Burjani: Kjo klasë politike nuk posedon më përkrahje as nga SHBA e as nga BE

Aktuale

Burjani: Kjo klasë politike nuk posedon më përkrahje as nga SHBA e as nga BE

Nga: N.H Më: 6 dhjetor 2018 Në ora: 22:55
Blerim Burjani

Taksa e vendosur nga autoritetet e Kosovës ndaj produkteve me origjinë nga Serbia vazhdon të gjejë kundërshti të mëdha nga e gjithë bashkësia ndërkombëtare.

Kritikë rreth këtij vendimi shprehën të jenë edhe deputetë të Bundestagut gjerman. I tillë së fundi është edhe reagimi deputeti i Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë, Josip Juratovic, i cili konsideron se reagimi ndaj taksës është i arsyeshëm.

Njohësi i çështjeve juridike-kushtetuese, Blerim Burjani, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se ky është një presion i madh dhe më i fuqishmi deri më tash për Kosovën.

Sipas tij, miqtë ndërkombëtar kërkojnë disiplinim të serishëm në Kosovë.

“Është një presion i madh dhe më i fuqishmi deri më tash për Kosovën. Miqtë ndërkombëtar kërkojnë disiplinim të serishëm. Ana tjetër është se Kosova nuk ka kapacitete afatgjate të kundërshtojë BE-në dhe ShBA-në, sponsorisuesit e pavarësisë së Kosovës. Ky test është edhe sfida më e madhe për Kosovën”, ka thënë Burjani.

Tutje, ai ka thënë se klasa që po udhëheqë me vendin nuk posedon më përkrahje as nga SHBA-ja e as nga BE-ja.

“Kjo klasë gabimet e mëdha të deritashme politike po tenton t’i fsheh, si korrupsionin, zhvatjen e buxhetit, keqpërdorimin e buxhetit dhe aseteve publike që është shumë i madh. Kjo klasë nuk posedon më përkrahje as nga SHBA e as nga BE. Ato mbështesin qytetarët e Kosovës, por jo me këtë klasë të kriminalizuar politikisht”, ka thënë ai.

Në fund, ai ka nënvizuar se problemet po vijnë duke u bërë edhe më të mëdha për vendin, dhe krejt kjo, siç ka thënë ai, fajtor është paaftësia politike.

“Problemet po vijnë duke u bërë edhe më të mëdha. Kosova asnjëherë deri më tash nuk ka qenë më keq, për shkak të një paaftësie politike dhe mosgatishmërisë për të bërë ndryshime të mëdha në shtet”, ka përfunduar Blerim Burjani për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat