Sejdiu: Buxheti për 2019 ka telashe të jashtëzakonshme

Aktuale

Sejdiu: Buxheti për 2019 ka telashe të jashtëzakonshme

Më: 6 dhjetor 2018 Në ora: 13:29
Dardan Sejdiu

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Sejdiu, është shprehur se kjo parti ende nuk ka vendosur nëse do të votojë buxhetin për vitin 2019, pasi sipas tij buxheti si i tillë ka probleme të jashtëzakonshme.

Ai këto komente i bëri gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës, ku ndër pikat e ditës është edhe ajo për buxhetin për vitin e ardhshëm.

Sejdiu: Jemi në fazën e diskutimit të buxhetit

“Në fakt jemi në fazën e diskutimit të buxhetit. Buxheti si i tillë ka sipas meje telashe të jashtëzakonshme, diku 465 milionë euro apo mbi 20 për qind e shpenzimeve të parapara në buxhet shkojnë për skema sociale dhe pensione në një vend ku vetëm 7 për qind e popullsisë është në moshën e pensionimit. Përderisa një pjesë e madhe e popullsisë është në arsim vetëm 3 për qind e shpenzimeve shkojnë në arsim. Të mos flasim për pjesën ekonomike e cila përsëri është një qasje e cila po e shohim tash e 18 vite që është një përqendrim total në asfalt. E kjo koha e njëfarë hovi infrastrukturor edhe trajtimit infrastrukturor të ekonomisë duhet të përfundoj, duhet të dalim në një koncept tjetër ekonomik e që është zhvillimor. Paramendojeni nëse në buxhetin e  vitit 2019 do të kishim një ide për një agjencion zhvillimor, i cili do të ndihmonte në ndërtimin e kapaciteteve për përpunuesit e ushqimit në Republi kën e Kosovës. Pra, në situatën në të cilën jemi sot ku kemi një taksë 100 përqind për importet nga Serbia krijohet një treg i mirë për përpunuesit e ushqimit në Kosovë që të ndërtojnë fabrikat e reja”, tha ai.

Sejdiu ka komentuar edhe deklaratën e sekretarit të përgjithshëm të NATO-së, Jens Stoltenberg rreth ushtrisë së Kosovës.

Sejdiu: Ndonjëherë do vendime të vështira duhet të merren

“Ne kemi qenë të informuar tash e sa kohë që gjithçka po bëhet në koordinim me aleatët tanë, në këtë rast me NATO-në, me ShBA-të. Deklarata e djeshme ishte një deklaratë e cila na erdhi si befasi, por është edhe e pritshme duke e pas parasysh që kjo çështja e taksës 100 për qind po trajtohet si eskalim prej anës sonë. Ajo çka qeveritë e kaluara dhe kjo e tashmja nuk janë duke e bërë mirë është që të prezantojnë Kosovën me argumente e fakte para ndërkombëtarëve. Pra, pabarazia në tregti tash e 18 vite është mbajtur e heshtur nga ne... Ndonjëherë do vendime të vështira duhet të merren, mendoj që ushtria nuk do të jetë asnjëherë vendim i lehtë dhe asnjëherë nuk do të kemi prej secilit akter në fushën ndërkombëtare pajtim qind për qind”, tha ai.

Ndryshe, shefi i NATO-s dje paralajmëroi se Kosova do të ketë pasoja serioze nëse formon ushtrinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat