Haradinaj: Qeveria mbështetëse e sektorit privat

Aktuale

Haradinaj: Qeveria mbështetëse e sektorit privat

Më: 7 dhjetor 2018 Në ora: 14:56
Pamje nga takimi

Qeveria e Kosovës do ta vazhdojë mbështetjen e vazhdueshme të sektorit privat si një nga gjeneruesit e vendeve të punës dhe si kontribuues dhe taksapagues mjaft të fuqishëm në buxhetin e Republikës së Kosovës.

Kështu tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, pasi priti në takim një delegacion nga Rrjeti i Shitësve me Pakicë, të kryesuar nga Mrika Selimaj, drejtoreshë e kësaj shoqate. 

Kryeministri Haradinaj është njoftuar nga drejtoresha Mrika Selimaj dhe anëtarët e delegacionit me sfidat me të cilat janë duke u përballur tregtarët e Kosovës, dhe për një varg çështjesh tjera, si projektet për pastrimin e Kosovës; Ligji mbi mbrojtjen e konsumatorit; Aparatet shërbyese (POS) për pagesa me kartelë në markete; Ligji i TVSH-së përmes të cilit mund të rregullohen Kallo-humbjet të cilat bizneset paguajnë TVSH, si dhe për Ligjin mbi tregtinë e brendshme.

“Do të jemi mbështetës të fuqishëm të sektorit privat, dhe të prodhuesve vendorë, duke mos anashkaluar edhe këtë sektor të rëndësishëm”, tha kryeministri Haradinaj, duke kërkuar që edhe bizneset private të jenë bashkëpunuese në këtë proces të fuqizimit të shtetit dhe të prodhimeve vendase përmes krijimit të hapësirave të duhura dhe promovimit të produkteve vendore.

“Me gjithë ligjin, i cili parashihet të hyjë në fuqi, për vendosjen e flamujve të origjinës në të gjitha produktet, ekziston gatishmëri e përbashkët që në fazën e parë, për arsye teknike, senzibilizimi të bëhet përmes ekspozimit të flamurit të Kosovës, si sinjal i fuqishëm për konsumatorin për fuqizimin e prodhimit vendor”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Nga ana e tyre, Mrika Selimaj, drejtoreshë e shoqatës Rrjeti i Shitësve me Pakicë dhe delegacioni falënderuan kryeministrin Haradinaj për pritjen, duke thënë së presin mbështetjen e Qeverisë në tejkalimin e sfidave me të cilat përballet ky sektor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat