LDK nuk mbështet buxhetin - për çdo ditë të Qeverisë Haradinaj humbin 44 vende pune

Aktuale

LDK nuk mbështet buxhetin - për çdo ditë të Qeverisë Haradinaj humbin 44 vende pune

Më: 6 dhjetor 2018 Në ora: 14:01
Lumir Abdixhiku

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk e mbështet Projektligjin mbi ndarjen buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019, i cili po diskutohet në seancën e sotme të Kuvendit.

Arsyet për këtë i ka dhënë deputeti i këtij subjekti politik, Lumir Abdixhiku, me ç’rast projektligjin në fjalë e ka quajtur buxhet social dhe jo zhvillimor.

Në bazë të këtij projektligji, Abdixhiku thotë i bie që Kosova vetëm se do të thellohet në borxhe publike, pa bërë të mundshëm ndonjë transformim në arsim, drejtësi dhe shëndetësi.

Abdixhiku: Për secilën ditë të qeverisjes Haradinaj, humbin 44 vende pune në Kosovë

“Për secilën ditë të kësaj qeverie, humben nga 44 vende pune në Kosovë... Sa i përket pjesës numerike, anës kontabël të këtij buxheti, gjëja e për që të bie në sy është diskrepanca ndërmjet të hyrave dhe shpenzimeve. Të hyrat rriten për 132 milionë, ndërsa shpenzimet për 261 milionë, dyfish sesa të hyrat. Pra ne po shpenzojmë më shumë se që po gjenerojmë. Marrë për bazë të gjitha argumentet e dhëna më lart, se buxheti i sivjetmë është social dhe jo zhvillimor, që zgjeron borxhin publik e shpenzon asetet e Kosovës pa ndonjë punësim, që nuk bënë transformimin në arsim, shëndetësi dhe ligj, për të gjitha këto arsye dhe më shumë, Lidhja Demokratike e Kosovës nuk e mbështet buxhetin në fjalë”, tha ai.

Ai, në emër të LDK-së, shprehu shqetësimin edhe për atë se buxheti nuk parasheh fonde të sigurimit shëndetësor, ndërsa dha vërejtje për shtimin e fondeve për mbrojtje.

Abdixhiku: LDK-ja shpreh keqardhje për mos shtimin e fondeve për mbrojtje

“LDK-ja shpreh keqardhje për mos shtimin e fondeve për mbrojtje. Flasim për transformim të FSK-s në ushtri. Për tre vitet e ardhshme nuk ka rritje të fondeve për ushtri. Nuk e di çfarë transformimi është ky, nëse nuk kemi shtuar mjete financiare për të bërë njëmend ushtri, për tre vitet e ardhshme, jo vetëm këtë vit”, u shpreh Abdixhiku.

Në fund të fjalës së tij, Abdixhiku tha se buxheti i tanishëm e konfirmon numrin më të rëndë që mund ta konfirmojë ky buxhet. Teksa shtoi se krejt kjo, është rezultat i modelit të tanishëm qeverisës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat