendet në mënyre që secili punëtor të ketë kushte të mira të punës.

“Kërkoj nga Ministri Reçica dhe inspektorati i punës të marrin masa ndaj shkelësve dhe numri i vdekjeve në vend të punës të mos jetë në rritje nga vitet paraprake”.

Ushtria e Kosovës, Haxhi Shala: Do të vazhdojmë partneritetin me NATO-n

Kryetari i Komisionit Parlamentar për mbikëqyrje të FSK-së Haxhi Shala, ka komentuar deklaratën e sekretarit të përgjithshëm të NATO-së, i cili ka thënë se Kosova do të përballet me pasoja serioze nëse e formon ushtrinë.

Ai deklaroi se deri këtu kanë ecur bashkë me partnerin kryesor siç e ka quajtur ai NATO-në dhe se kështu do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.

Shala ka bërë të ditur se si komision kanë përfunduar të gjitha punët sa i përket ligjeve për FSK-në dhe se ato më 14 dhjetor do të jetë në Kuvend.

Shala: Deri këtu kemi ecur bashkë me partnerin tonë kryesor - NATO

“Deklarata e sekretarit të përgjithshëm është deklaratë e tij një institucioni mjaft të rëndësishëm për neve, për FSK-në. Por, sido që të jetë atë të cilën e ka kërkuar që të mos ketë ndryshime kushtetuese, nuk do të ketë ndryshime kushtetuese, do të ketë ndryshime ligjore. Kjo çështje do të ecë me të 14. Tash mbetet çështje e kryeministrit. Kryeministri pati një deklaratë në Parlamentin e Kosovës, që me 14 dhjetor do të kemi ligjet e FSK-së në seancë dëgjimore, në dëgjimin e dytë. Besoj që nuk ka ndryshime dhe nuk ka lëkundje të askujt ndaj këtij qëndrimi, sepse deri këtu kemi ecur bashkë me partnerin tonë kryesor siç është NATO dhe bashkë me të do të vazhdojmë edhe më tutje”, tha ai.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se vendimi për formimin e ushtrisë së Kosovës është në kohë të gabuar dhe do të ketë pasoja serioze.

Pacolli: Pozita dhe opozita është përgjegjëse për dështimin e Kosovës

Deputeti i Aleancës Kosova e Re, Islam Pacolli ka bërë ftesë për gjithë liderët politikë që të bashkohen dhe të tejkalojnë problemet e mëdha që ka Kosova.

Ai në seancën e sotme bëri thirrje të hiqen interesat e ngushta politike.

Pacolli: Mos t’ia bëjmë sikur inati i resë me vdektë djali

Image

“Edhe pozita edhe opozita është përgjegjëse për dështimin e Kosovës, prandaj nëse dikush do të dështoj, do të dështojnë të gjithë. O sot o kurrë duhet që të jemi unik dhe të shkojmë përpara. Mos t’ia bëjmë sikur një fjalë popullore, inati i resë me vdektë djali. Hiqni interesat e ngushta politike dhe të dalim nga kjo çështje dhe të shkojmë përpara”, tha ai.

Më pas parlamenti me një minut heshte mbajti zi për ish presidentin amerikan Bush.

Konjufca tregon pse nuk u hoqën vizat për qytetarët e Kosovës

 Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, në seancën e jashtëzakonshme, ka numëruar arsyet që, sipas tij, Kosova dështoi në liberalizimin e vizave.

Moszbatimi i pakos për agjendën evropiane, Konjufca thotë se është një nga arsyet që Kosovës nuk iu liberalizuan vizat edhe më  tutje.

Konjufca në fjalën e tij në këtë seancë, ka thënë se prej 22 prioriteteve dhe 135 masave që është dashur të zbatoj Kosova, deri më tani sipas tij as gjysma e tyre nuk janë zbatuar. Tutje Konjufca ka thënë se moszbatimi i këtyre tregon se sa larg Kosova është drejt procesit të integrimeve evropiane.

Ai ka thënë se komisioneri i BE-së për Zgjerim, Johannes Hahn, në Kosovë ka ardhur për ta lajmëruar Kosovën se procesi i liberalizimit të vizave ka ngecur.

Konjufca ka shtuar se Kosova sot nuk e ka liberalizimin e vizave për shkak se nuk ka përmirësim në sistemin e drejtësisë, luftën kundër korrupsionit, në arsim e në disa çështje të tjera.

Topalli kritikon Qeverinë dhe Kuvendin për ‘udhëtime turistike’ zyrtare

Deputeti i PSD-së, Faton Topalli ka kritikuar kolegët e tij në Kuvend dhe zyrtarët e Qeverisë për udhëtime të shumta jashtë vendit.

“I nderuari kryeministër, me sa mbaj mend unë në fillim të mandatit ju keni deklaruar se do t’i ndaloni udhëtimet turistike jashtë vendit, të cilat në fakt deklarohen si udhëtime të punës, por në fakt nuk janë asgjë tjetër përveç se udhëtime turistike”, tha Topalli.

Sipas tij edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli mban përgjegjësinë e tij së bashku me të gjithë deputetët për udhëtimet jashtë vendit.

“Këto punë do të duhej ne t’i kryenim këtu, në zyrat e Kuvendit. Udhëtimet realizohen në Greqi, Mal të Zi e Turqi. Janë të panevojshme dhe e ngarkojnë buxhetin e Kosovës, në kohën ku shumica e qytetarëve jetojnë në varfëri”, tha deputeti.

Deputetja: Çdo vit raportohen mbi 1000 raste të dhunës ndaj grave

Kryesuesja e Grupit të Grave Deputete, Mexhide Mjaku-Topalli me rastin e Fushatës 16 ditëshe të Aktivizmit kundër dhunës në familje dhe ndaj grave tha se kjo fushatë është botërore dhe mbahet çdo vit.

“Fenomeni dhunë në vendin tonë, dhuna ndaj gruas vazhdon të jetë shqetësues, çdo vit raportohen 1000 raste të tilla dhe shpesh rezulton me humbjen e jetës së tyre. Humbja  jetëve duhet të jetë alarm për të gjitha institucionet përgjegjëse në vend”, tha ajo.

Sipas deputetes, dhuna në familje dhe dhuna ndaj grave po renditen si një ndër shkaqet kryesore për dëmtimin e jetës njerëzore dhe shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut.

“Është  e pajustifikueshme nga ana e institucioneve përgjegjëse në Kosovë mos ofrimi i ndihmës kur e kërkojnë gratë”, tha ajo.

Haradinaj: Mund të skenohet ndonjë vdekje diku në Kosovë, ushtria votohet javën e ardhshme

 Kryeministri Ramush Haradinaj, ka thënë krijimi i ushtrisë së Kosovës dhe mandatimi i saj, javën që vjen, është proces i brendshëm dhe se është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“Për formimin e Ushtrisë së Kosovës ne kemi zhvilluar biseda intensive me të gjitha palët e interesuara. NATO ka shumë peshë në punët e saj dhe është normale që mund të ketë dilema. Por, Kosova është e sigurt që kjo nuk do t’i sjellë rrezik me krijimin e FSK-së dhe nuk ka interes t’i prish marrëdhëniet me NATO-n”, ka theksuar Haradinaj.

Duke iu përgjigjur pyetjes së deputetit Faton Topalli, nëse kanë biseduar me shtetet anëtare të NATO-së lidhur me vendimin për transformimin e FSK-së në ushtri, Haradinaj ka thënë se është e vërtetë që nuk kanë arritur që të bisedojnë me secilën qeveri aleate të NATO-së, por se kanë zhvilluar takime intensive me shtetet që kanë vendimmarrje të plotë në aleancë dhe shtete mike të Kosovës, që janë pjesë e Aleancës, për çka kanë pasur sinjale pozitive.

“Ta keni parasysh se marrëdhëniet me ta nuk do të vihen në rrezik, por përkundrazi Kosova nga një shtet konsumues i sigurisë do të jetë edhe prodhues I sigurisë duke kontribuar në aleancë”, ka pohuar Haradinaj, i cili ka insistuar se ushtria do të bëhet më 14 dhjetor.

Ai ka folur edhe për deklaratat e Serbisë që FSK po përgatitet për tu dërgojë në veri, gjë e cila sipas tij nuk është e vërtetë. Sipas tij, këto deklarata janë vetëm për t’i frikësuar qytetarët serb të veriut.

***

Kryeministri i Kosovës, Ramush Hardinaj ka deklaruar se taksa prej 100 përqind nuk mund të detyrohet të hiqet, por nuk përjashtohet mundësia që do të skenohen raste për ta paraqitur Kosovën si një vend që shkel të drejtat humanitare.

“Nuk përjashtohet mundësia që do të skenohet ndonjë vdekje diku në Kosovë për të akuzuar Kosovën se kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së ushqimeve, pas taksës 100 përqind për produktet serbe por institucionet e Kosovës janë kampion në zbatimin e të drejtave të njeriut dhe të drejtës humanitare”, tha ai.

Haradinaj shtoi se askush në Kosovë nuk ka interes për jostabilitet dhe të vetmit që kanë iu intereson ndonjë skenar për destabilizim është Beogradi zyrtar.

Ai në seancën e sotme tha se Serbia është mobilizuar për ta paraqitur Kosovën si një vend që po tenton të krijojë jostabilitet në rajon, duke e krijuar ushtrinë.

“Çështja e ushtrisë është çështje e brendshme e shtetit tonë”, tha ai.

Konjufca thotë se Kosova është larg në rrugën e integrimeve evropiane

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka kritikuar Qeverinë për mos zbatimin e pakos së reformave evropiane.

Në seancën e sotme plenare, Konjufca tha se kjo pako ka mbetur vetëm diskurs politik i thatë dhe elektoral. E kjo sipas tij, bënë që Kosova të jetë larg integrimeve evropiane.

Ai ka folur edhe për vizitën e fundit të komisionarit Johanes Hahn në Kosovë, me ç’rast u shpreh se Hahn është dashur të shpallë pakon e dytë të Agjendës së reformave, por në mungesë të impelemtimit të pakos së parë, nuk kishte mundur.

Konjufca: Kosova është larg integrimeve evropiane

Image

“Krejt çka i mbeti komisionarit Hahn, fatkeqësisht, ishte që ta lajmëronte dështimin e liberalizimit të vizave. Nëse e shihni nivelin e realizueshmërisë të agjendës, është me të vërtetë e pikëlluese dhe për çdo kritikë. Prej 22 prioriteteve dhe 135 masave që ka pasur me i ndërmarr Qeveria e Republikës të Kosovës, deri më tash janë zbatuar më pak se gjysma e tyre. Pra ka vonesa të pajustifikueshme për implementimin e reformave në Kosovë dhe kjo tregon se sa larg është Kosova në rrugën e saj të procesit të integrimeve evropiane”, tha ai.

Sipas tij, Kosova qëndron keq në secilën prej shtyllave që ka agjenda. Konjufca shtoi se nuk ka vullnet politik për luftimin e korrupsionit.

Haradinaj: Krijimi i Ushtrisë së Kosovës, nuk i rrezikon marrëdhëniet me NATO-n

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj gjatë seancës së sotme të Kuvendit ka thënë se Serbia është mobilizuar dhe po e pengon Kosovën si vend që ka dal prej binarëve të vet.

Haradinaj ka deklaruar se Serbia po bën propagandë duke thënë se Kosova po dëshiron t’i zgjidh problemet me arrogancë.

“Serbia po ankohet se Kosova nuk ka përmbush marrëveshje të Brukselit.  Ajo punon intensivisht me diplomatë të vet për me paraqit Kosovën si vend i dalur prej kontrollit në siguri pasi sipas tyre Kosova po tenton ta formojë ushtrinë dhe po tenton të krijojë destabilizim. Ne gjithë mundemi me ju kthy përgjigje të qartë se askush nuk ka nevojë për jostabilitet. Ne gjithë punojmë për ma shumë paqe, të vetmit që ju intereson ndonjë skenar për me mujt me nxjerr Kosovën të çrregulluar është Beogradi zyrtar”, është shprehur Haradinaj.

Image

Sa i përket transformimit të FSK-së në ushtri, Haradinaj ka thënë se ky është proces i brendshëm dhe në përputhje të plotë me kushtetutën.

“Krijimi i ushtrisë apo mandatimi i ushtrisë javën që vjen është proces i brendshëm është në përputhje me kushtetutën tonë, më të avancuarën në botë. Një kushtetutë e cila përmban në vete të gjitha vlerat e demokracisë. Për formimin e ushtrisë kemi zhvilluar biseda intensive me të gjitha palët e interesuara. Aleanca e NATO-s ka peshë të madhe, ajo mund t’i shpreh mendimet e veta, mirëpo Kosova është e sigurt se asnjëherë nuk do t’i sjellë në rrezik marrëdhëniet me NATO-n”, ka theksuar kryeministri.

Sipas Haradinaj, Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet bazike për të qenë ushtri dhe ka shtuar se ushtria nuk e vë në rrezik marrëdhënien me NATO-n

Zemaj: Çka po ndodh me tërheqjet e njohjeve

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj ka deklaruar se është shqetësuese tërheqja e njohjeve nga shtetet që e kanë njohur Republikan e Kosovës, pasi përveç dobësimit si shtet, ka rrezik permanent të zërit të shteteve që janë kundër vendit tonë.

Zemaj në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se qeveria dhe Ministria e Punëve të jashtme, nuk po jep përgjigje korrekte për tërheqja e njohjeve nga shtetet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Image

Zemaj: Rrezik permanent nga zërat e shteteve që janë kundër Republikës së Kosovës

“Është shqetësuese, më tepër se sa shqetësuese është fenomeni që nëse vazhdon me këtë tërheqjeje të njohjeve nga shtetet që e kanë njohur Republikan e Kosovës, atëherë neve po rrëshqasim jo vetëm në dobësim por edhe në atë që e kemi quajtur rrezik permanent të zërit të shteteve që janë kundër Republikës së Kosovës dhe fenomenit tjetër të diplomacisë serbe e cila po mbizotëron mbi punën dhe aktivitetit 10 vjeçar të shtetit dhe të diplomacisë Kosovare, andej ne thërrasim që të kemi përgjigje“, ka thënë ai.

Ai foli edhe për një rrezik me të cilin po kërcënohet rinia e Kosovës.

Zemaj: Fëmijët po kërcënohen nga trafikantët e drogave

“Rinia e Kosovës, nxënësit në Republikën e Kosovës çdo ditë po kërcënohen nga trafikantët e drogave dhe shpërndarësit e tyre. E lus Qeverinë e Kosovës, i bëj thirrje ministrisë së punëve të brendshme që ta shtoj aktivitetin mbikëqyrës rreth shkollave fillore dhe të mesme dhe nxënësit dhe fëmijët tanë mos bien pre e këtyre që çdo ditë e më shumë po e rrezikojnë të ardhmen tonë“, tha ai.

Sipas tij, Kosova nuk është më vetëm vend transit por edhe përdorues, që po e shkatrrën të ardhmen e Kosovës.

Dështon sërish votimi në Kuvend për rezolutën e opozitës për liberalizimin e vizave

Propozim rezoluta që ka të bëjë me liberalizimin e vizave, e propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, edhe sot nuk ka marrë votat e kërkuara.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, para votimit tha se dje janë ftuar në takim kryetarët e grupeve parlamentare por nuk janë harmonizuar për rezolutën.

Megjithatë, ai kërkoi që kjo rezolutë të hedhet në votim.

Ishin 40 deputetë që votuan për, një kundër dhe një abstenim.

***

Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën në të cilën përveç shqyrtimit për herë të parë të projektligjit mbi ndarjen buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019, do të shqyrtohet edhe raporti i Auditimit për pasqyrat vjetore financiare të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për vitin 2017.

Gjithashtu do të shqyrtohet për herë të dytë edhe projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Familjen i Kosovës.

Agjenda:

1. Koha për deklarime jashtë rendit të ditës,

2. Koha për pyetje parlamentare,

3. Shqyrtimi i parë i Projektligjit mbi ndarjen buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019,

4. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Ekonomiko-Social,

5. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për produktet biocide,

6. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Odën e Arkitekteve dhe Odën e Inxhinierëve në fushën e ndërtimit,

7. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 2004/32 për Familjen i Kosovës,

8. Shqyrtimi i Raportit të Auditimit për pasqyrat vjetore financiare të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për vitin 2017,

9. Shqyrtimi i Raportit për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2017,

10. Emërimi i një (1) anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës,

11. Zgjedhja e një (1) anëtari të Komisionit të Pavarur për Media.

 

Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë seancë të rregullt, ku në mesin e pikave që do të shqyrtohen janë edhe projektligji për buxhetin e Kosovës, si dhe gjendja e mjedisit për vitin 2017.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...